Islam Spahiu/ Kali i Trojës në Tiranë

664
Lokucuonin latin Virxhili e vë në gojën e priftit trojan, Laokontit, birit të mbretit Priam, i cili me këto fjalë i paralajmëroi bashkatdhetarët e tij për rrezikun që i kanosej në qoftë se ata do të pranonin futjen brenda mureve të qytetit të rrethuar, kalin gjigant prej druri që grekët e kishin ndërtuar dhe pastaj e kishin lënë në bregdet para kështjellës, gjoja si dhuratë e perëndive. Mirëpo, duke mos i vënë veshin profecisë së Laokontit, trojanët, duke shembur një pjesë muri, e futën kalin brenda qytetit dhe bënë festë. Pas mesnate, luftëtarët, që fshiheshin në bark të kalit, dolën nëpër rrugë dhe, të ndihmuar nga ushtria rrethuese, bënë kërdinë duke e rrënuar krejtësisht Trojën. Që nga koha kur lindi kjo legjendë, shprehja latine është bërë proverbiale dhe përdoret sa herë që është fjala për të tërhequr vëmendjen ndaj rrezikut dhe mos t’i besohet kurrë një armiku, sado i dashur dhe fisnik që të duket. Para pak kohe u dha lajmi sensacional që ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, do të vizitojë Tiranën aty nga mesi i muajit korrik. Themi “sensacional” sepse në Samitin e Kryeministrave të Ballkanit që u mbajt në kryeqytetin tonë, homologu grek nuk “denjoi” të merrte pjesë; një gjest mospajtimi ky me politikën shqiptare. Atëherë, ç’është ky ndryshim i papritur?
Si i mbyturi që kapet pas flokëve të veta 
Tashmë është bëre e ditur botërisht kriza ekonomiko-politike që ka pllakosur Greqinë. Dihen edhe përpjekjet e dëshpëruara të saj për të shpëtuar nga fundosja. Partnerët europianë po hezitojnë në ndihmat që duhet t’i japin fëmijës plangprishës që e kanë përkëdhelur gjatë. Politika greke, e vetëdijshme për gjendjen, po bën çmos të shpëtojë, ashtu si i mbyturi që kapet pas flokëve të veta. Prandaj synojnë vendin tonë pa asnjë të drejtë me pretendimet më absurde. E kështu, Katziasi po vjen kaluar mbi kalin diplomatik, në barkun e të cilit ka futur 7 kërkesa, me anë të të cilave do të vërë nën zgjedhë vendin fqinj. Shumëkush te ne, e dinë lakminë e përhershme të Greqisë ndaj vendit tonë. Vazhdimisht kanë bërtitur për të ashtuquajturin “Vorioepir”, me të cilin emërojnë jugun e Shqipërisë. U qan syri për Korçën e Gjirokastrën. Dhe, çuditërisht, e morën përgjigjen në kohën kur në vendin tonë sundonte diktatura komuniste. Kujtojmë dy raste interesante: i pari me një fjalim të Enver Hoxhës, i cili deklaroi: “… në qoftë se monarkofashistët grekë do të prekin sadopak kufijtë e Atdheut tonë, ne do t’i kthejmë në kërma”. I dyti, kur erdhi për vizitë në vendin tonë Kryeministri i BS Nikita Hrushov; në atë kohë Shqipëria bënte pjesë në Traktatin e Varshavës e prandaj këtu u vendosën ca raketa atomike. Duke vazhduar vizitën, Hrushovi arriti në Butrint. Aty, dikush nga shoqëruesit i pëshpëriti diçka në vesh duke bërë me shenjë për të treguar që aty pranë ishte kufiri grek dhe që ky fqinj lakmon tokat shqiptare. Atëherë, Hrushovi tha me zë të lartë: “Në qoftë se Greqia pretendon tokat shqiptare, atje nuk do të bëhen më limonat e portokallet”. Por këta “trima”, as në rastin e parë, as në të dytin nuk u ndien të gjallë. Kështu mbaroi “trimëria” e tyre, po jo dinakëria. Këtë pat thënë Odiseja apo Uliksi sipas legjendës mitologjike, kur ushtritë greke, të lodhura, panë se nuk mund të mposhtej Troja dhe vendosën të tërhiqen. Këtë po përpiqen të bëjnë dhe odisetë e sotëm, por, a do t’ia arrijnë vallë qëllimit? 
