Hyqmet ZANE/Rivrasja e grupit të Teme Sejkos dhe çamëve pas 53 vjetësh

933
Sigal

Iku edhe një vit dhe u mbushën 53 nga ai vit i zi, kur do të arrestoheshin më 28 korrik 1960, ora 10 në të gjithë Shqipërinë pjesëtarët e ta ashtuquajturit “grupi i Teme Sejkos” dhe pas 10 muajsh gjykata ushtarake shqiptare e diktaturës do tu jepte dënimin dhe do t’i pushkatonte. Nuk ishin pak, por plot 63 shqiptarë, ku një pjesë e tyre u pushkatuan dhe një pjesë tjetër vuajti 1250 vite burg, pa folur më pas për privacionet që pësuan familjet dhe farefisi i tyre. Ishte një hakmarrje greke brenda Enver Hoxhës, si bashkëpunëtori më i mirë i tyre që i kishte në Byronë e tij.

Pas shumë vitesh, pas ekzekutimit të Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut, ka qenë vetë diktatori Hoxha që ka pranuar se në rastin e grupit të Teme Sejkos, nuk kishte informacionin e duhur dhe “u nxituam në pushkatimin e tyre”, duke ia faturuar këtë gjë si frut të sigurimit të shtetit dhe personalisht kreut të saj Kadri Hasbiut. Edhe helmimi i Hilmi Seitit ishte pjesë e skenarit që kishte bërë sigurimi i shtetit për të zbatuar një plan ogurzi me qëllim për t’i kthyer përgjigje Hurshovit dhe rusëve se ne jemi syhapur dhe nuk shitemi tek imperializmi për “30 aspra”. Bile u përkthye edhe një libër në rusisht më 1961, që, i përkthyer këto vitet e fundit në shqip titullohej “Dështimi i radhës, Komploti i Teme Sejkos” që vërtetonte se sigurimi dhe diktatori ishin të interesuar të bënin publik siç edhe e bënë se si eliminuan një “grup armiqësor” imagjinar.

E kam thënë edhe në shkrime të tjera rreth kësaj teme që shkaku i vërtetë i krijimit të të ashtuquajturit “grupi armiqësor i Teme Sejkos” ka qenë biseda që ka bërë Hurshovi me Enver Hoxhën në Sarandë më 1959 kur i tha “shoku Enver, ti më ankohesh për Mehmetin se jo kështu e jo ashtu, ja ku e ke kryeministrin”, duke i treguar Teme Sejkon, pas ankesave që Enveri i kish bërë Hurshovit për kokëfortësinë dhe mosdëgjimin e Mehmetit. Këto janë fjalë që janë thënë nga Halim Xhelo, pas arrestimit të tij në atë kohë edhe ai i burgosur në një bisedë me njërin nga të burgosurit e këtij grupi, Lufti Sejkos. Sajesa përmes xhelozisë çoi në krijimin e grupit që nuk e pranoi ta udhëhiqte Hilmi Seiti (të cilin e helmuan) dhe që me dajak e të futura në arkivol të gjallë e pranoi Teme Sejko. Pasi vëllai i madh i Temes, Taho, morti vesh se çfarë broçkulliste i vëllai në hetuesi për sajesën që i kishin servirur, shkëmben replikë duke i thënë “çfarë të kanë bërë more vëlla që pranon këto broçkulla”. Tahon e zhdukën pa e nxjerrë në gjyq, ashtu si edhe Shaban Ademin që nuk e pranoi planin e sajuar të sigurimit.

Sot, pas 53 vjetësh, përsëri me sajesa Auron Tare kërkon të bëjë pis dhe riakuzojë për të vërteta sajesat e Enver Hoxhës dhe sigurimit të shtetit, duke hamendësuar me një të ashtuquajtur mision të së “premtes” në Konispol më 23-26 korrik 1954. Se çfarë lidhje ka ky mision me Teme Sejkon dhe të ashtuquajturin grup të tij, këtë Auroni nuk ka se si ta sqarojë, por vetëm hamendëson. Pse e them këtë? Sepse nga hetimet në gjyq të Teme Sejkos e të tjerëve, nuk ka dalë kurrë një gjë e tillë që na e nxjerr si alibi Tare me një lloj sjellje tipike si të sigurimit të shtetit që sajonin dhe kërkonin që të pranoheshin këto sajesa.

Sa për kujtesë, duhet thënë se pas 10 muajsh arrestimi të atij 28 korriku 1960 në orën 11, hetimi dhe shantazhimi barbar në dhomat e inkuizicionit komunist, diktatori dha verdiktin e pushkatimit të grupit të ashtuquajtur “grupi i Teme Sejkos dhe Tahir Demit”. Ka qenë 30 dhe 31 maji i vitit 1961 që togat e pushkatimit do të zbraznin karikatorët e armëve të tyre mbi bijtë shqiptarë të nënave çame. Ishin Teme Sejko, Tahir Demi, Avdul Resuli, Ali Xhelo Arapi, Hajri Mane, që pas atij gjyqi të fund majit 1961 do të pushkatoheshin, ashtu siç nuk vriteshin as edhe kuajt e jo më njerëzit. Shumëkush ka hamendësuar përmes copëzave të bisedave dhe historive të treguara dhe të shkruara se vrasjet e këtyre djemve të Çamërisë kanë qenë të formave të ndryshme dhe në vende e kushte të ndryshme nga më çnjerëzoret dhe makabre. Për Teme Sejkon ka edhe më shumë se kaq, se janë kujtime të njerëzve që kanë qenë edhe dëshmitarë se çfarë mynxyrash nga më të paimagjinueshmet që mund t’i bëhen një njeriu, një shqiptari nga pseudoshqiptarët, një luftëtari antifashist dhe kundëradmiralit të vetëm që kishte flota shqiptare që përfundoi aq tragjikisht pa nam e pa nishan.

