Hysni MULLALLI/ Ushtarakët kanë nevojë për bashkim dhe jo për copëzim të mëtejshëm

579
Sigal

*Kolonel në rezervë

 Tendenca e bashkimit që po vërehet kohët e fundit, nuk është thjesht një trend i kohës por domosdoshmëri dhe faktor suksesi. U bashkuan PS me LSI dhe fituan zgjedhjet, u bashkuan çamet, po tentojnë të bashkohen demokristianet, partitë e djathta etj. Në këtë fluks bashkimi, natyrshëm lindin pyetja: Po ne ushtaraket, kush na pengon të bashkohemi, pse kemi shumë shoqata, mandej dhe koordinatore?! Në këto vite ndarje, është konstatuar se qëllimet, misionet, objektivat apo vendimet e të gjitha shoqatave janë të njëjta dhe kanë në thelb mbrojtjen e të drejtave ligjore dhe ekonomike të ushtarakeve. Unë nuk kam kuptuar, që të kenë ndonjë qellim apo mision specifik shoqatat e armëve dhe shërbimeve. Shoqatat  krijohen për mbrojtjen e interesave të një komuniteti dhe jo të një specialiteti brenda tij. Organizata të krijuara bazë specialiteti kemi vetëm ne.  Sipas “modelit” tonë sindikata e arsimit duhet të kishte sindikatën e mësuesve tëe fizikës, të fizkulturës,të historisë,të kimisë,etj. Pra të kishte sindikatë për çdo lëndë.

Kur ishim të bashkuar, kishim më shumë rezultate, më shumë unitet dhe forcë, më shumë veprimtari, më shumë protesta e aksione konkrete dhe më shumë akses në institucionet shtetërore. Sot që jemi të ndarë, kemi më shumë llafe dhe më pak unitet; kemi më pak protesta, veprimtari dhe aksione konkrete, të cilat janë zëvendësuar me shkrime e deklarata demagogjike; kemi shkelje të statusit për zgjedhjet dhe të zgjedhurit vegjetojnë tej mandateve ligjore; kemi largime nga shoqatat, mos afrim të ushtarakëve të rinj dhe rënie drastike të kuotave; kemi rënie të krediteve dhe funksionim jo normal të shoqatave etj.

Faktet e mësipërme tregojnë se organizimi aktual që ka në thelb ndarjen dhe decentralizimin nuk është efektiv, ka prodhuar defekte që mjaftojnë dhe teprojnë, për tu bindur, se bashkimi i ushtarakeve në një Shoqatë Kombëtare, është një nevojë emergjente për shëndoshjen e gjendjes të brendshme, për një reformim të shoqatave tona, për të pasur një organizim dhe drejtim më efektiv, që t’u përgjigjet dhe standardeve të CIOR-it dhe EUROMIL-it, ku janë anëtarësuar SHKURSH dhe AKUSH.

Të qëndrosh akoma në këto pozita ndarje, ta vlerësosh organizimin aktual si tabu dhe të paprekshëm dhe të bllokosh diskutimin për bashkim, është më shumë se mëkat, është një shkelje e rëndë e statusit të SHKURSH dhe AKUSH, të cilët detyrojnë afrimin, bashkëpunimin dhe bashkimin e ushtarakeve. Drejtuesit dhe të zgjedhurit e kanë detyrim statutor, qe t’u garantojnë ushtarakëve të drejtën legjitime, për të diskutuar, për riorganizimin dhe reformimin e shoqatave, për mundësitë dhe variantet e bashkimit, duke pasur si synim final drejtimin efektiv dhe të centralizuar.

Po të ketë vullnet dhe dëshire të mirë, mundësi, rrugë dhe forma bashkimi, ka shumë. 

Një variant mund të jetë: Bashkimi i ushtarakëve në një shoqatë të vetme,duke mos pasur asnjë shoqatë të veçuar. Ky është varianti kryesor, sepse në shumë shoqata kemi një mbivendosje strukturorë formale dhe jo efektive. Realisht shoqatat e armëve dhe shërbimeve  janë vetëm në Tiranë dhe nuk kanë degë në rrethe apo minibashki. Krijimi degëve të tyre në bazë ka qenë i pamundur, por dhe nëse do të ekzistonte kjo mundësi do të ishte një çmenduri e vërtetë sepse në çdo rreth dhe minibashki do të kishim me dhjetëra degë të këtyre shoqatave, të cilat do të vështirësonin më keq se deri tani punët.

