Ja pse Kryeministri, Edi  Rama ka rënë

749
Sigal

Analizë nga Vangjush Saro/ Arsyet  e rrënimit të Ramës dhe “Rilindjes” së tij janë tërësisht personale. Zgjedhjet vendore moniste të 30 Qershorit, kriza ekonomike, borxhi,papunësia,zgjerimi I lojës me PPP-të për llogari të oligarkëve, krimi, vrasjet,mungesa e komunikimit dhe  arrogance kanë sjellë trishtim për shqiptarët dhe e ka bërë të vështirë paqen

Vangjush Saro

Pse-të e rënies së Kryeministrit (?!)

Kryeministrit shqiptar, z. Edi Rama, po humbet aksione dita-ditës, le të themi është duke rënë; kjo po ndodh për arsye që nuk kanë të bëjnë detyrimisht vetëm me të: mungesa e përvojës demokratike dhe tejzgjatja e tranzicionit u përkasin të gjithëve. Por në një pamje më të plotë, shumica e arsyeve pse atij dhe Rilindjes nuk i shkoi mbarë, janë të vetat; për fat të keq. Dhe kjo është e dukshme, njerëzit janë mjaft të zhgënjyer. (“Një popull i strehuar brenda zërit të tij…” Xh. Xhojs) Në radhë të parë, të tilla arsye mund të cilësohen problemet, më saktë dështimet politike; ato kulmuan me dy humbje të rënda: Zgjedhjet vendore të kontestuara – alias moniste – të 30 qershorit dhe refuzimi për hapjen e negociatave me BE-në. Ngado ta vërtisë argumentin Kryeministri dhe ndihmësit e tij, nuk mund t’iu ikin këtyre episodeve të hidhura; (përveçse të ikin edhe ata vetë).

Së dyti, rrënimi i Kryeministrit dhe PS-së, lidhet me një sërë probleme e halle ekonomike, të cilave ai dhe qeveria e tij jo vetëm që nuk ua dolën mbanë, por edhe i përkeqësuan. Borxhi. Papunësia. Zgjerimi i lojës me PPP. Etj. Duke mos i lejuar vetes ‘vozitje’ në pista që të tjerë i njohin më mirë, mund të shtoj se ndjehem i shqetësuar duke lexuar analizat korrekte të disa emrave që i vlerësoj: Adrian Civici, Arben Malaj, Koço Broka. Por në pohime kritike gjejmë sot edhe një sërë organizmash e institucionesh të huaja. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë parashikuar uljen e rritjes ekonomike të Shqipërisë për këtë vit. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) gjithashtu parashikon që kjo rritje të jetë 2.8 %, duke bërë fjalë për një ulje prej 1.1 % në krahasim me raportin e saj të muajit maj. Siç vë në dukje edhe media shqiptare, duke vijuar me perfomancën jo aq pozitive të BERZH, për herë të parë një institucion ndërkombëtar ka përmendur edhe projektet e Partneritetit Publik Privat (PPP) si një arsye ‘për ngadalësimin e ekonomisë, për shkak se ato mbartin rreziqe për detyrime të mundshme’. Por ç’është më e rëndësishme, ndërkohë theksohet se këtyre projekteve ‘u mungon transparenca dhe përgjegjshmëria’.

Në po këtë temë, Instituti Vjenez për Studime Ekonomike vë në dukje gjithashtu parashikimin për uljen e ritmeve të ekonomisë. Por ky institucion prestigjioz nënvizon edhe pasojat e ikjes së të rinjve jashtë vendit dhe druan se… vonesa e hapjes së negociatave me BE-në mund të ndikojë në lënien pas dore të reformave. Ndërkaq, historitë e vjetra me shpërblime militantësh, oligarkësh, si dhe mungesa e një strategjie të qartë për zhvillimin e vendit, e ngarkojnë edhe më situatën. (Kësaj i thonë: A doni më për Belulin (?) siç pyeste personazhi i Qamil Buxhelit në tregimin e njohur.)

