Inxh. Ilmi Gjana/ Analfabetët largojnë specialistët e pyjeve

655
Pyetje që po rëndojnë si një ankth i frikshëm dhe ndoshta i pafundmë mbi ndërgjegjen e pylltarëve shqiptarë. Të atyre që u shkolluan në bankat e Shkollës së Mesme Pyjore, Shkodër dhe vazhduan punën në shërbim të pyllit e ekonomisë shqiptare ose vazhduan të thellojnë studimet në Fakultetin e Pyjeve Kamzë, Tiranë, e më pas filluan të kontribuojnë në zhvillim e ekonomisë pyjore, të shkencës së saj etj. Gjurmët e mendimit tekniko-shkencor, projektimit, ndikimeve praktike në ekosistemin e pyjeve shqiptare tanimë është pasqyruar në dhjetëra libra, shkrime të natyrave të ndryshme në organet e shtypit periodik, revistave, buletineve, në konferencat kombëtare e ndërkombëtare, në filmat dokumentar, në ekspozitat fotografike, piktura etj. Të gjitha këto do të mbeten të skalitura në analet historike të pylltarisë e historisë shqiptare, si dëshmi e një pune të organizuar mirë, si një vepër me vlera të mëdha për kohën ku jetojmë, të ardhmen e brezave të natyralistëve e studiuesve shqiptarë dhe shembull praktik organizimi e zhvillimi të saj. Përgjigjen më konkretisht do ta fillojmë nga fundi, dhe më pas do të ngjitemi, për të kuptuar në thelb, së çfarë duhet të bënin e çfarë mund të bëjnë pylltarët shqiptar në këto momente, ku “fshesa” e hekurt, e thurur me tela me gjemba, i fshiu nga jeta, nga puna pylltarët e shkolluar nga burimet buxhetore të këtij shteti. Demokracia shqiptare u ngrit mbi themele të brishta, u kuptua si një luftë për të fituar kolltukët e parlamentit apo të qeverive dhe në të gjitha shkallët hierarkike në skemat e funksionimit të shtetit e të ekonomisë. Ajo që u ndërtua nga komunizmi, u zhduk e u dhunua barbarisht, por bashkë me të u përdhos, morali, ndërgjegjja, e si pasoje u varfërua popullsia deri në palcë, dhe ato pak prodhime u konsumuan në bashkësinë e ngushtë, fshatari u kthye në bujkrob e qytetari më shumë i papunë ose punëtor me mëditje. Eksodet masive me anije, gomone, me këmbë e makina boshatisën qytete e fshatra. Tajfunet shkatërrimtare, ushtruan një forcë të jashtë zakonshme edhe mbi pasurinë pyjore, në emër të teknologjive të reja, të infrastrukturave të domosdoshme për zhvillim, në mosfunksionimin e ligjeve dhe të vetë shtetit, në lëvizjen e pakontrolluar të banorëve shqiptarë etj. 
“Rrëmbimi” i pylltarisë nga forca ciklonike e eksodeve
Pylltarinë e rrëmbeu kjo forcë ciklonike dhe e përplasi në shumë stacione vetëekzistence, në Zelandë të Re, e Argjentinë, në Francë e Australi, në Durrës e Elbasan etj. Ai me shpërbërjet e krijimin e qeverive, me ndërrimin e politikave me lënien jetim e të papërkrahur në rrymat e egra politike e mafioze së bashku për të grabitur me dhunë e shitur lëndën e drurit e prodhimet e tjera të pyllit për vete, ai mbeti i shokuar, i izoluar, i braktisur, i vrarë moralisht, i dërmuar shpirtërisht. Pylltarit i mbeti, largimi nga detyra, emigrimi jashtë vendit, vegjetimi në politikat edhe pse të gabuara në sistemet partiake, ose gjetja e formave të tjera për të punuar në