Hysni MULLALLI/ Pushtetarët, pensione milionëshe, ushtarakët, pensione mbijetese

242

Në datën 23.09.2012, një titullar i ISSH, ka folur për pensionet. Atë nuk e shqetësojnë pensionet milionëshe të pushtetarëve dhe politikanëve, por e shqetësojnë pensionet e mbijetesës që marrin shtetasit e tjerë dhe nuk lë pa veçuar ushtarakët. Duke thënë disa të pavërteta të mëdha për ushtarakët, hedh dhe disa ide aspak profesionale dhe të habitshme. Ai hedh idenë se nëse ushtarakët kanë nevojë për trajtime të veçanta, të drejtohen dhe t’i marrin ato pranë institucioneve që kanë shërbyer. Mesa duket ai mendon se institucioneve ku kemi shërbyer ne, ju akordohet buxheti nga ndonjë shtet tjetër. Po ashtu hedh idenë se, nuk beson se ka ndonjë diferencim për kategorinë e ushtarakëve nga ata njerëz që kanë shërbyer 35 apo 40 vjet dhe që derdhin kontribute deri sa të dalin në pension.

Ky zotëri, i ulur në atë kolltuk, minimalisht, duhet ta dijë se trajtimi i veçantë i ushtarakëve, nuk është një shpikje shqiptare. Ushtarakëve në çdo vend të NATO-s me ligje të veçanta ju përcaktohen: pozita të veçanta, juridike, ekonomiko-financiare e shoqërore, të drejtat, detyrimet, kufizimet dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre. Dhe një nga institucionet që duhet të jetë garant i dhënies së këtyre të drejtave financiare të ushtarakëve, është ISSH. Ky titullar mesa duket nuk e di që ushtaraku ka një status të veçantë dhe se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, detyron prerazi trajtimin dhe vlerësimin e veçantë të ushtarakut në përputhje me standardet që ka ky organizëm. Të jesh anëtar i NATO-s dhe t’u kundërvihesh standardeve të saj, duke menduar të vësh shenjen e barazisë në trajtimin me pension midis ushtarakëve dhe civilëve, është absurde dhe kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Midis të tjerash ai shprehet se: “Skemat e pensioneve janë skema pensionesh dhe nuk mund të jenë të ndara për disa kategori, ato janë njësoj për të gjithë pensionistët. Dhe nuk ka sesi në një skemë pensionesh disa të marrin pensione të çuditshme”. Duke mos njohur mirë Statusin e Ushtarakut këtij zotërie i duket i çuditshëm pensioni ( i fituar me gjyq) i një ushtaraku. Ky zyrtar që i “dhimbset” buxheti i shtetit, a ka dijeni për pensionet super të çuditshme të shtetarëve tanë? A e njeh ligjin Nr.8097, datë 21.03.1996 “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit? “Në fakt ky është ligji i pensioneve super të çuditshme që i bën shtetarët bllokmenë të rinj dhe të privilegjuar deri në vdekje, por njëherazi krijon dhe një shtresë të madhe militantësh të privilegjuar.

Përfituesit sipas këtij ligji janë: Kryetari i kuvendit, deputetët, kryeministri, ministrat,  zv. ministrat, kryetarët e Gjykatës Kushtetuese e anëtarët e tyre, kryetari i kontrollit të shtetit; prokurori e zv. prokurorët e përgjithshëm dhe drejtuesit politikë të këtyre institucioneve qendrore. Nga ky ligj përfitojnë dhe personat që kryejnë detyra në administratën e institucioneve te mësipërme, sipas listës së miratuar nga Këshilli i Ministrave. E veçova këtë kategori të dytë punonjësish, sepse dihet që kjo kategori është tërësisht pjellë e nepotizmit, por dhe shtrat i butë e fitimprurës për militantët partiakë.

Për ta bërë më të kuptueshëm problemin, po bëjmë disa ballafaqime, pa komente, të këtij ligji me ligjin e pensionistëve ushtarakë:

Në nenin 1,pika 7, thuhet: “Me termin, pagë referuese, do të kuptohet paga e muajit më të fundit sipas legjislacionit në fuqi që zbatohet për atë funksion a detyrë. Paga referuese është bazë e llogaritjes dhe e rillogaritjes së pensioneve. “Për ushtarakët është shpikur termi “pagë mesatare referuese neto” e gjithë karrierës, e cila është e barabartë me pagën referuese mesatare, pasi i zbritet shuma e kontributit të sigurimit shoqëror, shëndetësor, tatimit mbi të ardhurat dhe kontributit suplementar, të cilat arrijnë rreth 26.2 %. Përcaktimi në ligj i këtij termi, ka çuar në përkeqësimin e situatës financiare të ushtarakëve dhe është akoma më çudi se këtë përcaktim nuk e ka asnjë ligj tjetër për pensionet.

Në nenin  5, për të gjitha grupet, përcaktohet si masë e sigurimit suplementar nga 2 deri 4 %. Masa e sigurimit suplementar të ushtarakeve aktive është 5 %. Pra ai ushtari që shkon me mision luftarak duke rrezikuar jetën dhe që qeveria mburret, derdh kontribute më shume se Kryeministri dhe tabori i tij.

Në nenin 7, ku flitet për pagën kalimtare, theksohet se: “Pas largimit nga funksioni, u jepet shpërblim në masën e tre pagave mujore të muajit të fundit në atë funksion dhe mbas këtij shpërblimi marrin 50 për qind të pagës referuese, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 3 vjet nga momenti i largimit nga ky funksion”. Ushtarakëve kur dalin në pension të parakohshëm ju jepen 2 paga mujore shpërblim dhe dy vjet pagë kalimtare, përsëri në masën 50% të pagës mesatare referuese neto ( jo bruto si qeveritarët) dhe e drejta e pagës kalimtare fillon në muajin e tretë.

