Hysni MULLALLI*/Bashkimi ushtarakeve është çelësi i suksesit të një partie centriste

541
Sigal

Kohët e fundit në shtyp, po artikulohet mundësia e krijimit të një partie, por akoma nuk është dhënë një panoramë e qartë për këtë lëvizje të re politike. Deri tani dukshëm të bien në sy, disa qëndrime dhe veprime monopolizuese e përjashtuese të nismëtarëve si: tendenca e monopolizimit të krijimit të kësaj partie nga drejtuesit e një shoqate të vetme; spektri politik i majtë ku mendohet të pozicionohet; mos përfshirja e të gjithë shoqatave të ushtarakëve ne këtë proces etj.

Lëvizja për krijimin e një partie, duhet vlerësuar, duhet përshëndetur dhe duhet mbështetur fuqishëm nga të gjithë ushtarakët dhe shoqatat. Por mendoj se është e nevojshme dhe e domosdoshme që platforma e kësaj lëvizje, të bëhet objekt i një diskutimi të gjerë me të gjitha shoqatat e ushtarakëve, të jetë një proces gjithëpërfshirës, i mirëstudiuar dhe i matur, sepse në fakt është një hap tepër i vështirë dhe kompleks, që nuk mund të realizohet me sukses nga një shoqatë e vetme. Këtë lëvizje e vështirëson së tepërmi, koha e kufizuar që ka ngelur deri në zgjedhjet e vitit 2013 dhe ekzistenca e shumë shoqatave, që nuk janë të bashkuara dhe në një mendje.
Për të kapërcyer këto vështirësi reale, duhet kontributi i të gjithëve, për të nxjerrë në pah, vlerat tona më të mira si: mirëkuptimin, bashkëpunimin, vullnetin, dëshirën dhe përgjegjësinë e përbashkët për ta aplikuar suksesshëm në praktikë këtë ide. Duke shpresuar që të mos keqkuptohem, për t’ia arritur këtij qëllimi dhe për të garantuar suksesin e pritshëm, mendoj:
1. Grupi nismëtar do jetë më rezultativ, po të ketë përfaqësues nga të gjitha shoqatat
Grupi nismëtar duhet përgëzuar, por futja në përbërje të këtij grupi dhe e përfaqësuesve të gjithë shoqatave të ushtarakëve do të jetë një vlerë e shtuar dhe e domosdoshme për ta futur procesin e nisur në rrugën e gjithëpërfshirjes. Për këtë nismëtarët, përfaqësues vetëm të një grupimi ushtarakësh, duhet të marrin kontakt pa vonesë me të gjithë kryetarët e shoqatave të tjera në qendër dhe të diskutojnë gjerësisht për detajet dhe modalitetet e kësaj nisme. Mendoj që detyrimisht në përbërje të këtij grupi nismëtar duhet të jenë kryetarët e shoqatave, si dëshmi e kontributit dhe mbështetjes të plotë të tyre dhe forumeve përkatëse. Si fillim duhet të pranojmë pozicionin dyzues të tyre: si kryetarë shoqatash a-politike dhe si nismëtarë të krijimit të partisë. Kur binomi shoqatë-parti të bëhet realitet, secili prej tyre do të kapë pozicionin e duhur, sipas vullnetit dhe votës së marrë. Grupi nismëtar nuk ka nevojë për një mbështetje fiktive apo demagogjike. Ai në këtë fazë ka nevojë për mendime dhe verëjtje konstruktive. Mbështetja më e mirë që mund t’i bëhet grupit nismëtar për krijimin e partisë nga kryetarët dhe forumet drejtuese të shoqatave është realizimi bashkimit të shoqatave të ushtarakëve në një shoqatë të vetme, si baza kryesore për krijimin e partisë së ushtarakëve.
2. Shoqata e bashkuar e ushtarakëve është themeli dhe forca kryesore mbështetëse për të krijuar e pasur një parti gjithëpërfshirëse, të fortë dhe të suksesshme
Bashkimi i shoqatave të ushtarakëve, në një të vetme, me një program të qartë dhe me një bord drejtues jopolitik, duhet të jetë objektivi kryesor i ditës dhe guri i provës që do të vërtetojë nëse ekziston vullneti real për bashkim. Vetëm pas lënies të një shoqate të fortë, unike dhe të konsoliduar, e cila do të garantojë vijimësinë e punëve, mund të diskutohet, hartohet dhe zbatohet platforma e krijimit të një partie gjithëpërfshirëse për ushtarakët, policinë, dhe gjithë shqiptarët pa dallim bindjesh politike, me synim që me siglën e saj të garohet në zgjedhjet e vitit 2013.
Partia, nuk duhet të zëvendësoje dhe prek identitetin, mëvetësinë dhe statusin e shoqatës së bashkuar të ushtarakëve, por ajo duhet të alternojë qëndrimet e saj me shoqatën, e cila do të jetë çelësi magjik i suksesit të kësaj partie. Shoqata duhet të jetë gjithmonë aktive, për të garantuar dhe krijuar hapësirat e nevojshme të bashkëpunimit me ato institucione dhe në ato drejtime specifike, që një parti politike e ka të pamundur. Kështu, p.sh. shoqatat ushtarake homologe të vendeve të NATO-s, dhe organizmat e rëndësishëm si i CIOR-i, EUROMIL-i etj. nuk njohin dhe nuk bashkëpunojnë me parti për të zgjidhur të drejtat e ushtarakëve. Këtë bashkëpunim dhe sensibilizim të tyre për të na ndihmuar në zgjidhjen e problemeve tona, e garanton dhe në vijim, shoqata e ushtarakëve. Po ashtu Ministria e Mbrojtjes që e ka për detyrë të merret me integrimin e ushtarakëve në rezervë e lirim dhe me zgjidhjen e të drejtave të tyre, nuk mund të bashkëpunojë me një parti politike, sepse këtë nuk e lejon ligji. Shoqata e bashkuar e pa pozicionuar politikisht i ka dyert e hapura. Ajo mbi bazën e një plani të detajuar e mirëstudiuar, bashkëpunon me Ministrinë e Mbrojtjes, për shumë probleme jetike si: për pensionet; për mundësinë e integrimit të ushtarakëve në jetën civile; për sigurimin e vizitave mjekësore brenda dhe jashtë vendit apo ilaçeve; për zgjidhjen e problemit të strehimit etj.,etj. Këto detyra bashkëpunimi tepër të rëndësishme dhe shumë të tjera, për një parti politike janë një mision i pamundur.
3. Partia, duhet të jetë centriste, gjithëpërfshirëse dhe pa barriera politike
Mendoj që lëvizja për të krijuar një parti, nuk duhet të projektohet, si e majtë apo si e djathtë dhe nuk duhet të ketë si barrierë bindjet politike. Vetëm një parti centriste dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë ushtarakët, familjet e tyre dhe më gjerë, do të jetë e fortë dhe do të garantojë suksesin.
Partia dhe shoqata e ushtarakëve sigurisht që do të kenë veçoritë programore dhe statusore, por boshti misionar i tyre duhet të bazohet në tre shtylla kryesore: në karakterin dhe çështjen kombëtare; në ruajtjen e vlerave dhe traditave më të mira patriotike të popullit tonë dhe në mbrojtjen e të drejtave ligjore dhe ekonomike të ushtarakëve. Për realizimin e tyre duhet të ketë një plan bashkëpunimi afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë të përbashkët dhe të garantohet një bashkëpunim i përhershëm dhe efektiv midis partisë dhe shoqatës.
Një parti e projektuar, si e majtë apo si e djathtë, për mua është absurditet, sepse të gjithë ushtarakët që janë me bindje të tjera, automatikisht ngelen jashtë radhëve të saj. Në këtë rast do të ndodhë që grupimi i ushtarakëve me bindje të njëjta, nuk do të jetë më një bisht i pa legalizuar i partive të mëdha si dikur, por një shtojcë e legalizuar e spektrit politik përkatës. Një parti që ideohet si parti e një grupimi të caktuar ushtarakësh me bindje të njëjta, nuk u duhet ushtarakëe. Ajo do të jetë përjashtuese, do ta dëmtojë rëndë çështjen e ushtarakëve, do të jetë një investim tjetër negativ që do ta thellojë më tej përçarjen tonë, duke e bërë atë të pariparueshme.
Nismëtarët dhe përkrahësit e kësaj ideje, duhet t’a kenë vënë re që partitë politike sot bashkëpunojnë dhe me djallin, për të maksimalizuar votat e tyre. Atyre vetëm ky fakt duhet tu mjaftojë për të ndërruar mendim dhe për tu tërhequr nga ideja e krijimit të një partie me barriera politike dhe jo gjithëpërfshirëse. Nëse duhet bërë një parti, ajo duhet t’i ketë dyert e hapura për të gjithë ushtarakët, askush nuk ka të drejtë t’i rindajë ushtarakët sipas bindjeve politike dhe t’i privojë ata nga bashkimi dhe bashkëpunimi me njëri-tjetrin, si kolegë të një ideali dhe një llogoreje.
Ata që do të guxojnë të marrin mbi supe përgjegjësinë e një përçarje të re, shumë shpejt do ta kuptojnë që një parti e tillë do jetë e izoluar, e veçuar dhe nuk do të mbështetet nga masa e gjerë e ushtarakëve. Pa këtë mbështetje, ajo nuk do të dalë dot nga “inkubatori” i saj politik, sepse do të jetë e pafuqishme, e dobët dhe anemike për t’u ngritur në këmbë. Përpos kësaj shumë shpejt do të dëgjojmë që “inkubatori” i saj do të shndërrohet një “kioskë” partiakë e radhës, që nuk do të jetë në gjendje të shesë as gazetat e veta dhe për rrjedhojë dështimi, në realizimin e misionit dhe qëllimit të saj është i sigurtë.
Së fundmi, ritheksoj se vetëm një parti centriste, që të përfshijë të gjithë ushtarakët pa dallim bindjesh politike dhe që garanton një bashkëpunim të ngushtë dhe të përhershëm me një shoqatë ushtarakësh, të bashkuar, të mirëorganizuar dhe jopolitikë, do të sigurojnë vijimësinë e punës së nisur, do të sjellin një risi dhe impuls të ri pozitiv në zgjidhjen e të drejtave të ushtarakëve, do të mundësojnë dhe lehtësojnë gjetjen e gjuhës së përbashkët, unifikimin e veprimeve, rritjen e besimit, aktivizimin dhe mobilizimin e të gjithë ushtarakëve. Kjo është rruga e vetme që garanton suksesin e binomit shoqate- parti. Le të shpresojmë që ky binom i paprovuar më parë, të ofrojë një zgjidhje të drejtë, definitive dhe të qëndrueshme të problemeve dhe të drejtave të ushtarakëve.
*Kolonel ne rezerve