Hysni MULLALLI*/ Kuvendi, edhe qeveria duhet që të reagojnë për kërkesat e ushtarakëve

567
Sigal

Nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen brenda 6 -mujorit të parë 2014, do hidhemi në protesta!

Dy shoqatat kryesore të ushtarakëve kanë kryer takime zyrtare me ministren e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe ju janë drejtuar me shkrim në rrugë institucionale, për problemet, shqetësimet dhe kërkesat tyre, por deri tani nuk ka asnjë përgjigje institucionale apo publike. Mungesa e një përgjigje konkrete, ka agravuar situatën dhe ditët e fundit vërehet se disa shoqata, grupe dhe ushtarakë kanë reaguar në median e shkruar, ku kanë kërkuar të dinë nga Qeveria dhe Kuvendi, se: Çfarë po bëhet me Statusin e Ushtarakut? Pse ka zvarritje dhe diferencime? Pse nuk po përshpejtohet zgjidhja e kërkesave tona? Etj.. Këto takime, letra dhe shkrime, janë tregues të një shqetësimi dhe pakënaqësie në rritje, që mendoj se duhet të shqetësojnë Kuvendin, Qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes (MM). Ushtarakët, vlerësojnë dhe mbështesin plotësisht, reagimet dhe përgjigjet publike të shpejta dhe të merituara që ju u keni dhënë: Presidentit bllokues, deputetëve sherrxhinj të opozitës, “okupatorëve“ të SHQUP-it, informatorëve të SHIKU-t, që shohin ëndrra e tregojnë përralla me avionë droge dhe jemi pro qëndrimeve e reagimeve të mbajtura në mediat e shkruara dhe ato vizive, për të mbrojtur krenarinë, pastërtinë dhe nderin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura. Por mendoj se me gjithë problematikat e mëdha që ekzistojnë, nuk duhet të anashkalohen problemet e shqetësimet e ushtarakëve apo të injorohen ato. Ndaj duhet që me të njëjtën korrektësi dhe shpejtësi, të reagohet dhe për zgjidhjen e të drejtave ekonomike e ligjore, të ushtarakëve në rezerve/lirim. Është normale që në një shtet të ketë prioritete, për të garantuar rendin dhe sigurinë e vendit, për të zhvilluar ekonominë, shëndetësinë, arsimin etj. Por mendojmë se nuk duhen të bëhen diferencime (qoftë dhe në aspektin kohor) midis shtresave jo aktive të popullsisë, sidomos pensionistëve që janë në kushte të njëjta nevoje. Duke e parë problemin në këtë aspekt, mendojmë se është vepruar shumë drejt për të zgjidhur menjëherë problemin e dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë me moshë mbi 70 vjet apo me përfundimin e draftit ligjor të ushtarakëve në rezervë/lirim të policisë. Nga ana tjetër mendojmë se këto veprime dhe shqetësimi në rritje të ushtarakëve, duhet të jenë një faktor nxitje për MM, që një nga prioritetet kryesore të saj të këtë, ligjin e pensioneve tona. Ne ushtarakët në rezervë/lirim, meritojmë një zgjidhje prioritare dhe të shpejtë, sepse ne e kemi filluar, vazhduar dhe mbyllur karrierën ushtarake, me sakrifica dhe vështirësi të panumërta që kanë rënduar dhe rëndojnë dhe sot mbi familjet tona. Nuk duhet harruar që ne kemi shërbyer dhe jetuar familjarisht, në kushte të një vështirësie ekstreme  si “të internuar”, majave të maleve, në vende të izoluara, shumë larg qendrave të banuara, për t’i shërbyer popullit dhe atdheut. Kolegët tanë po ndahen nga jeta pa e gëzuar pensionin, një pjesë