Ilirian Demiri/ Gërdeci, nyje ndarëse mes vrasësve dhe popullit të stërvarfëruar

620
Ishte një ditë e shtunë, një ditë pushimi që afër mesditës u kthye në një ditë ferri për të gjithë shqiptarët. Dhe mbeti kështu në historinë e këtij populli të vuajtur. Nga viti në vit, më shumë se vuajtjet, kjo ditë po u ngjall shqiptarëve mungesën e besimit te shteti. Sepse ky shteti i sotëm prej 8 vjetësh hesht, ndërsa refuzon të dënojë shkaktarët e vërtetë. Bile njërin prej shkaktarëve kryesorë, siç është Ministri i Mbrojtjes, një vit pas Gërdecit e gradoi sërish Ministër, bile të Mjedisit, duke vënë kështu në lojë gjithë shqiptarët. Edhe pse shpërthimi në fabrikën e demontimit të predhave në mesditën e 15 marsit të vitit 2008 solli 26 viktima, mes të cilëve edhe fëmijë, që ishin duke luajtur në oborrin e shtëpisë dhe shteti vazhdon të heshtë. Po kështu 400 persona të plagosur, ndërsa u evakuuan nga banesat e tyre mbi 4000 persona. Janë këto tregues që të nesërmen e tragjedisë duhej të kishin marrë një përgjigje. Një përgjigje, nga çfarë ka mbetur nga shteti. 

Po ky vazhdon të mungojë në Shqipëri, edhe tani pas 8 vitesh të tragjedisë. Për gjithë çfarë ndodhi në Gërdec, deri tani dënimet janë minimale nga kjo farë drejtësie shqiptare. Bile si për t’u tallur me viktimat, Gjykata Evropiane e të Drejtave të njeriut në Strasburg ka vendosur që Mihal Delijorgji, pronari i kompanisë së demontimit të municioneve në Gërdec, të dëmshpërblehet nga shteti shqiptar me 15600 euro, pasi është mbajtur në burg më tepër se afati i përcaktuar me ligj. Mjafton kjo gjobë për t’iu bërë e qartë të gjithë shqiptarëve se ç’monstra kemi në krye, se ç’monstra na kanë vënë në lojë gjithë këta vjet. Si mund të mendosh ndryshe, kur ky popull i zhytur në mjerim detyrohet të dëmshpërblejë një nga shkaktarët kryesore të kësaj tragjedie? Pavarësisht se kanë kaluar vite, të gjithë shqiptarët bëjnë pyetjen: Si u lejua nga drejtuesit tanë që fabrika e demontimit të ngrihej 100, apo diçka më tepër metra larg shtëpive të banimit? Të gjithë shqiptarët e dinë, se edhe një plumb pushke arrin të shpojë deri në 2000 metra Në sistemin e kaluar, kur gjithë populli ishte nën armë, sa herë bëheshin qitje, i gjithë mjedisi në këtë largësi bllokohej nga rojet.

 Që asnjë qenieje të gjallë të mos i shkaktohej dëmtim pa arsye. Ndërsa në këto vite të demokracisë, disa monstra të vënë në krye të punëve tona, nuk pyesnin as për jetë njerëzish, duke instaluar fabrikën e vdekjes vetëm 100 metra larg banesave. Ndodhi kështu, sepse mafia që shihte vetëm fitimin e saj, e kishte të sigurt se do të heshtej, çfarëdo të ndodhte nga politika idiote, që po e drejton këtë vend, që po shkretohet nga viti në vit, si rrjedhojë e largimit. U hesht edhe pse nga të gjithë dihej dhe kështu duhet të ishte e drejta, që shteti shqiptar ishte përgjegjësi i drejtpërdrejtë pse kishte lejuar kryerjen e veprimeve të demontimit dhe shkatërrimit të lëndëve plasëse dhe municioneve aq afër banesave, duke rrezikuar jetën e qindra qytetarëve të vet. Edhe pse ndodhi kështu, asnjë politikani nuk i hyri as gjembi në këmbë. Bile paturpësisht edhe ish – ministri i Mbrojtjes pas një viti të tragjedisë u gradua si Ministër i Mjedisit. Një turp më vete ky gradim, vetëm një vit pas tragjedisë së rëndë. Një turp, për të cilin askush nuk çeli gojën. Gërdeci edhe tani pas 8 vitesh ende pikon gjak. Dhe ende heshtet për të, edhe pse të gjithë e dimë se makina vrasëse e demontimit të predhave u ndërtua nga njerëz vrasës, që kishin vetëm fitimin për vete në qendër të vëmendjes. Ndaj dhe e ndërtuan fabrikën e demontimit, aty ku shpenzimet do të ishin më minimale dhe fitimi më i madh. Ndërsa rrezikun për jetën e njerëzve nuk e llogarisnin fare. Ishte kështu, pa në fabrikë punonin edhe fëmijë të vegjël. Një turp më vete ky i shtetit shqiptar. Për gjithçka çfarë ndodhi, vrasësit njihen me emër e mbiemër. Vetëm ne nuk kemi shtet, ndaj dhe na imponohet që të paguajmë edhe shkaktarët vrasës, si Mihal Delijorgji. Ndaj kemi të drejtë të themi: Ndodh kështu, se kemi vetëm një pseudo shtet. Gërdeci është një akuzë e rëndë për të gjitha strukturat shtetërore, të të gjitha krahëve.
Sigal