Më së fundi, Kryeministri bëri tatëpjetë, po bën tatëpjetë ende, për shkak të problemeve sociale që shkaktoi qeverisja e tij, por edhe për shkak të problemeve të komunikimit jo më pak; dhe ato i përkasin ngushtësisht atij. Nuk mund të them nëse u lodh ai dhe ekipi i tij apo problematika ishte dhe mbetet mjaft e vështirë. (“Herë-herë është e pamundur ta mbash brenda vetes rrjedhën e jetës.” P. Coelho) Por Kryeministri, gjithsesi, ‘nuk po mbushet dot me frymë’. E kam nënvizuar edhe në ndonjë rast tjetër, z. Rama e shkruan dhe e flet shumë mirë gjuhën shqipe, përjashto faktin që e konsumon tejet veten. Por kohët e fundit, në disa biseda në studio televizive të ndryshme, z. Rama është shfaqur shumë nervoz, po ashtu cinik, mbytës i çdolloj kritike. Më bëri përshtypje një nga këto ‘mbrëmje politike’ – nga të paktat që unë kam ndjekur – ku ai u përplas me analistin M. Nano, që fundja në përgjithësi ka qenë në krahun e socialistëve e të Kryeministrit. Në momentin që Nano, i fundosur në kolltukun e studios, këmbë mbi këmbë, ashtu pak snob siç është, u shpreh se vendi i tij po i dukej i mjerë, gjithnjë më i mjerë, Kryeministrit i hipën xixat. Po ç’është kjo, u nxeh ai, na rri kështu gjysmë shtrirë, këmbë mbi këmbë edhe… vend i mjerë, po pse qenka i mjerë…

Këto ishin pak a shumë, por edhe të tjera, që nuk jam i detyruar as t’i mbaj mend e as t’i citoj, se në to kishte vetëm gjaknxehtësi dhe inat. Më shumë se ‘tangërlliku’ i zakonshëm i Muçit, Kryeministrit i dogji fjala ‘i mjerë’. Këtu humbi komunikimi. Kolegu ynë, nga ana e tij, filloi një muhabet me ‘poturet e Kryeministrit’; ky u mbrojt për poturet dhe për ‘mjerimin’ e vendit duke sulmuar e, kështu, ç’je ti, ç’jam unë… argumentet humbën. Argumente nuk kishte më. Por ka mote që nuk gjenden argumente. Dhe Kryeministri vetë i fshiu ato, edhe këtë herë, me sjelljen e tij dhe me tërbimin e tij. Kohët e fundit, ai e bën gjithnjë dhe më shpesh këtë: iu ikën argumenteve dhe merret me gjërat e jashtme, me sjelljen, me gjestet, me ‘më the të thashë’…

Duke kërkuar ndjesë që u zgjata pak, po kthehem sërish, pa ndonjë dëshirë të madhe, te tatëpjeta e Kryeministrit. Problemet e vendit dhe ato të oligarkëve janë të ndryshme; prandaj nuk gjejnë qetësi PS dhe kryeministri i saj. Ka një mungesë qetësie dhe njëlloj padurimi, për të parë diçka më ndryshe, në të gjithë relievin e vendit. Ky presion i jetës dhe punës në pasiguri, që rritet edhe më nga mediat dhe politika, por edhe nga ngjarje të egra si atentatet dhe vrasjet (kujtoni atentatin e fundit, por edhe Santon e të tjerë emra që burojnë trishtim) e ka bërë të vështirë paqen. Edhe shpresën. (“Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe tragjik.” Isadora Duncan)

Tatëpjeta nuk është domosdo edhe e PS-së, edhe e shoqërisë shqiptare; është edhe e tyre, por më së pari është dhe mbetet e Kryeministrit. Sidoqoftë, ka kohë për t’u kthyer te argumentet, për të kuptuar që punët kanë ngecur keq, që vendi do një zgjidhje e, në perceptimin e shumë qytetarëve, ku e gjen veten edhe autori i këtyre radhëve, argument është ndryshimi i kësaj qeverie, i kreut të saj, kufizimi te një reformë zgjedhore, mbase edhe krijimi i një trupe të përkohshme qeverisëse që të përgatisë zgjedhje të parakohshme.