Ilir Meta: 2014-ta, vit i reformave të rëndësishme. Të lëmë përfundimisht pas tranzicionin

531
Sigal

Mblidhet Komiteti Drejtues Kombëtar i LSI-së

 Është mbledhur ditën e djeshme Komiteti Drejtues Kombëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo mbledhje e KDK-së ishte e para pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 23 Qershor të vitit të kaluar. Në fjalën e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, foli për arritjet e deritanishme të qeverisë së re dhe sfidat e saj në vazhdim, duke u nisur nga reforma administrative dhe territoriale. Në vazhdim mund të lexoni pjesë nga fjalimi i Kryetarit të LSI-së, z. Ilir Meta

Ky është një vit që unë do të dëshiroja ta cilësoja si një vit i reformave të rëndësishme, të mëdha dhe të pashmangshme. Ka ardhur koha që të ndahemi një herë e mirë me fenomenin e tranzicionit “tërhiq e mos këput”. Reforma administrative e territoriale është një domosdoshmëri. Në rast se vendi sot ka një prapambetje të theksuar sa i takon standardeve në një drejtim të caktuar kjo është pikërisht lidhur me situatën me të cilën ndeshemi sa i takon ndarjes administrative dhe territoriale të vendit. Është po ajo ndarje, e cila ka qenë që nga viti 1992 në zgjedhjet lokale të saj kohe dhe të mos harrojmë se edhe ndarja e vitit 1992 ishte një konvertim demografik i ndarjes, që ishte përpara me këshillat popullore të kooperativave dhe të ndërmarrjes bujqësore. Prandaj është domosdoshmëri që të ecim në këtë rrugë, sepse kjo është vendimtare për të prodhuar një pushtet vendor, që merr përgjegjësi, që ka kapacitet për planifikim strategjik të politikave zhvillimore, për menaxhim efikas të burimeve natyrore, ekonomike, financiare dhe njerëzore dhe nuk ka nevojë për qindra njësi vendore, një pjesë e mirë e të cilave i kalojnë të gjitha shpenzimet e tyre për gjëra që nuk shkojnë kurrë për dobi të qytetarëve dhe të banorëve. Dhe për këtë askush nuk duhet të ketë shqetësim se ka ndonjë prapavijë të mbrapshtë politike. Përkundrazi, synohet konsensus i plotë, synohet gjithëpërfshirja, synohet një reformë në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e vendeve nga ma të zhvilluarat evropiane dhe njëkohësisht edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që vendi të ketë një reformë administrative-territoriale që do t’i shërbejë të paktën për 20-30 vitet që vijnë. Ky ka qenë një vullnet i shprehur në të kaluarën edhe nga PD-ja, ka qenë edhe shumë më parë një angazhim i PS-së, ka qenë edhe i forcës sonë dhe i gjithë forcave politike. Tani është koha që ne të punojmë së bashku ndaj edhe e përshëndes edhe një herë iniciativën më të fundit për një komision parlamentar konsensual me dy bashkëkryetarë, me një nga maxhoranca e një nga opozita, me numat të barabartë të anëtarëve që të fillojë punën menjëherë në këtë drejtim. Do ndërmerren disa reforma, një nga këto padyshim që ka të bëjë me menaxhimin e ujit në vendin tonë, ka të bëjë me reformën që duhet të ndjejë i gjithë ky sektor, ku një vend nga më të pasurit me burime ujore nuk arrin dot të sigurojë ujë edhe për shumë qytetarë të tij, sepse mënyra e administrimit dhe tranzicioni që kanë pasur gjithmonë në këtë sektor ujësjellësit tanë, kanë bërë atë që të humben shuma të jashtëzakonshme fondesh, të shpërdorohet ujit të mos kenë qytetarët ujë dhe njëkohësisht të gjitha këto borxhe, të gjitha këto detyrime të rëndojnë padrejtësisht për shkak të këtij keq menaxhimi dhe të mungesës së reformave të duhura në këtë sektor në kurriz të gjithë qytetarëve shqiptarë. Njëkohësisht në fushën e energjisë, është një nga problemet më të mëdha financiare të buxhetit të shtetit dhe të ekonomisë sonë, është një problem që kërkon një vullnet të fortë politik. Siguria rrugore është një problem shumë i madh, është një problem tronditës për shoqërinë tonë. Janë bërë investime të jashtëzakonshme në rrugë dhe në infrastrukturë, por në fund të fare në sinjalistikë dhe në shumë elementë të tjerë të sigurisë rrugore ka një prapambetje të jashtëzakonshme. Natyrisht që zhvillimi i bujqësisë është një prioritet i jashtëzakonshëm, ky është sektor që ka nevojë për shumë reforma, ka nevoja për shumë përkushtim. Është një sektor ku vërtetë ende sipas statistikave jeton gati gjysma e popullsisë, bujqësia duhet konsideruar vërtet si çështje e të gjithë qytetarëve, sepse është zhvillimi ekonomik, është punësimi, është ushqimi, janë elementë mjaft të rëndësishëm, të cilët kanë një ndikim të veçantë edhe në të gjithë treguesit e tjerë makro-ekonomikë të vendit. Ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që kryereforma që duhet të bëhet është ajo e drejtësisë. Kjo është e qartë edhe në progres-raporti i Komisionit Evropian. Ne jemi të ndërgjegjshëm që është e domosdoshme që të bëhet një reformë e cila t’i japi drejtim të gjithë reformave. Natyrisht që kjo kërkon kohën e saj, kërkon konsensus dhe gjithëpërfshirje. Por kjo reformë nuk mund të jetë pronë vetëm e politikanë apo e Parlamentit, por duhet të jetë një reformë në të cilën të bëhet pjesë shoqëria dhe opinioni publik, në mënyrë që të gjithë të kuptojmë që kjo është një reformë e cila synon të vendosë një herë e mirë një standard të qartë të zbatimit të ligjit në Shqipëri, nga politikanët dhe nga qytetarët, por edhe nga përfaqësuesit e gjyqësorit. Për ne prioritet do të vazhdojë të mbetet punësimi i qytetarëve shqiptarë. Unë besoj shumë se Lëvizja Socialiste për Integrim i ka të gjitha mundësitë të punojë pa u lodhur për të ndërtuar frymë konsensusi në politikën shqiptare dhe në jetën publike, sepse është e rëndësishme që të krijojmë një klimë tjetër bashkëpunimi kudo, në çdo nivel. Unë besoj se ne do të tregojmë vullnetin e duhur për të bërë këtë shkëputje të rëndësishme dhe të fuqishme nga e kaluara, jo duke menduar se ne nuk kemi lidhje me të kaluarën, sepse ne këtu kemi qenë edhe para 23 qershorit, por duke treguar forcën e reflektimit dhe duke mos përsëritur më as ne gabimet dhe problemet tona të para 23 Qershorit.