Edhe sikur të ishte e vërtetë kjo sajese e të ashtuquajturi grup armiqësor i Teme Sejkos, me akuzat për lidhjet e këtij grupi me “imperializmin amerikan dhe Flotën e 6 amerikane” nuk u provuan se asnjeri prej pjesëtarëve të familjeve të tyre nuk u trajtua me pensione apo privilegje të tjera që bëjnë në këso rastesh amerikanët siç edhe për të tjerë që i kanë kryer këto shërbime. Gjithashtu, do të isha i kënaqur që bashkëkombësit e mi të kishin bërë përpjekje për rrëzimin e një regjimi diktatorial që, vetëm vrau shqiptarët dhe bëri shtetin më të zi diktatorial në Europën Lindore. Mendime apo pohime të tilla nuk kanë bërë asnjëherë asnjë prej pjesëtarëve të sigurimit të shtetit gjatë kohës dhe më pas, çka na jep të drejtën të themi se përse Tare bën një hamendësim të tillë, na cilat rrethana niset dhe çfarë qëllimesh kanë këto shkrime dashakeqëse dhe të pavërteta që mund të kenë lidhje me çdo gjë tjetër, por jo me të ashtuquajturin “grup armiqësor të Teme Sejkos”.

Mashtrimin me ç’do mjet që justifikonte qëllimin të Teme Sejkos e të tjerë që nuk mund të besonin se mendjet e shqiptarëve bastard do të shkonin aq larg sa realisht do tu merrnin jetën, vetëm e vetëm se i ishin futur lojës. Sa e sa grupe u sajuan më pas, vetëm e vetëm që të çohej në vend ideja fikse e diktatorit për të eliminuar të gjithë elitën intelektuale shqiptare që nuk u bënë pjesë e strategjisë së UDB përmes emisarëve serbë të saj, Popoviç, Mugosha e Stojniç e sa e sa të tjerëve. Ishte kjo ide që zhduku klerin katolik shqiptar vetëm e vetëm pse ata ushqenin antishkjaun të frymëzuar nga Homeri shqiptar, Gjergj Fishta. Ekziston mendimi se të gjitha të ashtuquajturat “grupe armiqësore” që u eliminuan pas atij nëntori famëkeq 1944, do të ishin ekskluzivisht intelektualë që kishin mbaruar jashtë shtetit, ish nxënës të shkollës amerikane të Harry Fulz, apo që nuk pranuan të viheshin në shërbim të planeve serbe që nga Mustafa Gjinishi e më tej që u bënë viktima të tradhtisë komuniste.

Ishte kjo klikë antishqiptare që në “emër të popullit” vranë, ekzekutuan, varën apo eliminuan pa gjyq edhe këtë grup të Teme Sejkos e Tahir Demit. Ishte i pari dhe i vetmi gjyq që u bë me altoparlantë dhe publik, si shprehje e urrejtjes krahinore që futi vetë Enver Hoxha në mes shqiptarësh. Këtë fenomen nuk mund ta ndalonin as trupa e avokatëve që ishin thjesht formalë, sa për të thënë përballë një prokurori xhahil, si Aranit Çela, që në atë kohë ishte Prokuror i Përgjithshëm dhe një trupi gjykues që vepronin mbi bazën e urdhrave dhe jo të drejtësisë siç ishin Shuaip Panariti, kryetar i Gjykatës së Lartë, gjen.major Muharrem Kokomani, kol. Sotir Spiro, kol. Bejto Isufi, n/kol. Hilmi Telegrafi dhe sekretar séance Murat Deliallisi. Përballë këtij grupi “armiqësor” të sajuar ishin vetë ata që e kishin sajuar, ishte vetë diktatori dhe sigurimi i shtetit. Ky moment ka qenë bërë publik në debatin mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hasbiut kur do të dënohej ky i fundit.  Eliminimi i këtij të ashtuquajturi grup armiqësor, ishte edhe një avokati e shkëlqyer që qeveria e Enver Hoxhës i bënte tezës greke për eliminimin e elitës intelektuale çame që kishte dalë nga lufta antifashiste dhe që ishin përfaqësuesit e atij angazhimi të kësaj krahine në luftën antifashiste gjatë Luftës II Botërore. Ishte kjo tezë që ende edhe sot e kësaj dite qarqet zyrtare greke e thonë dhe rithonë sa herë që vjen fjala tek çështja çame dhe zgjidhja e saj. Është rasti për të thënë se shumë nga ata që u cilësuan armiq ishin në strukturat drejtuese të luftës dhe që së bashku me pjesën tjetër të komunitetit çam të organizuar në Batalionin 4 të Regjimentit 15, përbënin edhe pjesën e rëndësishme të kontributeve të Çamërisë në këtë luftë. Do të doja të fiksoja këtu luftën 55 ditore të Konispolit ndaj forcave gjermane, ku edhe ranë shumë dëshmorë. Ishte një luftë e vërtetë si asnjë luftë tjetër e ta ashtuquajturës ushtri shqiptare.