Jakup B. Gjoça: Dështim i plotë i programit qeveritar të Rilindjes Socialiste

664
Dje Partia Socialiste mbajti Kongresin Elektoral, për zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017. Çuditërisht, deputetët që diskutuan, folën të gjithë me euforinë elektorale, duke harruar më kryesoren: Që ata janë deputetë dhe ministra të kësaj qeverie aktuale, që ka qeverisur Shqipërinë në 4 vjetët e fundit, pikësëpari të bënin bilancin e punës së qeverisë. Të ballafaqonin zotimet e tyre elektorale dhe qeveritare të 2013-s me arritjet e qeverisë së Rilindjes Socialiste. Nga asnjë nga folësit deputetë dhe ministra në Kongresin elektoral të PS-së, nuk u dëgjua asnjë fjali për mosarritjet e programit qeverisës të Qeverisjes Socialiste. Jo për hipokrizi, por Kongresi elektoral i Partisë që qeveris Shqipërinë, së pari, duhet të ishte Kuvendi i analizës së qeverisjes. Ministrat dhe deputetët e qeverisë së Rilindjes Socialiste, duke bërë analizën, duhet të nxirrnin në dukje edhe arsyet, shkaqet e mosrealizimeve të zotimeve elektorale dhe qeveritare. Vetëm mbi bazën e analizës reale dhe të thellë të arsyeve dhe shkaqeve të mosrealizimeve të zotimeve elektorale dhe qeveritare, do të jenë reale edhe zotimet e reale elektorale të programit të ri qeveritar për mandatin e dytë qeveritar, që kërkojnë. Mirëpo, ministrat dhe deputetët e Partisë Socialiste, që folën në Kongresin Elektoral të PS, duke qenë se askush nuk guxoi, nuk kishte kurajë politike dhe qytetare që të bënte analizën e qeverisjes, të ballafaqonte zotimet me (mos)arritjet, akoma kujtojnë se janë deputetët e Opozitës dhe premtojnë zotime, ose, më keq, janë politikanë hipokritë, ngaqë “harrojnë” zotimet e pa mbajtura, duke kujtuar se në fushatë elektorale ka më shumë rëndësi fjala, premtimet, buja, vetëm për të “peshkuar”votat e elektoratit, dhe shumë pak, ose hiç, nuk përbën qëllim politik misioni i (çdo) qeverie që kërkon votëbesimin e elektoratit: Mirëqeverisja e popullit!

