Artur Ajazi: Iku ministri, rroftë ministri

Gjithçka që po ngjet me qeverisjen e Rilindjes në 2 muajt e fundit (për të mos thënë në 3 vitet e fundit) është plotësisht një katrahurë, e cila ka rrënuar vendin dhe shqiptarët, një qeverisje sa kuturu, aq edhe pa sens, një qeverisje që çdo ditë firmos aktakuzën e saj, me paligjshmërinë si diçka normale. Së fundi, Çadra e opozitës së bashkuar, duket se e ka shtyrë Ramën të bëjë në 72 orët e fundit, ndoshta lëvizjen më intriguese në kabinetin qeveritar, duke “shkarkuar” 4 prej ministrave të tij me gjoja arsyetimin se “ata do të mbulojnë fushatën në rrethe”. Lajmi largimit (ose shkarkimit të detyruar) të Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri i akuzuar prej kohësh nga opozita për “lidhje me trafikun, korrupsionin dhe afera të tjera”, ka pasur menjëherë efektet e veta. Sapo kanë lexuar në portalet mediatike lajmin apo sapo lajmin ja kanë dhënë njëri tjetrit me SMS, efektivat e policisë në Tiranë dhe rrethe, nisën të shfrynin, nisën të shanin dhe lëvdonin, dhe e gjitha kjo kishte një nëntekst “iku ministri, rroftë ministri”. Gjithmonë kështu ka ndodhur në Shqipëri, kur kanë ikur mbretër, president, kryeministra dhe ministra, madje edhe drejtorë. Por duke u kthyer tek Ministri Brendshëm, dhe tek efektivat e tij (tek çunat), ata tashmë prisnin me padurim me sytë dhe veshët nga portalet mediatike, të mësonin se kush do të ishte ministri i ri, kush do ta zëvendësonte në atë post shefin e tyre, Tahirin. Pothuajse përgjatë të premtes, të shtunës, dhe të dielës efektivat policore dhe shefat e tyre, ishin në ankth dhe prisnin të mësonin lajmin se “kush do të ishte ministri i ri, pasi për ata, tashmë Tahiri ishte “ish ministër”, madje dikush prej tyre tha se “duhej të ishte larguar më parë, e kishte mbushur kupën”. Por nuk janë vetëm policët që folën për ministrin e tyre, pasi Ramë ka futur në rreth për “shkarkim” edhe 3-4 ministra të tjerë. Edhe ata do të mbulojnë fushatën elektorale në rrethe, (veç Dakos në Durrës dhe Ballës në Elbasan) duke lënë pas postin e ministrit. Edhe ata pas të hënës, do të jenë ish-ministra dhe do të zëvendësohen nga shokët e tyre të Rilindjes brenda partisë, ndërkohë që Ramë këto lëvizje do t’i quajë si “qeveria teknike” për t’i mbushur mendjen Çadrës se, “ja edhe kjo kërkesë juaja u plotësua”. Por pavarësisht ndryshimeve, largimeve dhe shkarkimeve, pavarësisht emërimeve dhe betimeve si ministra, një gjë tjetër mbetet shqetësuese për vendin dhe shqiptarët. Mbetet kaosi, anarkia institucionale që ka përfshirë vendin, institucionet qendrore dhe vendore, dhe sidomos ato të shërbimeve publike. Shkrehja ka nisur nga uniformat e shtetit, nga çdo lloj uniforme, blu, gri apo edhe me lara-lara, të cilat merren me zbatimin e ligjit, me ndëshkimin e shkelësve të ligjit dhe gjithçka tjetër që garanton rendin, qetësinë, ekonominë, arsimin, shëndetësinë, etj. Situata të tilla në prag të zgjedhjeve, gjithmonë kryesisht në vendet ish-socialiste, janë shoqëruar me trazira dhe situata të rënduara sociale, duke dashur në fund ndërhyrjen ndërkombëtare. Shqipëria e ka kaluar një provë të hidhur 20 vjet më parë, të shkatërrimit të institucioneve të ligjshme, dhe pikërisht në muajin mars. Edhe asokohe, shqiptarët prisnin me sytë nga ekranet e televizioneve të mësonin lajmin e “shkarkimit të ministrave, shkarkimit të kryeministrit apo Presidentit”, dhe si përfundim është dashur ndërhyrja e ndërkombëtarëve që politika shqiptare të ulej dhe të binte në ujdi, me hir dhe me pahir. Sot kohët kanë ndryshuar, dhe vendi është në pragun e hapjes së negociatave për anëtarësimin në BE, dhe çdo kryeneçësi nga qeveria dhe kryeministri është në dëmin e interesave kombëtare. Nuk mund të luash me opozitën, duke bërë show nga bulevardi apo me dreka në ish-bllok, me “shkarkime ministrash”, dhe duke i thënë shqiptarëve se “ata i largova sepse do të jenë koordinatorët e fushatës në rrethe”. Gjithçka ndodh me qeverisjen e vendit, e para që duhet të sqarohet institucionalisht duhet të jetë Çadra e opozitës, pasi është ajo e cila kërkon nga Ramë zbatimin e kushteve të saj, për rikthimin e normalitetit institucional. Kjo natyrisht do të çlironte disi edhe nëpunësit e institucioneve të këtij shteti, për të cilët gjithmonë në situata të tilla, më shumë rëndësi ka thënia “iku ministri, rroftë ministri”, se sa stabiliteti i vendit.