pylltari. Pikërisht kur edhe në mes inxhinierëve e teknikëve të pyjeve, hyri “grindja” për idealet e partive, duhesh nga dikush (inxhinier apo teknik pyjesh) të kryhej organizimi i shoqatave, i sindikatave, apo i konfederatave të shoqatave, për të ndërtuar një strategji e një politikë të aftë për të kundërshtuar veprimet kriminale, shkatërrimtare, ndaj pyjeve e pylltarëve. Pra mbi të gjitha duhej vënë “ideali i gjelbër”, duke mbledhur rreth vetes jo vetëm pylltarët, por masat e banorëve të malësive, ku po i grabitesh pasuria e tij dhe po i përgatitej rrënimi, shkatërrimi ekologjik dhe i jetës natyrisht, si dhe largimi nga gjiri i natyrës, brenda ose jashtë vendit. Kjo duhet të ishte bërë duke shfrytëzuar traditat e popullit, ligjet e vendit, dokumentacionin e kadastrave, për një reformë urgjente e të ligjëruar me të dhëna kadastrale të vetë pronësisë mbi pyllin. Si modus vivendi për të mbrojtur pyjet, për të shfrytëzuar ato mbi teknikën silvikulturale, e përdorur të ardhurat për banorët e malësive për të mundësuar jetesën. Pra, politikanët shqiptar, duke shfrytëzuar paaftësinë organizuese, mefshtësinë e përfaqësuesve të pylltarëve, që nga deputetët inxhinierë, e deri në celulat e tjera të organizimit administrativ, arsimor e shkencor, erdhi një moment që partitë e majta i dhanë me forcë motorike të fuqishme “fshesës së hekurt”, duke hedhur në mes të ushtrisë së të papunëve, ajkën e pylltarëve shqiptar, shërbëtorëve e kujdestarëve të pyllit, e zëvendësuar ato paturpësisht me analfabet. Qëllimi sipas tyre ishte goditja e korrupsionit brenda armatës të së gjelbrës. Por kjo ishte një ide e pabazuar sepse ato krijuan kushte lehtësuese e konkrete për shkatërrimin e mëtejshëm të pyjeve, grabitjen e investimeve që akordoheshin gjoja për pyllëzime, sistemime malore, përmirësime pyjesh, luftën kundër dëmtuesve etj. Apo për t’iu lënë liri kultivuesve të kanabisit në sipërfaqet pyjore anembanë vendit, siç e tregojnë kronikat e informacionet e shtypit, radios, televizionit etj. Pra mungoi bashkëpunimi, uniteti, bindja në idealin e gjelbër, ndihma qe iu duhej dhënë pylltarëve të papunë padrejtësisht e të gjithë armatës së blertë, për të organizuar aktive zonale e kombëtare mbi pyjet, për të përdorur të gjitha mjetet e propagandës e deri në organizimin e demonstratave në qarqe, rrethe e deri në bulevardin Dëshmorët e Kombit në kryeqytet, me programe zhvillimi e organizimi të pylltarisë sipas përvojës botërore. Përçarja që shkaktuan bindjet politike ndërmjet inxhinierëve e teknikëve të pyjeve, mbyllja në egoizmin e shikimi dhe veprimi vetëm për interesat e tyre, frika e terrori qe shkaktuan largimi nga puna i shumicës së tyre që kundërshtuan ministrat e korrupsionin e tyre, e zbehu iniciativën, e ndërpreu guximin, e errësoi profesionalizmin, e thelloi mosbashkimin, e kështu vetvetiu pylltaria shqiptare nuk ka ende ligje serioze e të kohës, nuk ka organizim strukturor si shtetet perëndimore, nuk ka vendosur ende pronësinë mbi pyllin, nuk ka kadastër pyjore, nuk kryhet mbarështimi i ekonomive pyjore etj. 
