Ivana Tomço/ Reformimi i Televizionit Publik kërkon guxim

233
Sfidat në jetë janë normale, njerëzit gjithnjë kanë bashkëjetuar me to. Ajo për të cilën unë shqetësohem, është varfëria shpirtërore, kulturore, simbolike e njerëzve që duhet të mposhtin sfidat e sotme. Jetojmë në një mjedis ku mediokriteti, arroganca, zilia dhe paaftësia, janë ulur këmbëkryq. 
dhe ne ndihemi të pafuqishëm ta ndryshojmë situatën. Ne po bëhemi çdo ditë e më shumë, spektatorë pasivë të jetës sonë. Mjedisi ku gjendem jo rastësisht që prej 28 vjetësh dhe ku kam kaluar vitet më të bukura të jetës time, nuk i ngjan më asaj që kisha ëndërruar dhe për të cilën u përpoqa pa u kursyer. 

Kanali publik, i cili duhet t‘ i japë tonin jetës së shoqërisë, të edukojë shijet e publikut e të guxojë të sjellë risi, është kthyer sot në një strehë dembelësh të paaftësh, të cilët me anë të të vetmes armë të injorantëve, arrogancës dhe sjelljes së paskrupullt, tentojnë jo vetëm të mbijetojnë duke maskuar paaftësinë e tyre, por edhe të pengojnë me çdo kusht përparimin e medias drejt zhvillimeve të reja dhe orientimin e shoqërisë drejt risive. Realiteti, të cilit duhet t‘i bëjmë ballë sot dhe që duhet të shërbejë si kuadër shprehës i një logjike të re të ndërtimit të demokracisë për ne, krijuesit e Transmetuesit Publik, është problematika e transformimit të medias në një sistem të bazuar mbi pluralizmin e ideve dhe të shprehjes. Si media publike, në duhet të përmirësojmë dhe të promovojmë krijimtarinë tonë, duke krijuar debate, takime, biseda që janë shprehje e demokracisë së gjallë, të apasionuar dhe aktive, duhet t‘i bëjmë ballë e t‘i zgjidhim sfidat teknologjike, ekonomike, ligjore dhe të mos lejojmë më askënd të tallet me gjënë publike. Duke iu drejtuar njerëzve si qytetarë dhe jo si konsumatorë, duke kontribuar për të pasuruar demokracinë dhe përhapur kulturën në të gjitha nivelet, ne duhet të jemi në gjendje t‘i tregojmë publikut, i cili paguan për shërbimin tonë, që këtu bëhet fjalë për një shërbim serioz.

 Kanali publik, ky gjigand i shpërdoruar, i poshtëruar dhe i nëpërkëmbur, ndodhet sot përballë dilemës së madhe: A do t‘ i mbijetojë ai arrogancës dhe paaftësisë së krijuar kryesisht për shkak të ndërhyrjes së politikës apo do të vazhdojë të jetë megafoni i çdo partie që vjen në pushtet dhe strehuesi i farefisit të pushtetarëve? Kësaj pyetjeje, i duhet dhënë përgjigje sot, përpara se të jetë vonë. Për fat të mirë, rrjetet sociale i kanë transformuar tërësisht rregullat e lojës. Por, në këtë kontekst, meqenëse këto media informojnë në kohë reale, është e nevojshme të mbahen parasysh edhe rreziqet që mbart brenda një zhvillim i tillë, e të përpiqemi të minimizojmë manipulimin, mashtrimin, mediokritetin dhe abuzimin. Ajo që duhet të bëjmë sot, përballë sfidës së kalimit të transmetimeve analoge në numerike, është të përcaktojmë mirë objektivat dhe ta konsiderojmë mundësinë që po na ofrohet, si një shans të mrekullueshëm për të dhënë një imazh më të drejtë të realiteteve shqiptare. Kjo është e domosdoshme për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë. Televizionin publik mund ta bëjnë vetëm krijuesit. Kësisoj, besojani atyre! I lutem të gjithë vendimmarrësve që do të kenë në dorë fatet e audiovizialit publik, Këshillit Drejtues dhe stafit të ri që do të drejtojë në vitet e ardhshëm, ta shohin detyrën e re si sfidën e jetës së tyre, si një mision fisnik e të shenjtë ndaj vetes dhe shoqërisë! Le të bashkëpunojnë me krijuesit e mrekullueshëm, të cilët megjithëse të lodhur e të pashpresë, me siguri do të jenë përsëri gati t‘ja nisin nga zero-ja. I lutem gjithashtu politikanëve dhe njerëzve të tyre! Mjaft ndërhyrjeve tuaja në punën tonë!
Televizioni Publik mund mund të bëhet. Bëjeni, ose mbylleni fare!