Ilir Vata: Instituti i të Përndjekurve Politikë, vepër socialiste

862
Për hetimin e krimeve të komunizmit, Kodi Penal-Neni 67; “Nuk i nënshtrohen parashkrimit të ndjekjes penale krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit”

Pas rënies së Diktaturës dhe ardhjes në pushtet të demokracisë, krijohet Komiteti i të Përndjekurve Politikë që funksionoi për disa vite deri në vitin 1996 dhe hodhi fazat e para të përkujdesjes së shtetit për të përndjekurit politikë. Pavarësisht përvojës së pakët, u bënë mjaftë përpjekje për të institucionalizuar një qendër për integrimin e të përndjekurve, por pas ardhjes në pushte të socialistëve, pas trazirave të 1997, lindi dhe emri i Institutit të të Përndjekurve Politikë, ideuar në atë kohë nga ish-kryeministri Nano, që vinte si një kopje e huazuar e Institutit Marksist dhe që atëherë njihet IIPP. Interesant është fakti se që nga krijimi dhe deri më sot, në 20 vite jetë të këtij instituti të gjithë drejtorët janë emëruar dhe shkarkuar nga socialistët dhe asnjëherë nga demokratë dhe kjo situatë vazhdon edhe sot, pra ka shërbyer më shumë si një strehë politike se sa një institucion shërbesë për të përndjekurit, se roli i këtij institucioni është pa kurrë farë aksesi. Pa dashur të atakojë drejtuesit e saj, që në një farë mënyre kanë bërë aq sa ka mundur sepse vetë Instituti i të Përndjekurve ka qenë thjeshtë një institucion për të mbyllur gojën e të përndjekurve se sa për t’iu zgjidhur hallet dhe problemet atyre, sepse që në ideimin e këtij institucioni nuk ka qenë qëllim për të integruar të përndjekurit, por për të kontrolluar ato dhe pse jo për t’i përdorur politikisht. Vetë gjendja e të përndjekurve sot tregon seriozitetin e këtij institucioni, pasi nga ajo çfarë u takonte me ligj të përndjekurve, kanë marrë vetëm 1/5-tën e ligjshme dhe ende pas 27 vitesh përpëlitja vazhdon, bashkë me “ngrehinën” që gjoja u shërben të përndjekurve. Dëmshpërblimi i viteve të burgut për të burgosurit që janë gjallë që përllogaritet të jenë 2400 të burgosur, 2/3 kanë marrë këstin e shtatë ku dy këste janë marrë nga qeveria e demokratëve dhe 5 këste nga qeveria e fundit socialiste dhe nga këta janë më shumë se 600 të burgosur politikë që nuk kanë marrë asnjë lekë, sepse janë në kategorinë e quajtura dosje të vonuara dhe pritet ende që kjo pjesë të nisë të marrë këstin e parë?!. Trashëgimtarët e të burgosurve dhe të të ekzekutuarve nga diktatura komuniste kanë marrë një këst dëmshpërblim nga qeveria demokratike dhe këstin e dytë me pak se 1/3 me qeverinë socialiste dhe dëmshpërblimi vazhdon..?! Statusi i të burgosurve politikë, i titulluar i tillë nga ana juridike nuk ka asnjë vlerë, mbetet pa asnjë akses në jetën sociale, pasi nuk përfitojnë asgjë, qoftë pension apo benefice që ia delegon ligji, krahasuar me statusin e ushtarakëve në kohë të diktaturës që kanë të gjitha privilegjet të garantuara me ligj. Dëmshpërblimi u caktua si ditë burgu 17.5 dollarë ndërsa me ligj u takonte 50 mijë lekë dita e burgut, aq sa e morën persekutorët dhe eksponentët e diktaturës kur morën pafajësinë, ndërsa puna e papaguar nuk është llogaritur fare, pra është hequr nga e drejta e përfitimit, ndonse iu takon me ligj, pasi jo vetë kanë punuar si skllevër të detyruar nga kamxhiku i xhelatit, por kanë ndërtuar 36 vepra të mëdha sociale që i shërbenin ekonomisë së vendit. Puna në minierë nuk u njihet fare për pension, ndonëse kanë punuar si minatorë me punë të detyruar dhe nuk marrin asnjë gjë, madje as nuk kanë ndërmend që ta trajtojnë si çështje, ku janë të paktën 1400 të burgosur që janë gjallë dhe kanë punuar sa minatorët e lirë mbi 13 vite në minierë dhe nuk përfitojnë asgjë, madje dita e burgut në minierë duhet të llogarite 2 ditë për të burgosurit politikë, apo sipas ligjit penal 1.5 ditë-ditë e burgut duke mundësuar që kjo kategori të trajtohet me pension miniere. Nuk bëhet fjalë për qendra post-traume për t’u trajtuar në radhë të parë ata që dolën nga burgu me statusin A1 dhe të gjithë ata që kaluan hetuesinë, torturat dhe burgjet, e që vuajnë nga këto pasoja. Nuk bëhet fjalë më për bursa për fëmijët e të përndjekurve politikë, dhe asnjë zë për bursa jashtë vendit, sepse ato janë privilegj i fëmijëve të pushtetarëve, politikanëve dhe zyrtarëve të lartë fiks si në diktaturë. Nuk bëhet falë më për strehimin e kësaj kategorie kur janë qindra të burgosur pa shtëpi dhe qindra familje që banojnë ende në barakat e internimit apo jashtë fare. Nuk bëhet fjalë për punësimi e të përndjekurve, sepse politika ata i llogarit vetëm si votues dhe jo si qytetarë që dolën nga diktatura gjitha vraga e vuajtje dhe sot edhe të rinjtë që ishin dhe u shkolluan po dalin në pension pa punuar asnjë ditë në shtet, se hakmarrja vazhdon si më parë. Dokumunistizmi, proces që nuk