Ilir META/ Të gjithë ata të cilët kërkojnë të vënë pikëpyetje mbi vlerat e LANÇ-it jo vetëm që bëjnë një faj të madh por i kundë

479
Sigal

Festimi i 70-vjetorit të formimit të Brigadës së 17-të sulmuese në Gjinar të Elbasanit bëhet edhe më i rëndësishëm kur jemi në prag të 70-vjetorit të çlirimit të atdheut. Kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme e cila i bashkon të gjithë shqiptarët, sepse kjo ngjarje evokon sakrificën më sublime që bënë 28 mijë dëshmorëve dhe dëshmoreve të Shqipërisë në emër të lirisë dhe atdheut. Në emër të një të ardhmeje më të mirë dhe më të drejtë. Një përshëndetje e veçantë i takon komunitetit të  veteranëve për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm për të promovuar këto festime anembanë vendit edhe pse në kushte të vështira. Në këtë jubile të 70-vjetorit të fitores mbi nazi-fashizmin unë dua të përshëndes pushtetin vendor, dua të përshëndes të gjithë familjet e dëshmorëve të atdheut, të përshëndes pasardhësit, ata që i ruajnë e i mbajnë të gjalla e do t’ i transmetojnë edhe në të ardhmen vlerat më të mira të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Duke respektuar dhe duke vlerësuar LANÇ-in, ne vlerësojmë vendin tonë, vlerësojmë historinë tonë, vlerësojmë atë të vërtetë që u la me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të atdheut në kohët më të vështira. Ne jemi krenarë si komb pasi në këtë 70-vjetor bijtë dhe bijat që luftuan kundër atyre që na pushtuan më 7 prillin e 1939, si dhe kundër ushtrisë hitleriane morën vendimet e duhura në një kohë mjaft të vështirë. Luftëtarët dhe heronjtë e kombit ditën të rreshtohen në kohë shumë të vështira dhe të turbullta, kur shumë vende të tjera nuk u orientuan drejt në anën e duhur, jo vetëm në anën e fitores, por edhe në anën e luftës kundër një diktature, kundër një genocidi, kundër një murtaje, e cila mori jetët e miliona e milionë njerëzve dhe e cila synonte të robëronte mbarë kontinentin. Masakrat e Hitlerit me kampet e përqendrimit dhe të shfarosjes, janë shembulli më kuptimplotë se përse Shqipëria ju bashkua ShBA-ve, Anglisë, Francës, Rusisë dhe shteteve të tjera që kishin si mision çlirimin e vendit dhe vendosjen e demokracisë së vërtetë. Si shqiptarë, si Kryetar i Kuvendit por përfaqësues i LSI-së jam krenarë, sepse ata e çliruan vendin e tyre vetë, teksa shtoi se Shqipëria është ndoshta vendi i vetëm në rajon që u çlirua duke u mbështetur tërësisht tek sakrifica e ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe e gjithë popullit shqiptar. Jo vetëm kaq por edhe kontribuoi edhe përtej kufijve të saj, duke dhënë një kontribut të çmuar dhe të njohur edhe ndërkombëtarisht. Dhe ishte kjo luftë e cila bëri të mundur mbrojtjen e sovranitetit të vendit, mbrojtjen e pavarësisë së vendit mbrojtjen e integritetit territorial të vendit. Prandaj të gjithë ata të cilët kërkojnë të vënë pikëpyetje mbi vlerat e LANÇ-it jo vetëm që bëjnë një faj të madh por njëkohësisht i kundërvihen frymës patriotike që karakterizoi Luftën Antifashiste NacionalÇlirimtare që nga Konferenca e Pezës në mënyrë të veçantë dhe deri më 29 nëntor të vitit 1944. Sot Shqipëria është anëtarë e NATO-s dhe një vend aktiv që lufton për të mbrojtur lirinë në një koalicion që lufton kundër mortajave të reja që janë shfaqur në botë në një koalicion që lufton për të mbrojtur vlerat më të mira të njerëzimit dhe të kontinentit ku ne jetojmë. Sot Shqipëria është kandidate për në Bashkimin Europian, një arritje e rëndësishme për të cilën ne jo vetëm duhet të krenohemi, por njëkohësisht duhet edhe të reflektojmë në mënyrë që të ecim më shpejt në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian duke u bashkuar për realizimin e reformave aq të domosdoshme të cilat në radhë të parë janë në interes të vetë qytetarëve shqiptarë. Sot Shqipëria ka nevojë për një zhvillim më të shpejtë, sepse Gjinari dhe Shpati kanë nevojë për t’i vënë në lëvizje më shpejt këto potenciale të mrekullueshme për të zhvilluar turizmin dhe agro-turizmin, për të rritur vendet e punës, për të përmirësuar kushtet, infrastrukturën, në mënyrë që të gjithë banorët e kësaj zone të jenë krenarë jo vetëm për historinë e lavdishme duke e vënë theksin te kjo datë shumë e rëndësishme sot që ka të bëjë me krijimin e brigadës së 17-të sulmuese, por njëkohësisht që edhe fëmijët e tyre të rriten më mirë dhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në këtë vend të mrekullueshëm. Ndaj në këtë 70-vjetor të Çlirimit të atdheut , një urim i veçantë shkon për të gjithë luftëtarët ,partizanët dhe familjet e dëshmorwve të Brigadës së 17-Sulmuese. Jetë të gjatë veteranëve dhe veteraneve tonë të dashura dhe përqafimet e mija më të ngrohta.

 “Rroftë 70-vjetori i Çlirimit të atdheut, lavdi Brigadës së 17-të Sulmuese!