Ilir Dako/ Koncesionet e portit, hije skandali mbi qeverinë e “Rilindjes”

749
Sigal

Qeveria aktuale, e cila deklaronte me bujë dhe pa reshtur se, “ne Rilindësit do të rishikojmë çdo koncesion, do të anulojmë çdo të tillë që bie ndesh me ligjin dhe interesat e vendit”, duket se po pajtohet me realitetin e djeshëm. Ata që sot drejtojnë qeverinë e “Rilindjes”, dhe që kanë marrë poste kyçe si Energjetika, Transporti, Privatizimet, etj., nuk po bëjnë më zhurmën e dikurshme, për “luftën ndaj koncesioneve të paligjshme dhe klienteliste”, por po ecin mbi gjurmët e të parëve. Duket se brenda gjurmëve të tyre ata e gjejnë veten më “ngrohtë dhe më komodë”. Fazlliçi (dhe ndonjë tjetër), që ishte kthyer në “gogol”, sot po bëhet “engjëll” madje po tentohet  të bashkëpunohet me bizneset e tij si më parë. Pra loja vazhdon, por me aktorë të rinj. Por le të ndalemi tek Porti Detar i Durrësit. Ajo që para 23 qershorit u trumbetua me të madhe, në fushatën elektorale dhe pas saj, ende pa e marrë qeverisjen nga Berisha, ishte se “koncesionet e APD-së dhe të qeverisë së PD-së do të shihen me lupë, dhe nuk do të tolerohet asnjë shkelje ligjore që bie ndesh me interesat e shqiptarëve”. Por, edhe sot pas 8 muajve qeverisje, “Rilindësit” ende nuk kanë dalë dhe nuk kanë deklaruar, apo kundërshtuar, qoftë edhe një shkelje ligjore nga të parët e tyre, veç anulimit gjoja të ndonjë leje për ndërtimin e ndonjë H/C të vogël diku andej nga Librazhdi apo Mati. Asnjë fjalë  për koncesionet e portit, sheshin e trageteve, kantierin detar, kalatat e portit, sektorët e privatizuar, apo edhe ato që po privatizohen në heshtje të plotë mediatike. Porti Detar i Durrësit, ka qenë dhe mbetet zona e “dyluftimit” të interesave  mes PD-së dhe PS-së, vendi ku këto dy kampe politike sa herë që qeverisin e masakrojnë  barbarisht atë, duke abuzuar në mënyrën më flagrante të mundshme me paratë e shqiptarëve. Sot në Portin e Durrësit, nuk flitet më për largimin e asaj kompanie, apo asaj firme private që operon në territorin e tij, si pjesë e pazareve të ish-ministrave  të djeshëm, dhe e ministrave të sotëm. Ardhja e Ramës ditën e dielë në Durrës për të ndarë, si dikur Enveri tapitë e tokave në Krutje, padyshim që do të kishte nga media edhe pyetje lidhur me Portin e Durrësit, shqetësimin e 120 peshkatarëve që po u kalben anijet e tyre për shkak se nuk kanë kalatë dhe kantier për t’i riparuar, për sheshin e trageteve që 14 muaj pas inaugurimit ka nisur të rrjedhë ujë nga tavanet sa herë bie shi etj. Por pyetjet për zotin Rama ishin të kushtëzuara nga stafi tij, pra nuk mund të bëje pyetje ti si gazetar për asgjë tjetër veç tapive të ish-Kënetës. Porti i Durrësit prej vitesh ka qenë “pusi” nga ku janë derdhur miliona dollarë nga KE, BE, OKB, SHBA, buxheti  shtetit, qeveria italiane, gjermane, kuvajtiane, dhe donator të tjerë të huaj. Por ky port sot vuan ende fuqinë menaxhuese, mungesën e potencialeve drejtuese dhe efiçencën në sektorët kryesorë të tij. Qeveria e “Rilindjes” dhe ministrat përgjegjës për rishikimin e koncesioneve të këtij porti, nuk janë dukur atje prej muajit dhjetor 2013. Asnjë deklaratë, asnjë vendim, asnjë njoftim zyrtar për  situatën që gjetën dhe atë çfarë do të bëjnë me Portin më të madh të vendit, që është trajtuar si të ishte port i ri. Asnjë emër ish-ministri, asnjë emër kompanie, asnjë raport mbi kontrollet dhe verifikimin e ligjshmërisë së koncesioneve të firmosura deri në shtator 2013. Kjo situatë padyshim është refleksion i kompromiseve mes atyre që ikën dhe këtyre që erdhën, është kompromis mes atyre që fituan dhe këtyre që  kanë nisur të fitojnë, duke harruar premtimet, deklarimet dhe “interesat e shqiptarëve”. Burime nga APD thanë se “as që bëhet fjalë për rishikimin apo verifikimin e ligjshmërisë së koncesioneve të portit, askush nuk guxon të pyesë, apo zërë në gojë një gjë të tillë, sepse ikën nga puna për 24 sekonda, gjithçka po ecën si 8 muaj më parë, sikur nuk ka ndodhur gjë, gjithçka  siç ka qenë, vetëm sa kanë ndryshuar emrat e atyre që pasurohen”.