ka nisur fare, por më shumë bëhet demagogji duke arnuar sa në një cep, në tjetrin, pra një proces i pa nisur që sjell pasoja të mëdha për vetë të përndjekurit dhe shoqërinë shqiptare, pasi diktatura ka shfaqur simptomat e saj në të gjithë jetën social-politike të vendit dhe shpesh herë edhe agresive, sa nuk kanë munguar eksponentë të diktaturës dhe vetë diktatori të ekspozohen në hapësira publike. Ende diktatori është hero kombëtar dhe së fundi i janë shtuar edhe 1200 eksponentë të diktaturës për të plotësuar diktatorin dhe ushtrinë e tij vrastare në një kornizim të vlerësuar nga shteti. Nuk bëhet fjalë për 7200 të ekzekutuarit nga diktatura nga sigurimi i shtetit, tinëzisht, natën e në fshehtësi dhe sot ata dergjen honeve të Shqipërisë, në skutat më të errëta, të kampeve dhe burgjeve të internimit. Edhe sot të afërmit e tyre nuk kanë mundësi të hedhin lule apo të ndalojnë vajin e nisur dekada më parë. Kampet dhe burgjet e diktaturës janë drejt rrënimit me qëllim që të zhdukin dëshmitë e krimeve të diktaturës, duke na e paraqitur regjimin komunist me dy standarde, madje jo aq të keq, kur në të vërtetë ka shënuar 143 mijë vite burg dhe internim dhe asnjë s’është dënuar, ndonëse ligji për t’u dënuar mostrat kriminale është në pozitë është aktiv dhe në fuqi. Ende nuk ka një hetim për krimet e diktaturës, ndonëse Kodi Penal në Pjesën e Posaçme, kreu I, ku flet për krimet kundër njerëzimit, pikërisht, Neni 73, Gjenocidi (Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79) citon se: “Zbatimi i një plani të paramenduar që synon shkatërrimin tërësisht apo pjesërisht të një grupi nacional, etnik, racial apo fetar i drejtuar kundër anëtarëve të grupit dhe i shoqëruar me veprat që vijojnë, si: vrasje me dashje të anëtarëve të grupit, dëmtime të rënda fizike dhe psikike, vendosja në kushte jetese të rënda që shkaktojnë shkatërrimin fizik, zbatimi i masave që synojnë pengimin e lindjeve, si dhe transferimi i detyrueshëm i fëmijëve të një grupi në një grup tjetër, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm”. Dhe në Nenin 74, Krime kundër njerëzimit (Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 8; ndryshuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 13) ku citon se: “Vrasjet, zhdukja me forcë, shfarosjet, kthimi në skllevër, internimet dhe dëbimet, si dhe çdo lloj torture ose dhune tjetër njerëzore, të kryera, sipas një plani konkret të paramenduar, ose në mënyrë sistematike, kundër një grupi të popullsisë civile, për motive politike, ideologjike, raciale, etnike e fetare dënohen jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm”. Ndërsa në vijim, neni 75, Krimet e luftës (Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 79), “Veprat e kryera nga persona të ndryshëm në kohë lufte, si vrasja, keqtrajtimi ose dëbimi për punë skllavëruese, si dhe për çdo lloj shfrytëzimi tjetër çnjerëzor në dëm të popullsisë civile ose në territor të pushtuar, vrasja ose keqtrajtimi i robërve të luftës, vrasja e pengjeve, shkatërrimi i pasurisë private ose publike, shkatërrimi i qyteteve, komunave ose fshatrave, jo të diktuara nga nevoja ushtarake, dënohet me heqje të lirisë jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm”. E të gjithë këtij cikli i vjen në ndihmë pikërisht neni, Neni 67, “Mos parashkrimi i ndjekjes penale, ku thuhet se: “Nuk i nënshtrohen parashkrimit të ndjekjes penale krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit”. Instituti i të Përndjekurve Politikë në këto vite është bërë edhe më pak i fuqishëm sepse varësia, zbret nga Këshilli i Ministrave dhe bie në vartësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë duke e bërë rolin e këtij instituti edhe më të vogël përballë kërkesave të mëdha të shtresë së të përndjekurve politikë. PDM ka kërkuar prej kohësh që institutet e të përndjekurve të jenë në rolin e një ministrie të vogël për të qenë vendimmarrëse në hartimin e projekteve të reja të njësuar me vendet e tjera evropiane që kaluan diktatura të ngjashme dhe praktikat janë të gjera për të kuruar të shkuarën dhe ndërtuar të ardhmen, pajtimin kombëtar e mundësuar jo vetëm integrimin e të përndjekurve politikë por të një shtrese të martirizuar nga regjimi komunist, pasi gama është dhe më e gjerë se aq sepse janë dhe ish- pronarët. Nuk është ende vonë për të ndërtuar një institucion që t’ju shërbejë të përndjekurve dhe jo partive, pasi tingëllon turpshëm, ideimi i sloganit të përndjekur nga socialistë dhe demokratë, praktikë e cila duhet të marrë fund, sepse të vuash pa bërë asgjë sepse shqiptarët menduan ndryshe nga diktatura është një krim që duhet ndëshkuar me ligje dhe duhen kuruar pasojat që la regjimi komunist dhe t‘i përdorësh ata si viktima të kohës moderne është edhe më e turpshmja politikisht.
Sigal