tjetër po dergjen dyerve të gjykatave dhe përballen me seanca gjyqësore qesharake, ku ndeshen me tallje, përçmim dhe shpërblehen me pa drejtësi. Ne dhe tani në demokraci, bëmë sakrificën më sublime, ndërpremë karrierën në mes, lamë detyrën ushtarake në kulmin e pjekurisë profesionale, u larguam me vetëdije dhe në mënyre paqësore, për t’i hapur rrugë reformimit të FA, sipas standardeve të NATO-s. Kaq do te ishte e mjaftueshme, që Kuvendi, Qeveria dhe MM të mos na neglizhojnë ne ushtarakëve, të mos bëjnë shurdhin, të pa diturin apo të pa informuarin dhe të vazhdojnë të heshtin, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ne nuk po ju lypim atë që nuk na takon, nuk po kërkojmë mëshirë apo zgjidhjen e të drejtave tona në rrugë të pa ligjshme, përkundrazi si gjithmonë dhe për rastin konkret po tregojmë urtësi, maturi, mirëkuptim dhe durim, duke mos zgjedhur rrugën e presionit dhe të protestave. Por nga ana tjetër nuk mund t’i lejojmë kurrkujt që të injorojë dhe anashkalojë zërin dhe kërkesat e armatës të komunitetit të ushtarakeve në rezerve/lirim, që është sa shumëfishi i ushtarakëve aktive. Me të drejtë një pjesë e kolegëve tanë, kur  shohin se kërkesat tona nuk po vlerësohen, kur shohin se ato janë shndërruar në letra pa vlerë, po injorohen dhe po zvarriten nga Kuvendi, Qeveria dhe MM, e për më keq akoma nuk ka asnjë reagim apo përgjigje publike, po artikulojnë dhe diskutojnë idenë e ushtrimit të së drejtës ligjore për të protestuar. Opsioni i protestave, në sheshe apo para Kuvendit, Qeverise apo MM, nuk kanë qenë as dje dhe as sot mjeti jonë i preferuar. Ky opsion, ka dalë sot në plan të parë, si rrjedhojë e vonesës të zgjidhjes të problemeve tona, diferencimit dhe mos reagimit tuaj si MM, Qeveri apo Kuvend, për zgjidhjen e të drejtave tona. Por duhet të jemi të qartë dhe të drejtpërdrejtë, nëse ne do të dalim në protesta, po na detyroni ju me qëndrimin, neglizhencën dhe indiferentizmin tuaj. Po ashtu të jeni të sigurt, se në protesta mund të na nxjerrin hallet tona të pazgjidhura dhe nuk na ka shanse kurrë të na nxjerrë në rrugë apo të na përdorë politikisht ndonjë si Saliu, që bën thirrje për protesta nga mëngjesi deri në darkë. Ai për ne dhe familjet tona, ka qenë, është dhe do të jetë “non grata” dhe një njeri i padëshirueshëm. Në përfundim mendoj që Kuvendi, Qeveria dhe MM, duhet të vlerësojnë zërin e ushtarakëve dhe të reagojnë menjëherë, duke kthyer një përgjigje publike ose institucionale, për: Pezullimin e Aktit Normativ të vitit 2010, ndërprerjen e rillogaritjes të pensioneve të parakohshme, faljen e kolegëve tanë që janë debitore, përgatitjen e ndryshimeve të Statusit të Ushtarakut, diskutimin e tyre me ne si grup interesi dhe  miratimin në qeveri dhe parlament deri në fund te 6 mujorit të parë të vitit 2014 (sipas premtimit të bërë). Shpresojmë dhe besojmë qe ju si Kuvend dhe Qeveri do të ndërhyni menjëherë për zgjidhjen e problemeve të mësipërme, do t’i jepni fund kësaj tallavaje juridike, do të miratoni ligjin e ri dhe do të detyroni me ligj që Sigurimet Shoqërore dhe Gjykata të na japin me drejtësi pensionet që na takojnë dhe të mos luajnë me, me bukën e fëmijëve tanë.

*Kolonel në rezervë