Ismail H Xhaferri: E duam Shqipërinë si gjithë Evropa

26 vjet më parë

Zëri ynë gjëmoi si top,

Që nga jugu në very,

E donim Shqipen Evrop’.

 

 

Ndaj gjëmuan sheshet tona,

Ndaj u mblodhëm të gjithë bashkë,

Por na gjet, siç thanë qëmoti:

"Vamë për jonxhë e morëm kashtë"

 

 

Ndaj gjëmuan sheshet tona,

Tek Evropa sytë na mbetën.

Ne trokit e dera mbyllur,

Atë që kërkuam gjetëm.

 

 

Nga mitingu në miting,

Gjer në orët e mesnatës,

Por ky popull brengashumë,

Mori veç çelsat e kashtës!

 

 

Shpresa ndizej, shpresa shuhej,

Se dhe ne e kthyem rrotën.

Kush shante më shumë Enverin,

Me të madhe merrte kockën.

 

 

Dolën prapë kameleonët,

Siç kishin dalë nga hera.

I flakën teserat e kuqe

Dhe morën tesera të tjera.

 

 

Ndaj dhe shpresa shuhej-ndizej

Dhe për mua dhe për ty.

Ç’ishte thënë, u harrua.

Ç’qe pështyrë u lëpi.

 

 

Por sërish sheshet gjëmonin,

Dridhej toka amëtare,

Na premtuan lugë floriri,

Dhe na lanë pa lugë fare!

 

 

Kot gjëmuan sheshet tona,

Orë për orë e ditë për ditë,

Mirësevini, shokë hajduta!

Mirësevini, shokë banditë!

 

 

Nisi së prapthi epopeja,

Kudo tym kudo fortune,

Që nga jugu në very,

Shqipërisë zjarrin i vumë.

 

 

Nisi vala me shkatrrime,

Me të lojtur nga fiqiri,

Prish uzina, prish fabrika,

U rikthyem tek qiriri.

 

 

Nisi rruga pluraliste,

S’kishte diell, po acar.

Ai që vidhte më shumë,

Merrte titullin: Pishtar!

 

 

Lindi klasa e kusarëve,

“Kapni kusarin!”, thërrisnin,

Dhe Pishtarët e vërtetë,

Nuk i la njeri të ndrisnin.

 

 

Rruga jonë pluraliste,

E mbushur me plot çudi.

Dhe viktima dhe xhelati,

U bënë bashkë në një parti!

 

 

Lindën bejlerët e rinj,

Plot para e shërbëtorë,

Bashkëpunëtorët e fashizmit,

Na u shfaqën si shenjtorë.

 

 

Plot mashtrime plot gënjeshtra,

Luga nga duart na iku!

Shqipëria socialiste,

U bë Shqipëri trafiku!

 

 

Lindën super miliarderët,

Që ndërruan edhe gratë.

Eh ç’u vodh në këtë vend!

S’ka peshore që ta masë!

 

 

26 vjet me radhë,

Tjetër bëjmë, por tjetër themi.

S’dimë nga ikim, s’dimë ku shkojmë,

S’dimë as sa banorë jemi!

 

 

26 vjet me radhë,

Busulla drejtim nuk ka.

Populli do drejtësi,

Drejtësi gjëkundi s’ka.

 

 

26 vjet me radhë,

Presim të agojë mëngjesi.

Na mbiu kallashi mbi supe,

Na mbiu koburja tek brezi.

 

 

26 vjet me radhë,

Obobo, ç’na shohin sytë!

Burgjet plot me fukarenj,

Një i vrarë në katër ditë!

 

 

Prit me muaj prit me vite,

Ëndrrat për Evropë u tretën.

BE ja s’na qas në portë,

Atë që kërkuam gjetëm.

 

 

26 vjet me radhë,

Shumë zhurmë e shumë bujë.

Politika shqiptare

Ka bërë një vrimë në ujë...