Irma Kurti: Në pragun e një dhimbje

Irma Kurti, ndalet me krijimtarinë e saj “Në pragun e një dhimbjeje”

 

Poetja dhe shkrimtarja e mirënjohur Irma Kurti prezantohet përpara lexuesit shqiptar me librin e saj më të ri titulluar: “Në pragun e një dhimbjeje” që vjen nën siglën e Shtëpisë Botuese “Ada”.  Kjo përmbledhje me poezi ndahet në dy pjesë: “Radiografia e jetës sime” dhe: “Nëse dashuria është kjo”. Malli, nostalgjia, dëshira për të gjetur paqe e qetësi në gjirin e natyrës, dhimbja e zhgënjimet nga marrëdhëniet shoqërore janë disa nga temat kryesore. Në pjesën e dytë përfshihen poezi kushtuar dashurisë, raportit me njerëzit e afërm që nuk janë më etj. Në parathënien e librit të shkruar nga Adele Donini veçojmë: “Poezitë e Irma Kurtit janë vetëm në dukje të mbuluara nga një atmosferë nostalgjie dhe trishtimi. Poetja i do çastet e gëzimit dhe i kërkon në mënyrë të vazhdueshme; së kaluarës, të errësuar nga ngjarje sociale e private të vështira tenton t’i kundërvërë momente të paqes dhe qetësisë. Është ky një kërkim i qëndrueshëm dhe këmbëngulës i rrethanave të jetës së vërtetë, të distiluara nga lot dhimbjeje dhe durimi. Kuptohet nga rrokëzimi i ndjenjave midis shpirtit të saj dhe natyrës që e rrethon: një lëndinë, një qiell me yje, dielli ose më mirë, mijëra diej të vegjël, retë e kuqe të perëndimit të diellit... Lexuesi është i privilegjuar, sepse përfaqëson atë, të cilit Irma Kurti i beson veten, i konfidon motivet e dhimbjes së saj, të nostalgjisë dhe të perceptimit dehës të lumturisë.” Libri: “Në pragun e një dhimbjeje” i botuar në vitin 2016 në gjuhën italiane (Sulla soglia di un dolore), u vlerësua si “Libri më i mirë” në Konkursin “Poem Academy Awards 2016”, ideuar dhe organizuar nga Akademia e Artistëve në Napoli. Irma Kurti ka botuar 14 libra në gjuhën shqipe dhe tetë në gjuhën italiane. Librat e saj janë përkthyer edhe në anglisht, frëngjisht e spanjisht. Ka fituar 30 çmime e vlerësime të ndryshme në konkurse ndërkombëtare letrare në Itali dhe në Zvicër.