Hyqmet ZANE/Gjuetia antishqiptare e grekëve si kafshët në pyll

655
Sigal

Edhe një shqiptar tjetër u ekzekutua nga policia greke. Një lajm i trishtueshëm që dhemb dhe të krijon ndjesinë e keqardhjes për një shqiptar të arratisur nga burgjet greke së bashku me disa shokë të tij. Burgu i Trikallas është bërë tashmë i njohur publikisht për arratisjet e bujshme, jo vetëm të shqiptarëve, po aq sa është bërë edhe i bujshëm edhe trajtimi ç’njerëzor i të burgosurve në përgjithësi dhe i shqiptarëve në veçanti.

Marian Kola u ekzekutua nga plumbat e policisë greke, pasi edhe ai vetë nuk do të donte të binte i gjallë në duart e kësaj policie, gjë të cilën e kishte deklaruar që kur hyri në burg. Ashtu si Alket Rizai që u arratis në mënyrë spektakolare, edhe për Marjan Kolën dhe të burgosurit e tjerë shqiptarë, ka një emërues të përbashkët që i detyron ata të bëjnë veprimin e arratisjes. Shkelja e çdo të drejte njerëzore brenda këtyre burgjeve, veçanërisht ndaj shqiptarëve, është në sinkron me keqtrajtimin e herëpashershëm 23 vjeçar që i ka bërë policia dhe shteti grek emigrantëve nga Shqipëria. Është një dramë që pasqyron me realizëm tragjedinë e njerëzve me emrin “shqiptarë” që pas hapjes me botën në vitin 1990, emigruan ashtu si në Greqi edhe në Itali, në Gjermani, në Francë, në Angli, në Austri, në Zvicër, në SHBA e gjetkë. Por duhet thënë me zë të lartë se e ashtëquajtura pritje nga shteti grek dhe popullata e këtij vendi, ka qenë një shfrytëzim tej çdo parafytyrimi që Greqia e ashtëquajtur “demokratike” u ka bërë shqiptarëve.
Realisht ky është epilogu i kësaj vepre antinjerëzore dhe vrastare, ky është epilogu i një drame me të njëjtët aktorë : Grekët kundër shqiptarëve. Unë nuk mund të them se e njoh aq mirë historikisht marrëdhëniet shqiptaro-greke që shpesh pseudo-ambasadorë apo diplomatë, politikanë apo servilë shqiptarë kërkojnë të thonë se “kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë”, gjithçka mund të kemi patur, por kurrë marrëdhënie të shkëlqyera nuk kemi patur, bile as të mira nuk i kemi patur këto marrëdhënie. Do doja t’i referohesha njërit prej apostujve të shqiptarizmës, të madhit Faik Konica, në tregimin e tij “ Ju rrëfej grekët”: “… Pas një farë periudhe, Thanasi i nisi përsëri përndjekjet, madje edhe më të egra se më parë. Siç shkruan Mihail Dukasi, ndërsa Gjin Shpata mblodhi një ushtri dhe e rrethoi Janinën, kryeqytetin e vjehrrit të vet, Thanasi çdo ditë nën flamurin e armëpushimit i dërgonte
Shpatës një shportë me sy të nxjerrë nga kokat e shqiptarëve fatkeq dhe kjo dhuratë e kobshme vazhdoi derisa u hoq rrethimi.  Siç e thotë historiani, ambicia e Thanasit ishte të fitonte nofkën e Albanoktonos që do të thotë Shqiptarovrasës….”
Apo të citoj këtu vargjet e të madhit Asdren tek “Grekomanët”
“Po sa turp është për një shqiptar,
Kur ai di ku është lerë,
E në vend që të jetë atdhetar,
Vete bashkohet me të tjerë !
I vjen ndot, s’flet për Shqipërinë,
S’do t’i afrohet çdo njeri,
E dëgjon se lëvdon Greqinë,
Se ajo i dha mjaft dituri.
Pra, tërë ata që e mohojnë,
Gjuhën dhe mëmën që kanë,
Dhe për Greqinë që punojnë
Këta i quajmë grekomanë !
Këta janë turpi i atdheut
Dhe plaga e Shqipërisë ;
Të shuhen nga faqja e dheut
Se janë bijtë e robërisë”.
Por kam një të drejtë morale që ma jep origjina ime të risjell në kujtesën e këtij opinioni se, për të njohur grekët, dikur kam shkruajtur: “Pyesni çamët, t’iu rrëfejnë grekët”. Në këto 100 vjet të shkuara, të pretendimit si shtet i pavarur, për fatin e keq kemi qenë të varur nga ndërhyrjet e hapura apo të fshehura të agjenturave të ndryshme, por më së shumti në këto 20 vjet kemi manifestuar se jemi të varur me ose pa dëshirë nga Athina zyrtare përmes diplomatëve të tyre dhe atyre shqiptarë , si llogjeve antishqiptare dhe frymës po aq antishqiptare që ka ushqyer minoriteti grek në këtë vend.
Duhet thënë se prologu antishqiptar i Greqisë mori udhë pikërisht atëherë kur shqiptarët luftuan për pavarësinë e Greqisë dhe shpërblimi ishte pabesia dhe ç’njerzillëku, mosmirënjohja dhe kriminaliteti.

Marian Kola është i fundit në listën e gjatë të vrasjeve dhe masakrimeve që në mënyrë sistematike Greqia u ka bërë shqiptarëve. Por ajo që duhet të na shqetësojnë më shumë është heshtja ndaj krimit grek me të gjitha llojet e formave. Duhet të na shqetësojë shumë, pajtimi me këtë realitet dhe mos reagimi si një komb ndaj një shteti që ndaj shqiptarëve ka provuar të gjitha llojet e shkeljeve të të drejtave të njeriut deri në gjenocid, apo si kjo e fundit në një ndjekje shtetërore, policeske, ndaj disa shqiptarëve që, për ti shpëtuar keqtrajtimit në burgjet greke si në Trikalla, kanë gjetur mënyrën se si të ikin, të arratisen, të kërkojnë shpëtim nga një e keqe që edhe Zotin do ta zemëronte.
Ndoshta heshtja ndërkombëtare e një gjuetie antinjerëzore me vrasje si të kafshëve në pyll e shqiptarëve, bëhet akoma më trishtuese duke e emërtuar këtë si një aparteid ndaj zezakëve të Afrikës, kur këta ndërkombëtarë europianë bëjnë të shqetësuarin për gjendjen e komunitetit rom, apo të minoritetit grek në Shqipëri, kur në fakt nuk ekziston një shqetësim i tillë dhe heshtin përpara genocidit si në Çamëri, 70 vjet më parë, apo ekzekutimeve policeske si në këto 20 vjetët e fundit, flet për një bashkëfajësi europiane ndaj shqiptarëve. Ky është mjerim i të ashtëquajturës “urtësi europiane”. Ky është gjymtim i të drejtave të njeriut që kërkon Europa. Ky është kriminalitet me miratim edhe të vetë Europës, 100 vjet më parë me Konferencën e Londrës.