Një variant tjetër mund të jetë: Shoqatat ekzistuese të ruajnë identitetin e tyre (mund të quhen degë) dhe të krijohet një organizëm i vetëm qendror planifikues, organizues, koordinues dhe drejtues që mund të quhet Unioni i Ushtarakeve të Shqipërisë, i cili të drejtojë veprimtarinë e tyre në mënyrë të centralizuar. Në këtë rast me statut kryetarët e Shoqatave (degëve) të jenë automatikisht anëtarë të këtij unioni, që të ketë përfaqësim çdo armë dhe shërbim. Ky organizim dhe drejtim i centralizuar, mundëson që nismat dhe idetë, që kanë individët apo degë të veçanta, të bëhen objekt diskutimi në çdo nivel, pastaj të kalohen në filtrin e specialisteve dhe kur propozimi ka vlera miratohet nga ky union dhe vendoset për hapat ligjore apo institucionale që duhen hedhur. Pas vendimit, ky union merr përgjegjësinë e ndjekjes të këtij problemi, që është vlerësuar kolegjialisht si i suksesshëm.

Kjo është rruga e vetme që shmang shpirtin e protagonizmit që kanë pasur dhe kanë disa individë apo shoqata që marrin nisma ligjore apo institucionale, që ju përkasin të gjithë ushtarakëve. Shembull konkret negativ është apelimi i Aktit Normativ nga shoqata e xhenios në Gjykatën Kushtetuese e cila nuk përfaqëson gjithë komunitetin e ushtarakëve. Ky rast tipik vërtetoi se me veprime të veçuara jo vetëm nuk mund të fitohen të drejtat që na takojnë, por mund të dëmtohen dhe të drejtat e fituara më parë, si në rastin në fjalë, i cili ka dëmtuar rëndë situatën e favorshme që kishin ushtarakët para këtij vendimi.

Praktika ka vërtetuar dhe modele pozitive, që tregojnë se bashkimi të çon drejt suksesit. Forca e bashkimit u tregua qartazi, në rastin e marrjes të vendimit pozitiv Nr.33/2010 të Gjykatës Kushtetuese. Shkaku kryesor i kësaj arritjeje madhore ishte sepse SHKURSH dhe AKUSH ishin bashkë, ishin në bllok, kishin një qëndrim unik, koordinuan kërkesat me shoqatën e rendit dhe Avokatin e Popullit dhe bënë një mbrojtje dinjitoze. Po ashtu bashkimi ushtarakëve të Laprakës, është një model dhe mesazh, që vërteton se bashkimi është i mundur kur ka vullnet dhe bisedohet me zemër e mendje të hapur. Ka 2 vjet që Lapraka ka një degë tepër aktive, që funksionon mirë, mblidhet periodikisht, bën aktivitete, ku ftohen dhe drejtues të qendrës, që nuk vijnë, sepse për ta, ne jemi “mëkatarë” që u bashkuam jashtë dëshirës së tyre.

Bashkimi i shoqatave në një të vetme apo krijimi i një unioni të vetëm organizativo-drejtues jo vetëm krijon kushtet: për një riaktivizim të shoqatës, për të riparuar mangësitë brenda vetes; për rritjen e shkalles së besueshmërisë, afrimin dhe aktivizimin e gjithë ushtarakëve; për një drejtim të centralizuar dhe për zgjidhjen e të drejtave tona pa lëshime dhe kompromise, por është njëkohësisht një organizëm në duart e ushtarakëve që në rast nevoje, mund te shndërrohet në një mekanizëm ligjor, për përfaqësimin elektoral të shoqatës së ushtarakëve, nëse do të ketë nevojë për një gjë të tillë, në të ardhmen më të afërt elektorale.

Koordinatorët ushtarakë pranë PS, nuk duhet të jenë faktor copëzimi, por duhet t’u bashkohen përpjekjeve të ushtarakëve për bashkim në një shoqatë të vetme.