Antikombëtarët e porositur nga Katovica
Gjithsesi, ekziston një premisë në favor të tyre. Pas shembjes së diktaturës, gjatë tranzicionit, vendi ynë u qeveris nga antikombëtarët e porositur nga Katovica. Së pari, u hoq pavarësia e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe iu dorëzua patrikanës së Athinës, duke u kryer kështu një tradhti e lartë. Më pas, u shit bregdeti në Jon, duke u kryer një tjetër tradhti e lartë. Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e hodhi poshtë marrëveshjen e detit, ata njohin vetëm vendimin e qeverisë Berisha. Megjithatë, pretendimeve të tyre, ministri ynë i Jashtëm, Bushati, u është përgjigjur prerazi: “Ne njohim vetëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese”. Ndërsa kryeministri Rama ka deklaruar hapur se: “Ne nuk bëjmë tratativa me interesat e Atdheut”. Sidoqoftë, “kalorësit” e sotëm grekë nuk heqin dorë nga pretendimet. Dhe është interesante: ata që heshtën para Traktatit të Varshavës, hidhen në sulm ndaj partnerit të NATO-s. Pa të shohim pak, cilat janë kërkesat që kanë futur në barkun e kalit të drunjtë? Janë shtatë:
1. Korrigjimi i skicimit të hartës për Marrëveshjen e Detit, i nënshkruar në vitin 2009 nga qeveria “Berisha”
2. Diskutimi për heqjen e ligjit të Luftës me Shqipërinë, e miratuar nga Greqia në 1987-n.
3. Respektimi i të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.
4. Ndërtimi i 3 varrezave për të rënët në Shqipëri.
5. Njohja e Kosovës nga Greqia.
6. Kërkesa që partia çame, PDIU, të largohet nga qeveria, pasi konsiderohet si një forcë nacionaliste që pengon raportet dypalëshe.
7. Mbështetje për integrimin europian të Shqipërisë.
Siç shihet, pika e parë kërkon të marrë dhe pika e dytë, si këmbim, jep. E kështu, të gjitha pikat paraqesin dhënie e marrje, domethënë një pazarllëk e asgjë tjetër. Ky është jo vetëm kërcënim, por edhe fyerje për dinjitetin tonë kombëtar. Dhe është për t’u habitur kur dëgjon një Arta Dade që shpall pajtimin me synimet greke duke përdorur formulën bajate të diplomacisë “Jemi të hapur për bisedime”. Pra, siç u hap muri i Trojës për të hyrë kali i drunjtë nga i cili u shemb e u rrënua qyteti antik. Për t’u çuditur është edhe Ilir Kulla në intervistën që ka dhënë në gazetën “Telegraf”; edhe ky thotë të njëjtën gjë.
E gjithë kjo çështje na kujton propozimet e Hrushovit për të nënshkruar një traktat mes fuqive pushtuese të Gjermanisë, duke vënë kushte të tilla që siguronin sundimin e plotë të BS. Siç dihet, fuqitë perëndimore e hodhën poshtë me përbuzje kërkesën sovjetike. E është e fortë, mbi të gjitha, elokuenca e gjeneralit dë Gol, i cili pak a shumë tha kështu: “Në fillim do të na kërkojnë kapelën, pastaj bastunin, pastaj xhaketën e këmishën e, më në fund shpirtin”. Lëshimet, duke ndjekur njëra – tjetrën, precipitojnë në disfatë totale. Pra, asnjë lëshim! Lenini, si gjeni, edhe pse diktator e antidemokrat, ka thënë që në çdo kompromis fiton vetëm njëra palë. Kjo është përvoja historike e, në qoftë se nuk përfillet, atëherë, le t’i lëmë paralajmërimet e laokontëve mitologjike dhe të dëgjojmë poetin tonë të madh kombëtar, patër Gjergj Fishta: “Por, po ndodhi që vjen dita /që me faj Shqypninë e dani /qi për pare marrí tjera – Si ndër kohe që shkuen – Atëhera,/u marroftë i madhi Zot!”. (Mrizi i Zanave: “Shqypnija e lirë”)
Sigal