Në nenin 8, theksohet se, të drejtën e pensionit suplementar sipas këtij ligji, pushtetarët e fitojnë në moshën e rinisë së dytë, pas mbushjes së moshës 55 vjet. Ushtarakët këtë të drejtë e fitojnë vetëm kur mbushin moshën e pensionit të pleqërisë ( 60 deri 65 vjet.) Jo vetëm kaq, por, Saliu ngaqë “përvëlohet” nga dashuria për pensionistët, po tenton të na i rritë moshën e daljes në pension, me synim që të mos arrijmë ta gëzojmë pensionin dhe suplementin fare.

Në nenin 16, theksohet: “Kur vitet e shërbimit nuk janë vite të plota, për efekt llogaritjeje të masës së përfitimit, do të llogariten edhe ditët ose muajt mbi këto vite. Mënyra e llogaritjes do të përcaktohet në udhëzimin që do të nxjerrë Instituti i Sigurimeve Shoqërore”. Për efekt të përllogaritjes së përfitimeve, viti i shërbimit për ushtarakët njihet vetëm kur është vit i plotë. Pra thënë më qartë për vete llogarisin çdo ditë dhe muaj të vitit të fundit, sado të pakta të jenë ato, për të marrë çdo qindarkë të mundshme, ndërsa për ne ushtarakët dhe po ta kemi vitin e fundit me 364 ditë, na e djegin gjithë vitin.

Në nenin 17, theksohet se: “Masa e pensionit shtetëror suplementar plus pensionin e përfituar nga ligji për sigurimet shoqërore nuk mund të jetë më e madhe se 75 për qind e pagës referuese të funksionit dhe më tej përcaktohet se Këshilli i Ministrave është i detyruar të rritë pensionin shtetëror suplementar, në të njëjtën masë që rritet edhe paga referuese e detyrës a funksionit që ka pasur personi. Aktualisht pensionisti Sali, po të dalë sot në pension merr rreth 170 mijë lekë ose tetë herë më shumë se pensioni maksimal i një qytetari të zakonshëm që është 23.00 lekë dhe 25 herë më shume se një pensionist fshati. Pra pushtetarët tanë të legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, marrin nga shporta e buxhetit një pension 8 deri 25 herë më të lartë, se pensioni jonë.

Në nenin 30 theksohet se: “Ky ligj hyn në fuqi më 1 prill 1996”. Hyrja në fuqi e këtij ligji, përkon me 1 prillin e famshëm të gënjeshtrave. Kjo është dita simbol e politikanëve dhe shtetarëve tanë, që janë gënjeshtarë të kalibrit të lartë, dredharakë, hileqarë, shpërdorues dhe përfitues abuzivë të pushtetit. Ata vjedhin çdo ditë sa janë në pushtet dhe kanë ligjëruar që vjedhja e tyre të vijojë dhe kur të mos kenë fuqi të ngrihen nga shtrati. Ky ligj tregon qartë se pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, kur bëhet fjalë për interesat e tyre janë në bllok dhe të pangopur. Ndërsa kur bëhet fjalë për trajtimin e shtresave të tjera të pensionistëve, që kanë dhënë dhe votën për të kapur këta palo politikanë, ato karrige të larta në piramidën shtetërore, vendosin standardin e pensionit minimal të mbijetesës, me të cilin, nuk mundësohet as blerja e bukës, kafes dhe ilaçeve. Ky fakt në thelb është një skandal i vërtetë shtetëror dhe financiar, që zv/drejtori ISSH, nuk guxon ta thotë.

Pse janë përjashtuar këta pushtetarë nga e ashtuquajtura skeme e njëllojtë për gjithë pensionistët dhe a është bërë ndonjë propozim nga ISSH, që të ndryshohet ky ligj? Për këto nuk guxon të flasë ky zyrtar, sepse e di fort mirë, që po sulmoi politikanët dhe qeveritarët i ikën kolltuku. Hedhja e këtyre ideve në këtë moment, kur po punohet për një ligj të ri për pensionet e ushtarakëve, duhet të shërbejë si një nxitje për gjithë shoqatat e ushtarakëve, që hartimin e ligjit tonë të mos e lëmë thjesht në dorën e këtyre specialistëve, që janë vasalë të politikës dhe me sugjerimet e mendimet e tyre, mund ta përkeqësojnë dhe deformojnë Statusin e Ushtarakut. Mendoj që paralajmërimi i bërë për këtë përkeqësim nga drejtuesit e shoqatave këtë muaj në këtë gazetë, nuk është i mjaftueshëm. Është momenti qe ideja e domosdoshmërisë së organizimit, bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimeve, e hedhur nga dy drejtuesit e shoqatave kryesore, duhet të bëhet realitet. Është koha që për mbrojtjen e Statusit të Ushtarakut, që është kushtetuta jonë, të hidhemi në aksion konkret, duke këmbëngulur me çdo mjet dhe formë demokratike, që zëri jonë si grup interesi të dëgjohet, që deformimi i Statusit të mos lejohet. Nëse këto nuk arrihen me mirëkuptim, na lind e drejta morale dhe ligjore, të ngrihemi të gjithë bashkë e të protestojmë në mënyrë të pandalshme para MM, apo para çdo institucioni tjetër shtetëror ku ndodhet, apo do të kalojë për diskutim drafti i këtij ligji dhe ky tubim paqësor të ndalet vetëm kur të garantohet paprekshmëria e Statusit të Ushtarakut.