INJORANTËT APO KOMANDANTËT E PARLAMENTIT?!

1080
Sigal

Nga Gezim Zilja

Në emisionin e para disa ditëve, shumë serioz, qytetar dhe tronditës me titullin “Injorantët e parlamentit’’ u prezantuan një aradhë deputetësh të pa shkolluar të pajisur me diploma false të shkollës së lartë dhe një pjesë tjetër me diploma të shkollës së lartë por me tituj shkencorë të vjedhur e kopjuar si mos më keq andej e këndej Akademive të Evropës e Amerikës. Në një shtet demokratik, ata ose duhet të jepnin dorëheqjen ose në të kundërt duhet të mbronin veten. Për çudi edhe pse autorët e emisionit i futën në hale e i nxorën (tashmë ata kutërbojnë erë m… gjithandej) nga 140 deputetë të akuzuar ose jo, kurrkush nuk u prononcua as për mirë e as për keq. Kryetarët e partive si bashkëpunëtorë në këtë mashtrim nuk u ndjenë. Ky denoncim (apo demaskim) vlejti vetëm për thashetheme kafenesh dhe shprehjen e zemërimit të qytetarëve në bashkëbisedimin mëngjesor me popullin në disa televizione. Dua të them se çështja e shkollimit të deputetëve në parlamentin shqiptar nuk është thjesht çështje diplomash, sepse ai që do, ka gjithë jetën për të mësuar e për tu bërë i vlefshëm në një detyrë të caktuar. Emri i Abraham Linkolnit, President i SHBA-së, burrë i shquar shteti është bërë sinonimi i traditave më të mira demokratike të popullit amerikan. Nga një druvar analfabet ai ngjiti shkallët më të larta të dijes dhe arriti të bëhet një ndër personalitetet politike më në zë, që ka mbetur në histori veç të tjerave edhe si mbrojtës i paepur i interesave të fermerëve të varfër dhe i skllevërve zezakë. Tolstoi lidhur me figurën e Abraham Linkolnit do të shprehej ndër të tjera: “…Vuajtjet në jetë dhe përvoja e pasur e ndihmuan atë të kuptonte se dashuria për njerëzit (të afërmit) është më i madhi zbukurim i njeriut. Ai mbeti në histori siç mbeti Bethoveni në muzikë, Dantja në poezi, Rafaeli në pikturë, Krishti në filozofinë e jetës. Ai donte të bëhej i hyjnueshëm dhe ia arriti qëllimit.”

E përmenda figurën e Linkolnit për të theksuar se nuk është shkolla e lartë (sigurisht nuk flasim për analfabetë) ajo që të bën udhëheqës apo politikan të mirë e largpamës. Kryesore është ta duash vendin tënd, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e tij, njerëzit e tij dhe të punosh për mirëqenien e tyre. Edhe nëse ke mbaruar një shkollë të mesme ka aq shumë libra të të gjitha gjinive: filozofike, historike, politike, inxhinierike, ekonomike, juridike, etj etj. dhe mund të lexosh e kuptosh të ndash të vërtetën nga gënjeshtra, dashurinë nga urrejtja, të pajisesh me ide të reja, të propozosh e miratosh ligjet parlamentare. Nuk mendoj se injoranca e disa deputetëve (të pa shkolluar mjaftueshëm) është pengesë në parlamentin shqiptar. Problemi është shumë i thellë dhe kriminal. Ka një lidhje të hatashme, një simbiozë, një dashuri të konsoliduar midis dy grupimeve: të shkolluarve e të pashkolluarve. Këta të dytët sidomos pas vitit 1997 u pasuruan së tepërmi në rrugë të paligjshme. Krijuan lidhje të forta me pushtetarët; portat e atdheut u hapën kanatë nga deti, ajri e toka për trafiqet e paligjshme të drogës, prostitucionit, armëve, cisternat me karburante, vaporët me çimento, maunet me pajisje elektronike, domate e patate e deri te kripa e gjellës. “Do të bëhem vetë deputet se kam dhjetë vjet që u paguaj paratë këtyre qelbashëve në fushata, djathtas e majtas. Ia jap paratë atij të madhit të tyre dhe është punë e mbaruar’’. Këto fjalë i kam dëgjuar nga goja e një kontrabandisti të floririt të bardhë dhe drogës në qytetin tim. Kuptova gjithashtu se ky korb donte te zbardhte pendët e të shitej si pëllumb megjithëse qyteti e njihte me rrënjë e dhëmballë. Ia doli të bëhej deputet po pastaj e përjashtuan se gënjeu kur plotësoi deklaratën kundër kriminalizimit për pastërtinë e figurës.