Koshi i dështimit të qeverisjes së Rilindjes Socialiste
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e parë në Parlament, në 2013, duke zbardhur programin e qeverisjes së Rilindjes Socialiste, së pari u zotua se Rilindja Socialiste do të sillte RISI në qeverisje, në ndryshim nga qeverisja e së Djathtës, duke zgjedhur përherë bashkëpunimin, konsensusin, edhe pse kjo mazhorancë e Majtë ka 84 votat e shumicës së cilësuar në Parlament. Për fat të keq, në ironi të plotë me këtë zotim është realiteti politik i sotëm. Ku Opozita nuk është regjistruar fare në KQZ për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit 2017, ngaqë akuzon se qeveria e kryeministrit Rama bashkëpunon me Krimin e Organizuar, dhe do të blejë edhe rezultatin zgjedhor. Fenomeni i kriminalizimit të Parlamentit, “Kanabizizmi” i gjithë Shqipërisë, Korrupsioni, janë argumentet e Opozitës, që rëndojnë mbi Qeverinë e Rilindjes Socialiste. Opozita akuzon se një qeveri që ka bashkëpunuar me krimin në fenomenin e mbjelljes të gjithë sipërfaqes së Shqipërisë me kanabis dhe trafikimin e saj, një qeveri që korrupton, një kryeministër që është përgjegjës i drejtpërdrejtë i kriminalizimit të Parlamentit, nuk mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, prandaj kërkon Qeveri Teknike, si garanci politike se zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen të lira dhe të ndershme!!! Kryeministri Rama, i cili ende nuk ka pranuar përgjegjësi politike për personat me rekorde kriminale që u bënë deputetë dhe kryebashkiakë me Listat e PS-së, nuk pranon që të bëhen zgjedhje parlamentare me Qeveri Teknike. Kryeministri Rama, jo vetëm që nuk ndoqi zotimin qeveritar, për një bashkëpunim me Opozitën, për arritjen e konsensusit politik për të gjitha problemet madhore të Shqipërisë, por, përkundrazi, deklaron përditë, me një arrogancë pushteti të pashpjegueshme, se zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen në 18 qershor 2013, edhe pa Opozitën!!! Kryeministri Rama dështoi edhe në premtimin e reformimit të Drejtësisë, jo vetëm se në 4 vitet e saj nuk u bë e mundur votimi dhe zbatimi i reformës në Drejtësi, por, shumë ministra të Rilindjes Socialiste u akuzuan për korrupsion me dhënien e koncesioneve dhe tenderëve publikë, ku procedura që ndoqën nuk ishte aspak transparente, ngaqë përfituesit ishin klientët e tyre politikë, madje edhe (ish)bizneset e ministrave dhe deputetëve socialistë, deputetë socialistë me rrogë deputeti blenë aksione bankare me vlerë miliarda lekë, ndërkohë, që askush nuk u hetua, nuk u gjykua, por kryeministri, as për ndjeshmëri politike, nuk i largoi ata nga detyra politike. Kryeministri Rama, kësisoj, jo vetëm që la perceptimin te shqiptarët, por konkretisht me veprime dhe mosveprim politik, demonstroi se drejtësia është e pafuqishme, nuk funksionon për të hetuar ministra dhe deputetë socialistë. Shërbimi shëndetësor publik falas, zotimi i Rilindjes Socialiste në 2013 dështoi tërësisht, madje gjendja e shërbimit shëndetësor publik është përkeqësuar edhe më shumë në 2017 nga 2013-ta. Edhe pse Rilindja Socialiste rriti çdo vit fondet për shërbimin shëndetësor publik, sot qeveria e Rilindjes paguan 100 milionë euro çdo vit për koncesionet e shërbimeve shëndetësore publike dhe shumë pak për të pajisur spitalet me ilaçe, pajisje dhe materiale spitalore. Korrupsioni i koncesioneve të shërbimeve shëndetësore publike është kaq i hapur, saqë koncesionerët përdorin mjediset spitalore publike, pa ndërtuar asnjë objekt të ri, nuk investojnë në pajisje, që mund të mbeten për përdorim pasi të përfundojë kontrata koncesionare, madje nuk kanë bërë as në punësime të reja. Qeveria e Rilindjes Socialiste, në 4 vjet nuk rriti aspak rrogat dhe pensionet, madje shkurtoi shumë edhe ndihmesën sociale, edhe pse mori hua nga FMN 4 miliardë euro. Qeveria e Rilindjes Socialiste, nuk ka bërë asnjë investim të madh publik, edhe pse borxhi i jashtëm i Shqipërisë është rritur në 80 % nga 64 % që ishte në 2013-n. “Investimet” më shumë u përdorën për rinovimin e fasadave të ndërtesave qeveritare dhe në ndërtimin e muzeve të BunkArteve. Vendosja e taksës progresive nga qeveria e Rilindjes Socialiste bëri më të papërshtatshëm klimën e investimeve të huaja në Shqipëri, saqë detyroi edhe shumë kompani të mëdha të huaja, të largoheshin nga Shqipëria, pikërisht për shkak të rritjes së kostos të prodhimit nga taksat e shumta që u vendosën nga Rilindja. Qeveria e Rilindjes Socialiste dështoi në hapjen e 300.000 vendeve të reja të punës, aq sa dje deputeti socialist Erion Braçe u detyrua të pranojë në Kongresin Elektoral, se u hapën 180.000 vende të reja pune. Qeveria e Rilindjes Socialiste dështoi edhe në premtimin qeveritar “Të bërjes së Shtetit”. Sot buxheti i shtetit paguan 100 milionë euro dëmshpërblim atyre nëpunësve të shtetit, të cilëve gjykatat u dhanë të drejtën e ankimimit, ngaqë u larguan nga Administrata Publike nga qeveritarët në kundërshtim të plotë me Ligjin, me kritere partiake dhe u zëvendësuan me militantë partie. Kryeministri Rama ashpërsoi shumë ligjet me dënime penale edhe për shkeljet administrative, me gjoja se kështu njerëzit do edukohen me zbatimin e ligjit, duke mbushur burgjet me njerëz të varfër dhe të pamundur, ndërkohë që ligji nuk preku aspak ata zyrtarë që shpërdoruan, abuzuan, korruptuan miliona lekë, ngaqë janë militantët e partisë.

Premtimet e reja elektorale, demagogji
Në vitin 2015 u shpërngulën nga Shqipëria 100.000 shqiptarë dhe kërkuan azil ekonomik nëpër Evropë, ngaqë në Shqipëri ka pllakosur mjerimi dhe papunësia është mbi 50 % të popullsisë. Në vitin 2016 kërkuan me Lotarinë Amerikane 250.000 shqiptarë të largohen nga Shqipëria, sepse e kanë të pamundur t’i mbijetojnë mjerimit dhe janë të papunë. Ky realitet i hidhur në Shqipëri, jo vetëm që nuk shikohet nga deputetët dhe ministrat socialistë, por injorohet me propagandë shterpë në Kongresin Elektoral të PS. Deputeti socialist Erion Braçe, në Kongresin Elektoral të PS, edhe pse pranon që premtimi për punësim në 4 vjetët e qeverisjes së Rilindjes Socialiste u zbatua 60 %, premton se në 4 vitet e ardhshme do të hapen 220.000 vende të reja pune. Shqipëria është vendi më i papërshtatshëm për investimet e huaja, për shkak të taksave më të larta që ka në Rajonin e Ballkanit, edhe pse rroga minimale është më e ulëta. Shqipëria është i vendi vend në Rajon, që në 3 vitet e fundit asnjë investitor i huaj nuk ka investuar asnjë dollarë. Bankat e niveleve të dyta nuk japin kredi për bizneset, pasi kreditë e kuqe (ato kredi që nuk kanë asnjë shpresë se do të shlyhen) janë në nivelet më të larta se në çdo vend tjetër të Rajonit, duke e bërë të pamundur iniciativën e biznesit për investime dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Në Shqipëri, në 4 vitet e Rilindjes Socialiste nuk u rrit asnjë qindarkë rrogat dhe pensionet, e megjithatë në Kongresin Elektoral të PS ministrat u zotuan se në 4 vitet e ardhshme rrogat do të rriten …40 %! Domethënë, aritmetikisht, 10 % çdo vit, kur ndërkohë çmimet në Shqipëri janë më të lartat se në Rajon dhe rroga minimale është më e ulëta.
Sigal