Duhet organizim për demaskimin e politikës shkatërrimtare të pyjeve
Pylltarët e papune duhet të organizohen, (sepse akoma nuk është vonë), të gjitha shoqatat e pyjeve, mjedisit, ekologjisë apo organizata sindikaliste, ku të kërkojnë të drejtat e tyre të mohuara padrejtësisht. Të luftojnë me të gjitha mënyrat për demaskimin e politikës shkatërrimtare të pyjeve, nëpërmjet, guroreve, fabrikave të çimentos, shfrytëzimit barbar të pyjeve që kanë mbetur, dëmtimin e sipërfaqeve pyjore nëpërmjet traseve të rrugëve, tuneleve, hedhjes së dherave e gurëve përgjatë traseve rrugore në ndërtim etj. Kjo duke shfrytëzuar intensivisht makinën gjigande të propagandës, emisioneve në radio e televizione, rrjeteve sociale, organizmi i aktiveve, mbledhjeve, shkrimi i artikujve në organet e shtypit dhe deri në organizimin e demonstratave rajonale e në kryeqytetin shqiptar. Kryerja e të gjithë kësaj propagande në drejtim të diskriminimit të pylltarëve, të vazhdimit të prerjes së pyjeve, të shpërdorimit të investimeve duke u majmur me ato, qeveritarët e bashibuzukët e tyre, do të zgjoi nga gjumi e shkund qeveritarët e sotëm, dhe do të verë partitë opozitare në radhët e para të luftës, për të vënë mbi baza të shëndosha ligjore, organizative e pronësore të pyjeve. Koordinimi i gjithë kësaj morie veprimtarish e pune intensive, me shoqatat e mjedisit, të pyjeve, gjuetarëve, pylltarëve, specialistëve, institucionet arsimore shkencore në të gjithë vendin do të shtoi përkrahësit, e rriti pjesëmarrjen në këtë luftë të shenjtë për të shpëtuar pasurinë pyjore nga zhdukja përfundimtare, gjë e cila do të çoi në një katastrofë ekonomike, klimatike dhe njerëzore të pashmngëshme. Tërheqja e investimeve të huaja nëpërmjet pjesëmarrjes e aktivizimit në shoqata e ndryshme, e lidhja e bashkëpunimit me ato ndërkombëtare është një realizim konkret i objektivit për të sfiduar kohën e politikën shkatërrimtare, që kanë projektuar politikanët shqiptar që prej një çerek shekulli. A nuk është shembulli i inxhinier Kleanthi Mandit në krijimin e një plantacioni me fidanë Paulonia, dhe shpallja e pyjeve të Zagorisë, Park natyror Rajonal, nëpërmjet një projekti serioz e thellësisht shkencor së bashku me inxhinier Gjon Fierzën, ku në bashkëpunim me disa organizma ndërkombëtare? A nuk është kjo për t’u ndjekur e zbatuar në shumë krahina të Shqipërisë e nga inxhinierët e teknikët që janë pa punë. Puna e vazhdueshme intensive e inxhinierit shkencëtar Ahmet Mehmetaj në punën e tij me shoqatën Ekologjike në Elbasan, për zbukurimin e qytetit, pakësimin e ndotjeve të Kombinatit Metarlugjik, në hartimin e projekteve e gjetjen e investuesve për rikrijimin e kurorës së gjelbër të qytetit të Elbasanit etj. Konferenca e organizatës “Albaforest” me temën “Pylltaria dhe tranzicioni”, u zhvillua e suksesshme, me pjesëmarrje të madhe, me diskutime me pjekuri shkencore, gjë e cila tregoi se pylltarët shqiptar janë dhe punojnë për zhvillimin në përputhje me ligjet ekonomike kapitaliste të pyjeve e kullotave. Shembuj të tillë kemi punën e inxhinierëve Jani Papa e Kristo Kauri në Sarandë, të Fatos Nakos në Berat. Veprimtaria e shkëlqyer në projekte në Pyjet Komunal të inxhinierit Genc Pina në Fier, të Abdulla Dikut me Parqet kombëtare, të inxhinierit Hazis Poria, në Burrel, Ilmi Gjanës në Kukës në punën e tij me hormoqin etj. Puna e shkëlqyer e Profesor Vezir Muharremit me Shoqatën e Pyjeve Komunal së bashku me inxhinier Rexhep Ndreun, Bora Kacanin etj, në nxitjen e pronarëve të vegjël të pyjeve për një drejtim silvikulturor të pyjeve të tyre, dhe së fundi puna për diskutimin e projektligjeve mbi pyjet. Pylltarëve shqiptar iu ka mbetur të bashkojnë forcat, të venë në funksionim të gjitha energjitë mendore e fizike, të organizohen, të denoncojnë shkatërrimin e pyjeve, të hartojnë projekte të ndryshme, të propagandojnë gjithçka mbi pyjet, të marrin pjesë gjallërisht e të gjithë, në diskutime mbi organizimin, mbrojtjen e pyjeve e zbatimin e ligjshmërisë mbi ato. Të kenë më shumë besim tek vetvetja e ndjenjën e bashkëpunimit në mes tyre. Pa luftë titanike nuk shkatërrohet çerdhja e politikës shqiptare, pyjet nuk vlerësohen e vendosen në pozicionin e duhur, në mozaikun e zhvillimit edhe pse të varfër të ekonomisë shqiptare një çerek-shekullore të demokracisë shqiptare.
Sigal