Ilir Vata/ Topi u bë i djathtë!

755
Në politikë çudirat nuk kanë të sosur, madje shkojnë përtej çmendurisë politike ku ndonëse me program partitë politike janë të djathta por nuk e kanë për gjë të përqafojnë programet e majta, madje dhe të bëjnë koalicion nga një ekstrem në tjetrin dhe tashmë kjo është një gjë krejt e zakonshme.Vetëm pak ditë pas zgjedhjes, kreu i FRD-së, Bamir Topi doli në një komunikim me publikun dhe deklaroi se ne mbetemi parti e qendrës së djathtë, fill pas mbarimit të zgjedhjeve ku ishte në kualicion me të majtën e qendrës dhe madje dhe me të majtën ekstreme siç janë disa parti komuniste. Por Topi në rrekjen për të bindur shqiptarët, paralajmëroi jo vetëm se FRD është parti e djathtë por se zgjedhjet e 2017-ës, kanë nisur tani për të lënë të nënkuptohet se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk do të jetë kualicion me të majtën. Aleanca e FRD me të majtën në aspektin e besueshmërisë politike e bëri që mbështetësit të ishin më të pakët, pasi numri i votave nga zgjedhjet e 2013-ës, me ato të 21 qershorit ishte më i pakët, kur në fakt duhet të kishte marrë trefishin e votave krahasuar me dy vite më parë, pasi dhe vetë zgjedhjet për qeverisjen vendore janë meritë e kandidatëve në bazë, sesa strategji e forcave politike dhe kjo është lehtësisht e konstatueshme, por Topi pësoi atë që pritej, humbjen e besimit tek mbështetësit. 
Ndonëse, FRD u krijua si parti me bazë nga qefmbetësit e PD-së dhe ata që nuk kishin gjetur veten te partia më e madhe opozitare, në këto zgjedhje shumë nga këta mbështetës zgjodhën të votojnë partitë e djathta tradicionale, që ndonëse me mbështetje të vogël shënuan më shumë vota krahasuar me zgjedhjet e dy viteve më parë. Në kualicionin e majtë pati dhe parti të tjera të djathta, madje dhe PDM e të përndjekurve politik, por në aleancën me të majtën ata rritën përfaqësimin politik dhe garantuan integrimin e tyre dhe nuk pësuan rënie, sepse filozofia e përkthimit në vota, qëndron te baza e mbështetësve, pasi në qendër të tyre qëndrojnë të përndjekurit, pronarët dhe ish-kulakët në kohë të diktaturës. Edhe pse të përndjekurit me PDM bënë aleancat politike me të majtën, nuk ua tjetërson qëndrimin politik apo lindjen e mosbesimit të mbështetësit, pasi dihet që të përndjekurit është hera e parë që marrin pjesë në zgjedhje kaq masivisht sa në zgjedhjet e 21 qershorit dhe ndonëse shënuan 3439 vota dhe katër mandate këshilltari, janë sërish në fillesat e një politike të djathtë që ka zënë fill tashmë në politikë. 
Topi kishte mundësi të mblidhte partitë e djathta që ti kishte si bazë e politikës së tij të djathtë, apo të tërhiqte nga PD-ja, deputet apo mbështetës dhe të dilte në zgjedhje si grupim i forcave të djathta, por bëri aleancën e duhur për vete, por jo për të djathtën, madje humbi dhe shansin e madh dhe mundësinë paszgjedhore me humbjen e opozitës dhe përplasjen e grupeve të deputeve dhe përcarjen në PD për t’u bërë porta pritëse e të paknaqurve. Dalja e Topit në këtë moment të volitshëm politik për të shfrytëzuar krizën e opozitës është e pabesueshme, madje një tentativë e dështuar e tij, për të bindur shqiptarët që është i djathtë. Topi është në të drejtën e tij të deklarohet i djathtë, por ne të përndjekurit i lutemi të na lërë të qetë, sepse nuk kemi nevojë të na përfaqësojë ai, që kur vuanim ne ishte në specializim jashtë shtetit, kur ne kërkonim hapjen e dosjeve ai si president nuk e dekretoi ligjin dhe fundja nuk është i përndjekur, ndërsa për deklaratën paszgjedhore do ta gjykojnë vetë mbështetësit, por për ne bëri gabim që u rreshtua si aleat i së majtës.
Sigal