Ilir META/ Së bashku për integrimin dhe të ardhmen e shqiptarëve!

549
Sigal

Vazhdimisht kemi dëgjuar të flitet në emër të Kushtetutës nga opozita, madje, edhe kërcënime se do të dilet me Kushtetutë në dorë, si herë pas here, kemi edhe dalje me Rregullore në dorë. Kjo është normale dhe për t’u përshëndetur, sepse në fund të fundit, demokracia është e bukur, e vështirë, por edhe interesante. Por duhet të kemi parasysh se, nga krahu i opozitës vetëm një deputet ka votuar për Kushtetutën edhe ai për të vetmen arsye, sepse në atë kohë nuk ishte pjesë e Partisë Demokratike, por e koalicionit të asaj kohe, që e bëri Shqipërinë me Kushtetutë përmes një referendumi mbarëpopullor; një referendum i bërë edhe në konsultim me Komisionin e Venecias, si edhe me ekspertët më të mirë të Europës. Fakti që sot opozita del në emër të kësaj Kushtetute tregon se, vendimi i marrë në atë kohë nga maxhoranca, duke mos pritur për konsensusin pafund të opozitës (edhe pse nuk ishte më i miri), ishte i drejtë, sepse sot opozita e sotme me të drejtë flet në emër të mbrojtjes së Kushtetutës, sepse besojnë se ajo është një Kushtetutë e standardeve europiane. Fakti që maxhoranca aktuale ofroi një superkonsensus për sa i takon realizimit të kësaj reforme, kishte të bënte, dhe jam i bindur, me vullnetin dhe me bindjen e saj, se ka qenë një reformë, që i ka munguar Shqipërisë për një kohë mjaft të gjatë. Me sa duket, opozita jonë nuk ishte në gjendje ta përballonte këtë sfidë dhe këtë peshë shumë të madhe të konsensusit, të cilën e garantonte vetë vendimi, që ishte në fuqi dhe që është ende, derisa të votohet propozimi për ta ndryshuar atë vendim, i cili bëhet vetëm për shkak të skadimit të afatit kohor të mandatit të këtij komisioni që nuk ka funksionuar për shkak të bojkotit nga ana e opozitës. Kemi dëgjuar që e gjithë kjo ka një prapavijë elektorale. Kjo është tërësisht e pavërtetë. Nuk ka asnjë prapavijë elektorale dhe nuk ka asnjë synim të prekë elemente të Kodit Zgjedhor pa konsensusin e opozitës, sepse ky ka qenë një rregull tashmë i vendosur në jetën politike të vendit. Ka paragjykime sikur ka ndonjë variant të bërë me kohë dhe që mbahet i fshehur. Edhe këtë, të jeni të bindur, do ta rrëzojë koha shumë shpejt. Jam i bindur me vetëfunksionimin e këtij komisioni, pavarësisht se nuk na vjen mirë që të ndërmarrim këtë vendim, por kjo bëhet për të çuar përpara një reformë që vendi e ka të domosdoshme për të cilën, jam i bindur që kohë më pas edhe deputetët e opozitës do ta vlerësojnë, siç vlerësojnë sot edhe Kushtetutën, sepse do të jetë një reformë transparente, që do të bëhet, në radhë të parë, në sy të të gjithë shqiptarëve. Është një reformë, që ka filluar, pavarësisht nga bllokimi i komisionit; është një reformë ku janë angazhuar të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë: SHBA-të, nëpërmjet USAID-it dhe me ekspertë mjaft të mirë, BE-ja, qeveria e Suedisë, ajo e Zvicrës, OSBE-ja dhe shumë institucione të tjera. Është një reformë që do të bëhet në bazë të kritereve, të cilat do të jenë publike. Njëkohësisht, është një reformë, që do të drejtohet edhe nga zoti Fino, i cili është një deputet me mjaft përvojë, konsensusal. Këtë e ka treguar kur ka qenë kryeministër në një kohë mjaft të vështirë, si edhe të gjitha eksperiencat të qeverisjes vendore dhe asaj qendrore. Jam i sigurt se opozita, pavarësisht se sot i mungon besimi dhe është e drejta e saj të mos ketë besim, besoj se, hap pas hapi, do të jetë më e interesuar të marrë pjesë; do të çlirohet nga paragjykimet nga vetë puna që do të bëjë ky komision dhe askush nuk e pengon opozitën që në çdo moment të bashkohet me këtë reformë. Është bërë e qartë që në rast se ajo bashkohet, komisioni do të funksionojë ashtu siç duhet të kishte funksionuar deri tani, por në çdo rast opozita ka të drejtë të paraqesë një variant alternativë. Në rast se ai variant alternativ do të jetë më i mirë se varianti apo variantet që do të paraqesë komisioni, nuk ka asnjë arsye pse të mos miratohet me konsensus edhe ai variant në Kuvend. Shqipëria nuk mund të vazhdojë me 400 kryetarë bashkish dhe me 400 kryetarë komunash, kur Kosova ka vetëm 37 kryetarë njësish vendore dhe nuk ka fare qarqe; Maqedonia ka rreth 70, Mali i Zi ka 25. Kemi 400 mijë probleme me menaxhimin dhe administrimin e ujit të pijshëm, të ujësjellësve, dhe të mbetjeve të ambientit. Kemi 400 mijë pengesa dhe burokracish ku një investitor për të marrë një leje në një komunë e ka shumë të vështirë të gjejë kryetarin e komunës, sepse ai është votuar në atë komunë, por jeton shumë larg komunës, në bregdet,dhe kthehet atje vetëm kur vijnë zgjedhjet. Ndërkohë, për të mbajtur me mijëra e mijëra këshilltarë, sikurse del qartë edhe nga shumë kontrolle të bëra, kanë bërë edhe për shkak të mungesës dhe vështirësisë për të kontrolluar gjithë këtë burokraci, mjaft abuzime duke filluar që nga ndihma ekonomike dhe mjaft çështje të tjera. Prandaj, pa u zgjatur më shumë, në rast se ka mundësi për të reflektuar, unë do të isha vërtetë shumë i lumtur, si të gjithë deputetët këtu, por për momentin hendeku duket që është i vështirë përderisa nuk u kapërcye për disa muaj, të kapërcehet për disa minuta. Besoj se ky hendek sidoqoftë kemi mundësi ta kapërcejmë së bashku me transparencë gjatë javëve dhe muajve që do të vijnë. Megjithatë për një gjë jam i bindur, që pas disa vitesh nga produkti i kësaj reforme do të dëgjojmë fjalë të mira nga opozita, siç dëgjojmë edhe sot për Kushtetutën e  miratuar shumë kohë më parë, edhe pse u bojkotua në atë kohë. Të shpresojmë për një reflektim në minutat e mbetura!

*Kryetari i Kuvendit dhe Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim