Ilir Vata: 22 milionë dollarë janë pasuritë e vjedhura te të përndjekurve, drejtësia të veprojë

758
Sigal

-Klanet e vjetër, mëkate të reja me të përndjekurit politikë-
Institucionet e reja të drejtësi të marrin në hetim ish-drejtuesit dhe drejtuesit e të përndjekurve politikë, pasuritë e vjedhura janë më shumë se 22 milion dollarë, sa buxheti i shtetit dhënë për të përndjekurit për vitin 2017-
Ashtu si politika e vjetër e ardhur nga e shkuara diktatoriale që ka prodhuar gjatë gjithë këtyre viteve konfliktualitet, pasiguri, paligjshmëri dhe kriminalizim politik e shtetëror edhe brenda të përndjekurve kjo sëmundje shfaq simptomat e dukshme të regjimit diktatorial, pasi i një fill i së shkuarës përshkon edhe vetë të përndjekurit që vuajtën nga regjimi komunist.
Më të ligët janë mbledhur në kohë tek të përndjekurit, spiunë të sigurimit, spiunë grekë e serb, të dënuar ordiner si pedofil, njerëz të përkëdhelur të diktaturës, drejtues të saj dhe nga më të pështirët e regjimit komunist kanë qenë drejtues të të përndjekurve dhe vazhdojnë në të njëjtin ritëm agresiv dhe dashakeq ndaj kësaj shtrese për ta denigruar dhe zhvatur atë deri në dhimbjen më të thellë.
Në fillimet e demokracisë ky grupim bëri të mundur konfliktin e të përndjekurve me partinë e parë opozitare, që ishte mundësia e vetme e bashkëpunimit politike, duke krijuar ndarjen politike dhe thelluar hendekun e përfaqësimit të të përndjekurve në politike thjesht për interesa të disave që synim kishin pasurimin e paligjshëm dhe jo integrimin e të përndjekurve.
E ndër vite vazhdoi ndarja e shfrenuar duke shënuar disa shoqata, madje edhe nga më të çuditshmet në emërtim të përndjekurit komunist dhe antikomunist dhe kjo ndarja vazhdon në emër të bashkimit edhe sot, pikërisht nga klani i vjetër i mbështetur po nga politika e vjetër, por kjo nuk është asgjë përballë asaj që kjo kategori njerëzish bëri me të përndjekurit politikë pas rënies së diktaturës dhe për 26 vite radhazi në tranzicion.
Palët politike rekrutuan më të ligët për t’i përdorur të përndjekurit si fasadë mbështetëse dhe si burim votash ndërsa të rekrutuarit përfitonin nga abuziviteti, parat që jepeshin për të përndjekurit, përfitonin nga çdo gjë që qeveritë në kohë jepnin për këtë kategori, e kështu ndër vite të përndjekurit u zhvatën në mënyrë çnjerëzore dhe në sy të të gjithëve.
Ndër vite janë vjedhur miliarda para nga fondi i dëmshpërblimit të të pushkatuarve, të të burgosurve politikë, janë vjedhur letrat me vlerë, strehimi i dhënë për të përndjekurit, madje hyrjet janë ndarë me çmim edhe për persekutorët, por marrëzia nuk ndalon, janë shitur të drejtat e studimit të të përndjekurve politike, madje është shitur dhe vetë vuajtja e të përndjekurve pikërisht te persekutori?!.
Vit pas viti, mediat dhe vetë institucioni i shtetit KLSH ka lëshuar relacione për vjedhjen e parave të të përndjekurve dhe shkeljet e faktuara janë fshehur nga palët, drejtësia e korruptuar dhe politika e vjetër e së shkuarës me të vetmin qëllim që shtresa e të përndjekurve të përdoret si makijazh për të fshehur krimet e diktaturës dhe më e turpshmja për të mashtruar të përndjekurit për votën e tyre.
Në këtë rrugëtim të pështirë e të lig, vetëm disa kanë përfituar dhe janë bërë milionerë me pallate, resorte turistike, dyqane, vila e pasuri të paluajtshme sa vetëm njëra palë e klanit përllogaritën sot të ketë pasuri mbi 22 milionë dollarë, më shumë se buxheti i shtetit për dëmshpërblimin e të burgosurve dhënë për vitin 2017 dhe institucionet shtetërore heshtin, ndërsa vazhdohet në të njëjtën rrugë atë të vjetrën e pështirë të abuzimit me të përndjekurit politikë.
Institucionet anti korrupsion të verifikojnë të gjithë personat që kanë drejtuar institucionet dhe shoqatat apo partitë e të përndjekurve dhe të vënë para drejtësisë abuzuesit realë të të përndjekurve, sepse ata janë më të liq se sa vetë persekutorët ,pasi janë pasuruar mbi vuajtjen dhe dhimbjen e mijëra të përndjekurve politikë.
Institucionet e reja të drejtësisë, Gjykata Speciale të marrë në hetim cilindo që ka vjedhur çdo qindarkë të të përndjekurve, çdo të mirë që qeveritë në kohë të ndryshme kanë dhënë për këtë kategori, sepse në 26 vite as 1/3 e dhënë për të përndjekurit nuk ka shkuar në destinacion, por në xhepat e disa njerëzve duke i bërë ata më të pasurit në Shqipëri dhe penguesit realë të të përndjekurve politikë.