Ina K. Zhupa/ Zgjedhjet dhe inkriminimi i të zgjedhurve

563
Komentet dhe analizat për humbësit dhe fituesit nominale, për peshën elektorale të partive mendoj se i takojnë më mirë strukturave partiake të secilës forcë politike. Por një analizë është edhe me e vlefshme sepse është për të gjithë qytetarët pa dallime partiake: A jemi ne pas këtyre zgjedhjeve më afër apo më larg BE? A e kaluam testin e demokracisë apo mbetëm në klasë? Raporti paraprak i zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR, si edhe mesazhet nga ambasada amerikane edhe ambasada e BE tregojnë që në këto zgjedhje u përdor mekanizmi i blerjes së votës, që tregon shumë për ne. Nuk tregon thjesht se ka disa njerëz që mund të shiten edhe të blihen por se këta njerëz janë në nevoja ekstreme dhe këto parti e dinë fare mirë këtë gjë edhe ju intereson kështu. Të gjithë kemi parë, në mediat sociale sidomos, kuponë për xhins, kemi parë celularë të porositur, kemi parë miell e makarona, kemi dëgjuar për njerëz që ju paguheshin dritat nga partia që ua u priste nga ana tjetër, kemi dëgjuar për të punësuar dy muajt e fundit për të garantuar votën e tyre, kemi dëgjuar lloj-lloj formash blerjeje. Po ashtu kemi parë edhe një spot të bërë nga një nga partitë që është pjesë e qeverisë që e pranonte blerjen e votës, nuk ka rëndësi nëse edhe të veten apo jo, po e pranonte që është si fenomen. 
Në këtë lojë dalin të humbur qytetarët, ata që u blenë për pak gjë dhe janë të ndërgjegjshëm për këtë por dhe ata që ju deformua vullneti falë këtyre mekanizmave. Të njëjtët burime thonë që u përdor presioni ndaj votuesve, formë tjetër e deformimit të demokracisë. Presionin mund ta bëj vetëm pushteti sepse ai të jep instrumente qoftë të natyrës së shkopit ose të karotës ose të kulaçit dhe kërbaçit. Nëse mirë atëherë kjo, nëse keq atëherë ajo. Edhe këtë e kemi parë të gjithë po ashtu, kryeministri që kërcënon drejtorët me vendin e punës, kandidati i Elbasanit që kërcënon mediat, policia që ishte në krah me kandidatët si për të treguar forcën e tyre, e raste të pafundme veprimet arbitrare në rrethe. Po ashtu raporti flet për institucione të politizuara, pra ato që duhet të jenë të pavarura, që duhet të jenë garancia politizohen edhe bëhen pjesë e lojës elektorale për qëllime politike. Për të gjitha ato që u shprehen në raportin paraprak, kryetari i komisionit të Punëve të Jashtme të PE, Elmar Brok, tha se nëse gjysma e raportit të OSBE është i vërtetë, rrjedhimisht i bie që zgjedhjet janë të falsifikuara. Por këtu nuk ka rëndësi falsifikimi i tyre në lidhje me fituesin që ato prodhojnë, nëse është PS/PD, këtu më shumë rëndësi ka imazhi i një vendi që është larg të qenurit demokratik. 
Zgjedhjet janë ato që bëjnë dallimin midis një diktature, një pseudo-demokracie dhe një demokracie funksionale. E nëse do të guxojmë të çmendemi, të mos jemi më aq evropian në kërkimin e standardeve, por t’i quajmë këto probleme si të vogla dhe të kapërcyeshme. Atëherë po me dekriminalizimin çfarë u bë? BE u investua duke marrë pjesë në negociatat për marrëveshjen e dhjetorit mes partive në kuadër të dekriminalizimit, BE po ashtu e shtoi dekriminalizimin si një kriter të ri në listën e atyre që duhen përmbushur për të hapur negociatat me vendin tonë, BE e shtoi në rekomandimet e rezolutës së fundit të miratuar për vendin tonë. Ambasada Amerikane tha shpesh dhe me alarm që në listat e kandidatëve kishte individë me rekorde kriminale. A reaguan forcat politike? PD tërhoqi nga gara një kandidat pasi dolën të dhëna për të, ndërsa nga mazhoranca qeverisëse me të gjitha partitë që bëjnë pjesë në te asnjë reagim. Ata u lanë të kandidonin, ata mbështetën veten siç dinë të bëjnë mirë strukturat e krimit që të fitonin dhe fituan. Po a fitoi vendi kështu? Ne humbëm sepse në sytë e SHBA, BE, kemi guvernatorë lokal njerëz të krimit, kemi në qeverisje lokale njerëzit të korrupsionit, të lidhjeve mafioze dhe klienteliste. Pavarësisht nëse këta do ishin të majtë apo të djathtë ne humbëm të gjithë njëlloj. Jemi më larg BE sesa ishim para zgjedhjeve, jemi më larg standardeve sesa ishim para zgjedhjeve, kemi një imazh më të keq sesa e kishim para zgjedhjeve. Këtu humbëm të gjithë.
Sigal