Pa bërë shumë histori, dihet se shoqatat, për shkak të disa veprimeve të gabuara, para zgjedhjeve, nuk vendosen dot ura bashkëpunimi me PS. Këtë vakum bashkëpunues, PS e plotësoi me një rrjet koordinatorësh ushtarakë. Ky veprim ishte i suksesshëm për PS, por ishte dhe një element i ri copëzimi organizativ për ushtarakët. Prezenca e koordinatorëve ushtarakë ishte dhe vijon të jetë një faktor që pengon bashkëpunimin PS-Shoqatë (kur duhet të ndodhë e kundërta). Koordinatorët, nuk janë palë me shoqatat, por janë pjesë e tyre dhe si koordinatorë që janë duhet të punojnë për të rivendosur urën lidhëse tradicionale që ka ekzistuar gjithmonë midis PS dhe shoqatës. Duan apo nuk duan koordinatorët, duhet ta kuptojnë se shoqatat janë organizata të ligjshme që përfaqësojnë komunitetin e ushtarakëve dhe janë një faktor kryesor që duhen pyetur dhe nuk mund të anashkalohen. Ndaj mendoj se është momenti, që koordinatorët dhe shoqatat të afrohen, të bashkojnë përpjekjet, të koordinojnë veprimet, të dalin nga ky model i përgjumur dhe bashkërisht të bëhen garant për të afruar zgjidhjen e duhur. Vetëm bashkimi është model suksesi. Këtë e vërteton suksesi i modelit të shoqatës dhe koordinatorëve të rendit, të cilët kanë filluar të operojnë me sukses dhe po zgjidhin dora dorës problemet e tyre.

Ne ushtarakët jemi një komunitet, jemi një trup i vetëm dhe nuk ka asnjë arsye që në drejtim të kemi shumë koka. Kokave drejtuese të shoqatave, që nuk merren vesh, tani ju është shtuar dhe koka e kryekoordinatorit Avdi Hankollari. E them këtë se bashkëpunimi midis vetë shoqatave dhe midis koordinatorëve e shoqatave ishte zero para zgjedhjeve dhe është nën nivelin zero, tani pas zgjedhjeve. Është e nevojshme, që zoti Avdi të mos qëndroje më prapa perdes, por të dalë në skenë, të nisë bashkëpunimin me shoqatat, ta njohin shoqatat dhe ushtarakët, të bëhet i gjallë dhe dinamik, të jetë prezent në median e shkruar dhe vizive, ku të prezantojë punën që po bëjnë koordinatorët dhe mbi të gjitha të na informojë hap pas hapi për zhvillimet më të reja në lidhje me çështjen tonë. E them këtë sepse zoti Avdi aktualisht ka monopolin e kontakteve dhe hap e mbyll çdo ditë një derë zyre në PS, pragun e së cilës për momentin, nuk e kalojnë dot shoqatat. Ka ardhur koha që zoti Avdi ta mbyllë atë derë nga jashtë dhe bashkë me koordinatorët e tjerë të marrin kontakt me shoqatat, të na takojnë ne ushtarakëve, ashtu si bënin para zgjedhjeve. Keni 4 muaj që na keni harruar. Politikanëve që shoqëronit ju dhe iu falet se ndoshta kanë prioritete të tjera më të rëndësishme, por ju çfarë probleme të tjera keni që nuk dilni nga zyra, që nuk takoheni më ne?!

Shkëputja është ose mungesë përgjegjësie ose ajo tregon se ju, nuk keni forcë, nuk ju dëgjohet zëri, jeni shndërruar në një faktor formal që duheshit para zgjedhjeve dhe tani nuk ju pyet dhe nuk ju merr njeri në konsideratë dhe si rrjedhojë, nuk guxoni të takoheni me ne sepse nuk keni gjë për të na thëne. Nëse është kështu koordinatorët duhet të zgjohen nga gjumi pas zgjedhor, të mos ju ndahen deputetëve me të cilët u binjakëzuan para zgjedhjeve, të insistojnë që të dëgjohen, të pyeten dhe të jenë një zë i fuqishëm për çdo vendimmarrje që ka të bëjë me ne ushtarakët, duke mos lejuar që të dalin si kërpudha pas shiut disa “ustallarë”, që nuk dihet ku ishin futur para zgjedhjeve, kurse tani janë bërë një faktor që pyeten dhe kanë marrë në dorë flamurin e përfaqësimit tonë. Koordinatorët dhe drejtuesit e shoqatave kanë dy rrugë: T’u tregojnë vendin këtyre tipave ose t’u lëshojnë karriget e tyre dhe pastaj ne ushtarakët e kemi hak që këta tipa të na thonë: “Dhente dhe dhitë e Zeres, nami i Hasan Qerres”.