Hysni MULLALLI/ Gjeneral Gjunkshi menjëherë duhet të hedhë hapat administrative dhe gjyqësore për shpalljen e pavlefshmërisë të

551
Sigal

Shoqatat, ushtarakët në rezervë dhe lirim, deri tani e kanë bërë më së miri detyrën e tyre në mbrojtje të Qendrës Kulturore të Ushtrisë. Protestat, shkrimet e botuara në median e shkruar, intervistat dhe opinionet e dhëna në median vizive, kane sensibilizuar opinionin brenda dhe jashtë vendit. Kërcënimet e Saliut nuk na trembin, përkundrazi, na bëjnë më të ndërgjegjshëm, për mbrojtjen e këtij objekti dhe për të mbështetur Shefin e Shtabit të Përgjithshëm. Meqenëse mundësitë tona janë të kufizuara, sepse nuk kemi kompetencat, të drejtat dhe mekanizmat ligjorë të nevojshëm për të siguruar paprekshmërinë e këtij objekti, mendoj të jap disa mendime.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, duke mos firmosur kalimin e Shtëpisë të Ushtarakëve, ka kryer misionin dhe detyrën e tij në përputhje me ligjin, ndaj meriton nderimin dhe mbështetjen tonë. Mendoj që tani pas nxjerrjes së vendimit të KM për të dorëzuar këtë objekt deri në datën 20.08.2013, ai e ka për detyrë t’i shkojë qëndresës së tij deri në fund, duke përdorur të gjitha mekanizmat administrative dhe ligjore për mos zbatimin e këtij vendimi, që bie ndesh me ligjin dhe Kushtetutën. Mësimi i parë dhe detyrimi bazë për çdo ushtarak është: “Vendimet dhe urdhrat që bien ndesh me ligjin dhe Kushtetutën nuk zbatohen.”

Në situatën e krijuar, Shefi i Shtabit dhe Komandanti i Repartit që e ka në inventar dhe ruajtje këtë objekt, janë të vetmit persona që kanë detyrimin, kompetencat dhe të drejtën ligjore të sigurojnë paprekshmërinë e këtij objekti, të mos e dorëzojnë këtë objekt dhe t’a ruajnë atë sipas statusit të tij ekzistues, sepse në të janë të instaluara pjesë të strukturës ushtarake.

Njëherazi, në kushtet e mos ndjekjes të procedurës ligjore, ata menjëherë duhet të hedhin hapat e nevojshëm, duke filluar procedurat përkatëse në rrugë administrative apo gjyqësore, për shpalljen e pavlefshmërisë së këtyre akteve (Dekreti Presidentit dhe VKM).

Këto veprime garantojnë paprekshmërinë e këtij objekti, evitojnë konfliktet me ushtarakët dhe konfliktin e pritshëm që do të lindë pas 9 shtatorit, midis qeverisë së re dhe opozitës. Konflikti i paralajmëruar dhe i drejtuar nga prapa perdes, nga mjeshtri i konflikteve, Sali Berisha.

Tani pak për Berishen e “pavdekshëm” dhe të perdorurit, Nishani, Luli, Imami dhe Muli

Saliut gjatë mbretërimit të tij të gjatë si president dhe kryeministër iu krijua bindja se është i pavdekshëm dhe kur gabimisht i thanë “burrë shteti”, mendon se ka lindur vetëm për të drejtuar. Ai mbretërimin e parë në vitet ‘96-‘97 e mbylli me shkatërrimin total të shtetit, duke bërë realitet shprehjen e tij ogurzezë: “Pasi të iki unë, le të bëhet kiameti”. Gjatë mbretërimit të dytë ai ka bërë realitet shprehjen: “Punoni ju për të mirën e familjes sime”. Ky realitet i dhimbshëm, është prezent dhe tani në fund të mbretërimit te tij të dytë, kur po e le vendin si në vitin 1997, por pa armë nëpër duar. Me vendimin për tjetërsimin e SHQUP-it, ai synon të realizojë disa objektiva: Plotëson oreksin e familjes së tij politike, të rrënuar; përforcon pozitat dhe interesat e familjes së tij biologjike dhe interesat e familjes biologjike të Nishanit. Duke mos qenë më kryetar i PD-së dhe kryeministër, në mënyrë të pabesë grupoi treshen e kamikazëve, Luli, Beni dhe Muli (të cilëve ka kohë që në brez u ka vënë nga një kollan me kallëpe dinamiti)  dhe për t’i sakrifikuar i ka hedhur në “sulm” ndaj një objekti ushtarak si SHQUP-i, ku në tentativë për të hyrë në objekt do të kapen “robër”, duke u lënë mbi supe barrën dhe koston e këtij veprimi antiligjor dhe duke dalë vetë pa lagur. Për këtë “sulm” duhej marrë bekimi dhe miratimi i Komandantit të Përgjithshëm. Për këtë  keqperdori, samurain e presidences dhe e detyroi ate te beje nje harakiri (vetëvrasje politike), duke e dorëzuar në duart e maxhorancës së ardhshme, të gatshëm për shkarkim.

