Irma Kurti: Në pragun e një dhimbje

579
Sigal

Irma Kurti, ndalet me
krijimtarinë e saj “Në pragun e një dhimbjeje”

 

Poetja dhe shkrimtarja
e mirënjohur Irma Kurti prezantohet përpara lexuesit shqiptar me librin e saj më
të ri titulluar: “Në pragun e një dhimbjeje” që vjen nën siglën e Shtëpisë Botuese
“Ada”.  Kjo përmbledhje me poezi ndahet
në dy pjesë: “Radiografia e jetës sime” dhe: “Nëse dashuria është kjo”. Malli,
nostalgjia, dëshira për të gjetur paqe e qetësi në gjirin e natyrës, dhimbja e
zhgënjimet nga marrëdhëniet shoqërore janë disa nga temat kryesore. Në pjesën e
dytë përfshihen poezi kushtuar dashurisë, raportit me njerëzit e afërm që nuk
janë më etj. Në parathënien e librit të shkruar nga Adele Donini veçojmë: “Poezitë
e Irma Kurtit janë vetëm në dukje të mbuluara nga një atmosferë nostalgjie dhe
trishtimi. Poetja i do çastet e gëzimit dhe i kërkon në mënyrë të vazhdueshme;
së kaluarës, të errësuar nga ngjarje sociale e private të vështira tenton t’i
kundërvërë momente të paqes dhe qetësisë. Është ky një kërkim i qëndrueshëm dhe
këmbëngulës i rrethanave të jetës së vërtetë, të distiluara nga lot dhimbjeje
dhe durimi. Kuptohet nga rrokëzimi i ndjenjave midis shpirtit të saj dhe
natyrës që e rrethon: një lëndinë, një qiell me yje, dielli ose më mirë, mijëra
diej të vegjël, retë e kuqe të perëndimit të diellit… Lexuesi është i
privilegjuar, sepse përfaqëson atë, të cilit Irma Kurti i beson veten, i
konfidon motivet e dhimbjes së saj, të nostalgjisë dhe të perceptimit dehës të
lumturisë.” Libri: “Në pragun e një dhimbjeje” i botuar në vitin 2016 në gjuhën
italiane (Sulla soglia di un dolore), u vlerësua si “Libri më i mirë” në
Konkursin “Poem Academy Awards 2016”, ideuar dhe organizuar nga Akademia e
Artistëve në Napoli. Irma Kurti ka botuar 14 libra në gjuhën shqipe dhe tetë në
gjuhën italiane. Librat e saj janë përkthyer edhe në anglisht, frëngjisht e
spanjisht. Ka fituar 30 çmime e vlerësime të ndryshme në konkurse ndërkombëtare
letrare në Itali dhe në Zvicër.