Jakup B. Gjoça: Rilindja që kriminalizoi Parlamentin

661
Qeveria e Rilindjes Socialiste, nëpërmjet Policisë së Shtetit kërcënon protestuesit, se do t’i arrestojë, nëse ata bllokojnë rrugët nacionale. Dhe kush? Qeveria e kryeministrit Edi Rama, i cili në 2009-n, bojkotoi 6 muaj Parlamentin dhe organizoi Grevën e Urisë me deputetët e tij, pikërisht duke protestuar ndaj qeverisë së re me pretendimin manipulimit të zgjedhjeve parlamentare të 2009-s. Madje, shumë deputetë socialistë u ndeshëm fizikisht me dhunë edhe kundër policisë së Shtetit në rrugët e Tiranës, përballë KQZ. Dhe kjo dhunë fizike e deputetëve socialistë kundër policisë së Shtetit u urdhërua, natyrisht, nga Kryetari i PS, i cili mendonte se me dhunë fizike kundër Shtetit do të përfitonte të drejtat politike. Kryetari i PS Edi Rama organizoi dhe udhëhoqi protestën e 21 janarit 2011, e cila degjeneroi në një protestë e dhunshme, pikërisht me urdhër politik nga PS, aq sa protestuesit tentuan që të pushtojnë edhe selinë e kryeministrisë, ku për fat të keq, 4 protestues humbën edhe jetën nga plumbat e gardës. Por, kryetari i PS Edi Rama ishte i pranishëm në atë protestë dhe nuk bëri asgjë, që të qetësonte protestuesit socialistë. Qeveria e kryeministrit Rama, do të jetë e para qeveri në Evropë, që do të arrestojë protestues, nëse ata bllokojnë rrugët nacionale. Kujtojmë se bujqit grekë për çdo vit bllokojnë me ditë dhe javë të tëra edhe autostradat kryesore të Greqisë, por asnjë rast, asnjë qeveri greke nuk ka guxuar t’i arrestojë protestuesit! Kryeministri Rama, kërkon që t’i ngjasë Madhuros, presidentit të Venezuelës, i cili arreston protestuesit!

Rama, si kryetar i PS bëri deputetë persona me rekorde kriminale
Ky parlament aktual do të mbetet në Historinë e Shtetit Shqiptar, si i pari parlament i kriminalizuar, ku persona me rekorde kriminale, u bënë deputetë! Dhe, jo rastësisht, është Edi Rama, si kryetari i PS, që faktorizoi kriminalizimin e Parlamentit. Duke përfituar nga sistemi elektoral, ku kandidatët për deputetë shënohen në listat e Partive dhe votuesit votojnë listat e partive dhe jo drejtpërdrejt kandidatët që dëshirojnë për deputetë, kryetari I PS Edi Rama, renditi në krye të Listës të PS për deputetë, persona me rekorde kriminale. Edi Rama ishte i ndërgjegjshëm për këtë, sepse u mbështet për fitoren elektorale të PS në financimin elektoral që i bënë personat që kishin burime financiare të mëdha, pavarësisht se të ardhurat e tyre nuk i kishin të deklaruara. Kryetari i PS, Edi Rama, në zgjedhjet parlamentare të 2013-s kishte mundësinë e fundit politike, që të fitonte zgjedhjet parlamentare, në të kundërt humbja elektorale e PS edhe në 2013-n do të shënonte edhe fundin e karrierës politike të Edi Armës. Prandaj Edi Rama, si kryetar i PS i duhej me çdo kusht, me çdo çmim politik fitorja elektorale. Me kalimin e kohës, u zbardhën edhe rekordet kriminale të shumë deputetëve socialistë, aq sa Parlamenti u detyrua të votojë Ligjin e Dekriminalizimit dhe KQZ-ja, me kërkesën e Prokurorisë u detyrua që të hiqte mandatin e deputetit shumë deputetëve socialistë, ndërkohë shumë prej tyre u detyruan nga Ligji i Dekriminalizimit, që të jepnin dorëheqjen. Deri më sot, Edi Rama, nuk ka mbajtur aspak përgjegjësinë politike, që bëri deputetë me Listat e PS persona me rekorde kriminale. Jo vetëm kaq! Kryeministri Edi Rama është kaq i papërgjegjshëm, saqë nuk bëri ndryshimet e duhura as në Reformën Zgjedhore, që të ndërpriste me ligj çdo financim elektoral të partive dhe të kandidatëve për deputetë, të paligjshëm dhe të jashtëligjshëm.

Rama, si kryetar i PS bëri deputetë biznesmenë, për të përfituar nga ata financime
Edi Rama, si kryetari i PS, arriti që ta bëjë fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare në 2013 një garë të shfrenuar të shpenzimeve financiare, në shërbim të blerjes të votave, për të siguruar me çdo çmim financiar fitoren elektorale, si mundësinë e fundit të tij politike, për të mbijetuar politikisht si kryetari i PS. Kështu, në listat e kandidatëve për deputetë të PS, kryetari i PS Edi Rama vuri në renditjet përfituese shumë biznesmenë, që nuk kishin lidhje me PS, as që kishin kontribuar ndonjëherë për PS. Kështu, pas zgjedhjeve parlamentare të 2013-s, PS ka deputetë më shumë biznesmenë sesa juristë, pavarësisht se disa prej tyre nuk kanë as diplomën e Universitetit, i cili është një kriter ligjor i detyrueshëm, sipas Sistemin Elektoral në Shqipëri. Shumë deputetë socialistë, pas 2013-s, për arsyet e tyre personale, kanë deklaruar publikisht se kanë financuar PS dhe Edi Ramën në fushatën elektorale të 2013-s me qindra mijëra euro. Deputeti socialist Vladimir Kosta ka pohuar publikisht që ka financuar 100.000 euro me urdhër të kryetarit të PS Edi Rama për blerjen e një televizioni, si edhe ka financuar fushatën elektorale në Berat të PS. Deputeti socialist Eduard Ndocaj ka deklaruar që ka financuar me 500.000 euro fushatën elektorale të Edi Armës në 2013-n, por që deri tani, as KQZ-ja dhe as Prokuroria nuk kanë hetuar, sipas ligjit, financimet e jashtëligjshme, të padeklaruara të këtyre biznesmenëve –deputetë për PS dhe Edi Ramën. Qeveria e Rilindjes Socialiste e kryeministrit Rama është akuzuar për abuzime dhe korrupsion me koncensione dhe tenderët publike, sepse ato janë dhënë pa asnjë proces transparent dhe se përfituesit e koncesioneve dhe tenderëve publikë janë ose deputetët biznesmenë dhe kompanitë e tyre, ose biznesmenët që janë klientë të kryeministrit Rama. Nëse në Shqipëri do të kishte sadopak frymë të Demokracisë, kryeministri Edi Rama, e pakta, duhej të kishte dhënë dorëheqjen, për përgjegjësinë politike që bëri deputetë me Listat e PS persona me rekorde kriminale. Nëse në Shqipëri do të kishte sadopak frymë të Demokracisë, kryeministri Edi Rama, e pakta, duhej të kishte dhënë dorëheqjen, për përgjegjësinë politike që PS është financuar me qindra mijëra euro në fushata elektorale nga biznesmenë, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, në kundërshtim edhe me Kodin Penal. Prandaj, protestuesit kanë të drejtën e tyre demokratike të protestojnë kundër kryeministrit Rama, si përgjegjësi i kriminalizimit të Parlamentit, si përgjegjës edhe për financimin e jashtëligjshëm elektoral të PS. Është e natyrshme, një kryeministër, si Edi Rama, që fitoren elektorale të PS e mbështet te financimi i personave që kanë lidhje me Botën e Krimit, apo me paratë e klientëve biznesmenë, siç veproi në 2013-n, do të manipulojë edhe vetë procesin dhe rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit 2017. 
Sigal