Vërshuan deputetët injorantë në krye të listave të PS-së, PD-së, PDIU-së e ndonjë partie tjetër. U dyndën në parlamentin shqiptar badigardë, shoferë, skafistë, përdhunues fëmijësh, trafikantë e burgaxhinj, biba e pula me paratë e babit apo xhaxhit. Nuk e dinin kryetarët e partive sesi i kishin bërë paratë shumë nga kandidatët për deputetë? Nuk e dinin se ishin të përfshirë në trafiqe e krime? Është kaq e vogël Shqipëria sa komshiu më budalla e di edhe sa kg qepë ke në trastën që po çon në shtëpi.

A ka mundësi të mos dihen e njihen disa nga deputetët që rrezatojnë aq llum e trashësi në lëmin e diturisë e ligjeve, të organizimit e funksionimit të shtetit e janë aq gdhenj sa as plumbi nuk ua çan dot kafkën po bën rikoshetë? Atëherë çfarë i lidh këta të pashkolluarit me të shkolluarit? Drekat, darkat, aktivitetet, udhëtimet jashtë shtetit, dhuratat e shtrenjta, ryshfetet e majme, blerjet e votave, kryhen e financohen nga këta të pashkolluarit. Po këtyre nuk ua ha qeni shkopin dhe një gjë e dinë mirë: të mos fryhen së fituari para me rrugë jo ligjore por edhe të kenë ndonjë “as” nën mëngë si provë për të zgjuarit e të shkolluarit. Dhe ua fusin koqet në bigë këtyre të shkolluarve (gjoja të mençur) ministra e kryeministra nëse nuk u bëhen favore sepse sidoqoftë ata punojnë e rrezikojnë, ndërsa zyrtarët e lartë pasurohen vetëm duke vënë firma nga zyrat plot dritë e luks. Rrjedhimisht nuk janë injorantë por komandantë fuqiplotë të qeverisë dhe parlamentit.

Duhet thënë se ka dhe një grupim tjetër në parlament që nuk hyn në dy të parët. Po themi se këta janë me diploma të rregullta, jo mashtrues, jo hajdutë përderisa nuk ka fakte për të kundërtën. Jeta e tyre nuk është e zhytur në luks të pamerituar. Por është e vërtetë se ata bashkëjetojnë me grupimin e parë, e dinë se ata blejnë diploma, vjedhin doktoratura, shtrembërojnë ligjet e shtetit për trafiqe të paligjshme, përfitojnë në mënyrë të padrejtë nga paratë publike e bëjnë jetë përrallore. Fjala vjen ish-Ministrja e Arsimi e larguar kohët e fundit banon në rezidencën “Rolling Hills” në një vilë trekatëshe me vlerë mbi 600.000 euro. Janë shumë para edhe për një rrogë ministri. Atëherë pse nuk ngrenë zërin, pse nuk luftojnë këta deputetë të ndershëm kundër njerëzve mashtrues e hajdutë? Pse pajtohen me diktatorët e partive? Për një karton deputeti, për pak para, për pak pushtet? Po a ia vlen për rehatinë personale e familjare të tallet e nëpërkëmbet një popull i tërë? Kjo është liria, kjo është demokracia, kjo është vota e lirë, këto janë të drejtat e detyrat e një deputeti ndaj zgjedhësve? Kjo heshtje i bën ata jo më pak fajtorë se injorantët dhe të “mençurit” që kanë marrë peng parlamentin shqiptar.