  Petrit Vasili, të vendosur për të qenë zëdhënës i shtresave të popullsisë

 I pranishëm në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, zv. kryetari i saj, Petrit Vasili, është shprehur se, LSI përfaqësohet nga një grup prej 19 deputetësh, që është edhe numri më i lartë dhe i pakrahasueshëm që ka pasur kjo forcë politike gjatë këtyre tre zgjedhjeve parlamentare ku ajo ka marrë pjesë. Sipas tij zgjedhjet e 23 Qershorit dhe votëbesimi i dhënë nga populli e ka bërë grupin parlamentar të LSI-së edhe më të vetëdijshëm për rolin dhe rëndësinë që ka në jetën politike, në aktivitetin parlamentar dhe në jetën sociale të vendit. “Ky grup ka kohezionin dhe vendosmërinë e duhur për të qenë zëdhënës i shtresave të ndryshme të popullsisë në parlamentin shqiptar dhe një mbështetës i pa ekuivok për të realizuar sa më mirë programin e LSI-së paraqitur dhe promovuar nga të gjithë ne në zgjedhjet e 23 Qershorit”, -tha ai.

 Luan Rama: LSI-ja të shndërrohet në qendra debati dhe gjenerimi idesh

 Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, në fjalën e tij në mbledhjen e djeshme të KDK-së deklaroi se LSI gjithnjë në sjelljen e vet politike është shfaqur si një parti e madhe, sepse të tilla janë aspiratat dhe interesat që ajo shpreh dhe mbron për të cilën është krijuar ajo. “Strukturat e LSI nga organizata deri tek Komiteti Drejtues duhet ta lënë mënjanë atë fazën e ndërmjetme pas zgjedhjeve për t’iu rikthyer angazhimeve dhe përgjegjësive tona. Strukturat e LSI, komitetet drejtuese në rrethe apo në njësi vendore, kryesitë e tyre duhet të formatojnë punën mbi bazën e prioriteteve politike dhe qeverisëse. Strukturat e LSI-së duhet të shndërrohen në qendra debati, duhet të gjenerojnë ide, duke tërhequr mendimin më të kualifikuar sepse ne jemi votuar si alternativë e shërbimit ndaj qytetarëve. Të jemi të parët që të vlerësojmë dhe të parët që kontestojmë kur produkti qeverisës nuk shkon në atë cilësi që e meritojnë qytetarët’, tha ndër të tjera z. Rama.

 Edmond Haxhinasto: Integrimi europian është shtylla dhe objektivi madhor i veprimtarisë sonë politike

 Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e KDK-së, anëtari i Kryesisë së LSI-së, Edmond Haxhinasto, veçoi në fjalën e tij tre shtyllat kryesore politike me të cilat LSI ka krijuar identitetin e saj të patjetërsueshëm politik. “Së pari, është integrimi europian si shtylla dhe objektivi madhor i veprimtarisë sonë politike e përkthyer si duhet në aktivitet politik në veprimtari legjislative dhe ekzekutive.  Forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit, reforma e gjyqësorit. Së dyti, në imponimin e një përqasje krejtësisht të re në konkurrimin politik pozitë –opozitë, veçanërisht e dallueshme në frymën e bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirës në Parlament, duke çliruar politikën nga një ngarkesë e pavlerë e konfliktit politik dhe i ka dhënë peshën që duhet ballafaqimit të alternativave politike. Së treti, në drejtim të politikave tona qeverisëse, ku objektivi madhor mbetet punësimi përmes realizimit të një modeli të ri ekonomik, i cili synon të rrisë prodhimin vendas përdor në mënyrë të qëndrueshme burimet e vendit, që ruan mjedisin duke përgatitur një forcë pune efikase dhe profesionale”, u shpreh z. Haxhinasto.