Jakup B. GJOÇA / PS-ja a është e sinqertë në kritikën ndaj CEZ-it?

561
Sigal

Ka katër vjet që është dhënë licenca dhe vepron CEZ-i në Shqipëri dhe, që ditën e parë CEZ-i është sjellë me konsumatorët e energjisë elektrike në Shqipëri, si një hajdut abuziv dhe mashtrues. Qytetarët shqiptarë kanë katër vjet që ankohen kudo, mirëpo opozita që e ka detyrën e saj politike të jetë sa më afër shqetësimeve e problemeve të qytetarëve ka heshtur dhe nuk ka guxuar qoftë edhe një herë që ta kritikojë seriozisht CEZ-in. Fakti? PS-ja nuk e ka përcjellë asnjëherë në Kuvend problemin e vjedhjeve, abuzimeve dhe mashtrimeve të CEZ-it ndaj qytetarëve, por edhe nuk ka reaguar kur qeveria dhe ERE në mënyrë sistematike kanë favorizuar CEZ-in në dëm të KESH dhe OSSH-së, kompanive publike. Dhe e dini përse gjatë këtyre katër vjetëve PS-ja ka heshtur? Sepse CEZ-i ka lidhje të dyshimta, edhe me PS-së, sikurse ka edhe me maxhorancën. Kjo ka bërë që PS-ja të mos e kritikojë asnjëherë CEZ-in. Doni edhe një fakt? Edhe tani vetë Kryetari i PS-së nuk ka dalë haptazi dhe ta kritikojë CEZ-in. Pastaj, edhe kritika që ushtron tani, krejt papritur PS-ja kundër CEZ-it, nuk prek brendinë, thelbin. PS-ja ende nuk ngre, nuk argumenton domosdoshmërinë që CEZ-i, për shkak të vjedhjeve dhe mashtrimeve sistematike 4- vjeçare ndaj shqiptarëve, duhet të largohet. Më tej, PS-ja ende nuk ka në programin e saj sjelljen politike që do të ushtrojë ndaj CEZ-it, po të vijë në qeveri. PS-ja, në kritikat e tanishme, më shumë mëshon kritikës ndaj qeverisë dhe ERE-s, dhe jo ndaj CEZ-it. Dhe e dini përse? PS-ja kritikën energjetike e zhvillon vetëm ndaj qeverisë dhe ERE-s për arsye propagande. Në kuadrin e fushatës elektorale. Për t’u dukur në sytë e zgjedhësve shqiptarë, si një forcë politike që interesohet. Doni edhe një shembull të hipokrizisë politike të PS-së ndaj CEZ-it? Deri tani PS-ja, në asnjë rast, deri më sot, nuk ka çuar asnjë nga këto denoncime për kallëzim penal. Edhe në një rast të vetëm, para një viti e ca, kur deputeti Ilir Beqja, premtoi publikisht, se do të denonconte me kallëzim penal pikërisht vjedhjet e mashtrimet e CEZ-it ndaj shqiptarëve, nuk e bëri, pasi drejtori i CEZ-it, vizitoi selinë rozë, u takua me Kryetarin e PS-së dhe më pas, deputeti  Ilir Beqja humbi edhe mandatin. Ky fakt është denoncuar publikisht nga kryetari i ZMK-së, Altin Goxhaj.