Saliu, ka dhënë prova që pa pushtet vdes. Tani po e ndjen se karriken e kryeministrit, ia mori populli dhe thellë në ndërgjegjjen dhe shpirtin e tij, (pavarësisht se i vendosi vetë), nuk mund të durojë as formalisht, që Nishani të jetë President, Luli të jetë kryetar i PD-së dhe ai vetë asgjë.

Mosha e tij nuk e përballon dot këtë goditje, ndaj në këto kushte trysnie, mungese orientimi dhe humbje ekuilibri që shprehet qartë në fytyrën e tij, ky ari plak i plagosur rëndë, është “egërsuar” dhe në mbledhjen e fundit të qeverisë gënjen, duke thënë se SHQUP-i ka humbur funksionet e tij që para 12 vjetësh, përgojon dhe ironizon ceremonitë mortore të heronjve dhe kolegëve tanë dhe na kërcënon ne që jemi gjallë, me heqjen e Statusit të Ushtarakut.

Me gënjeshtrat dhe kërcënimet e tua ne jemi mësuar, por me ceremonite mortore të heronjve dhe kolegëve tanë ç’pate o njeri i vdekshëm? Ushtarakëve të rënë në krye të detyrës u keni bërë një nderim dhe vlerësim farsë, apo me shpirt (mos harro, në mort të vjen dhe hasmi)? Për 8 vjet, pse nuk i vure para përgjegjësisë, ministrat dhe shefat e shtatmadhërisë të emëruar prej jush, që kanë lejuar daljen jashtë funksionit dhe degradimin (sipas jush) të SHQUP-it? Pse janë paguar kot për 12 vjet rresht me dhjetëra vetë në këtë institucion? Pse u kujtuat tani dhe nuk e bëtë këtë kalim para 12 vjetësh? Pse u kujtuat pas gati 23 vjetësh që selia e PD-së paska qenë pronë private? Pse kur nuk propozoi dhe nuk firmosi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm nuk u pezullua procedura antiligjore? Pse nuk e kalove nga MM direkt tek PD-ja, por fute si xhol Mulin e Rendit? Pse Beni, Muli dhe Nishani firmosin, kur janë në konflikt të pastër interesi? Tani u hap porta juaj e kujtesës, apo me mbylljen e portës së pushtetit, u hap porta e fundit e vjedhjes? Nese ju e degraduat këtë institucion, pse nuk e latë në gjendjen që është, për të provuar nëse drejtuesit e rinj do ta bënin atë funksionale” etj. etj.

Bjeri drejt more “burrë malësie” dhe thuaj hapur: Këtë veprim nuk e bëja dot më parë. Tani u poqën kushtet. Tani humbën shpresat për ringritjen dhe rikthimin e PD-së në pushtet. Tani rruga drejt kalasë së presidencës është e hapur, sepse atje nuk janë më “gardianët” e mbrojtjes të Kushtetutës, Moisiu dhe Topi. Tani në krye të piramidës shtetërore, është ushtar Nishani, i emëruar nga ju, që i bie murit me kokë për ju dhe nuk e ka problem të firmosë dekrete në shkelje të ligjit,  Kushtetutës dhe betimit të bërë para popullit. Ai si ushtar i PD-së, pavarësisht se është në konflikt interesi, si një sekser pronash, realizon synimet e tua, duke i dhuruar familjes tuaj politike që e zgjodhi president një objekt dhe truall, në zemër të Tiranës, që kap vlerën mbi 20 milion euro; duke i hapur dritën jeshile familjes së tij biologjike (vetes) që e bëri dhëndër, për të marrë një truall në selinë aktuale të PD-së dhe duke të dhuruar ty si kryetar nderi, një zyrë në SHQUP. Nishani akoma nuk e ka kuptuar që ju e keni vënë në atë detyrë për ta keqpërdorur dhe akoma më keq, nuk e kupton që ka ardhur koha të shkëputet nga kthetrat e tua, se ju tani jeni një shtetas i rrezikuar, që në zgjedhjet e ardhshme nuk dihet se nga ku do të votosh, nga qendra e votimit pranë qendrës së banimit apo diku tjetër.

Me firmosjen e këtij dekreti, perfundimisht u vërtetua se Nishani telekomandohet në distancë nga Saliu, është një ushtar besnik i tij dhe i PD-së dhe nga sot e tutje Saliu dhe oborri i tij do të kenë avokat mbrojtës Nishanin.

Ky është një fakt më shumë që bën të domosdoshëm hetimin dhe shkarkimin e këtij Presidenti sekser dhe partiak të pa ndreqshëm, për të mos e lënë dhe Saliun të mërzitet vetë, në rrugën e kthimit të borxheve që i ka këtij populli.

Qeveria e re pa asnjë lloj kompleksi dhe ngurimi duhet të hetojë çdo aferë, shkelje të Kushtetutës dhe ligjit. Ndëshkimi me prova dhe fakte i çdo titullari institucioni, qoftë ky dhe president, kryeministër, ministër etj., nuk është sulm ndaj institucionit. Nëse drejtësia vërteton që ka  prova dhe shkelje të rënda dhe futja e tyre në burg, nuk është revansh. Këto veprime janë të domosdoshme për forcimin dhe shëndoshjen e shtetit ligjor dhe ç’rrënjosjen e kulturës të pandëshkueshmërisë.

*Kolonel në rezervë