Hekuran HALILI/Votoni rezolutën për Çamërinë

665
Sigal

Sot, pas 65 vjetësh nga dita kur na shkulën me rrënjë nga vatrat tona stërgjyshore, në një pastrim etnik nga me të egrit në Evropë , çështja çame gjendet me afër se kurrë më parë për t’u njohur nga shteti shqiptar, për të zënë vendin e duhur në veprimtarinë e tij për zgjidhjen e saj, si pjesë e rëndësishme e çështjes mbare kombëtare, që historia ja ka lënë trashëgim nga e kaluara. Tingëllon pak si absurditet që ende pas 22 vjetësh nga përmbysja e rrëgjimit komunist i cili problemet kombëtare të pa zgjidhura jo vetëm nuk i mbështeti, por përkundrazi i rrethoi me tela me gjemba, shteti demokratik shqiptar i cilësdo force politike në pushtet, nuk e ka njohur ende çështjen çame. Por fatkeqësisht kështu është. Për të qenë më të saktë, Rezoluta për Çamërinë ka qenë edhe më parë në dyert e parlamentit për t’u votuar. Ishte viti 2004, kur shoqëria Politiko-Atdhetare Çamëria, me mbështetjen e një grupi prej 28 deputetësh nga të gjitha forcat politike me në krye z. Shpëtim Rroqi,e futi rezolutën për miratim. Madje u shkua kaq afër miratimit të saj, saqë edhe të dyja grupet parlamentare, ai i PS me z. Gramoz Ruçi në krye dhe ai i PD i kryesuar nga z. Bamir Topi, në takimet me ne, ranë dakord për ta votuar unanimisht. Por rezoluta 15 minuta para votimit, me një urdhër telefonik, urdhër i gatuar në kuzhina antishqiptare, por i gëlltitur nga shqiptarët që ushqeheshin e ushqehen në këto kuzhina, u sabotua nga deputetët e majtë, me përjashtim të 5 vetëve, të cilët ne i kemi falënderuar për qëndrimin e tyre patriot dhe emrat e tyre i përmendim shpesh me mirënjohje. Grupi parlamentar i PD i ndodhur në sallë e votoi i gjithi, duke dëshmuar atdhetarizëm e përgjegjësi historike për problemet kombëtare që kërkojnë angazhim kombëtar e ndërkombëtar. Historia e kombit edhe kur nuk ishte e shkruar shqip, nuk humbi, e nuk u harrua, e jo me kaq e afërt siç është ajo e vitit 2004. Ne parlament të nderuar deputet veç fjalëve e zënkave, ligjeve e politikave, bëhet e prodhohet edhe histori kombëtare. Votimi i rezolutës, ishte e është me shumë gjasa, akt që i ngjan aktit të firmëtarëve të Pavarësisë në 1912, në Vlorën e madhe të Ismail Qemal bej Vlorës. Çfarë do të thuhej në këtë 100- vjetor për ata firmëtar, të cilët do të kishin refuzuar firmën për shpalljen e shtetit shqiptar?!…Të gjithë e kuptojmë dhe e dimë dhe nuk është nevoja as ta përmendim atë fjalë të rëndë, që të njollos me damkën e turpit për tërë jetën në breza e breza. Kaluan 8 vjet dhe ja Rezoluta çame është përsëri në dyert e parlamentit, në dyert tuaja të nderuar parlamentar. Këtë herë bashkë me Shoqërinë Çamëria e sollën tek ju edhe dy deputetet e PDIU-së, forcë politike e dalë nga gjiri i komunitetit çam si reagim pozitiv mbas asaj që ndodhi në 2004 me Rezolutën. Nga 2004 e deri tani, ndonëse pak vite, kanë ndodhur shumë zhvillime politike, ekonomike, kombëtare e ndërkombëtare. Tani Shqipëria është rritur e pjekur politikisht, është forcuar, është futur në NATO, ka hequr vizat e qarkullimit nëpër shtetet evropiane, viza të cilat ishin mjet i fortë presioni. Është bërë Kosova martire, është fuqizuar elementi shtetformues shqiptar në Maqedoni, i shqiptarëve të Malit te Zi, është rritur autoriteti i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në botë, kemi miq e aleatë strategjik që u dëgjohet fjala. Edhe gatitja e vendit për t’u futur në Bashkimin Evropian, edhe dëshira evropiane për të na pasur mes saj, për mua janë arritje, pavarësisht se nuk u finalizuan për inate politike, inate që sjellin pasoja e duhen harruar.

 Tani, parlamenti i Shqipërisë e parlamentarët e saj, nuk besoj se do të urdhërohen çerek ore para votimit me një telefonatë që mos e votoni rezolutën për Çamërinë. Të nderuar deputet socialist. Është rastësi e fat që i jepet shumicës tuaj të votoni për së dyti Rezolutën për Çamërinë, mbasi shumica juaj kanë qenë edhe në votimin negativë të 2004-s. Besoj se, në këto 8 vjet u ka brejtur sadopak ndërgjegjja për pengesën që i keni sjellë çështjes çame duke e penguar atë të hyjë në agjendën e veprimtarisë së shtetit shqiptar me të gjitha përgjegjësitë e kontributet që meriton, e keni evoluar në mendim. Këtë evoluim e ka manifestuar edhe Partia Socialiste, mbasi e ka futur në programin e saj problemin çam, edhe se vet Z. Rama është duke u prononcuar publikisht për strategjinë e bashkimit kombëtar. Është rasti të tregoni me vepra seriozitetin e vërtetësinë e atyre që thoni e programoni. Për të gjitha këto e shumë e shumë të tjera, votoni rezolutën për Çamërinë në bllok. Sa për ju deputet demokrat të cilët e votuat me koshiencë e ndërgjegje të lartë kombëtare rezolutën që në vitin 2004, s’ka pse t’u bej thirrjen amanet të brezave të vrarë, të masakruar, të brezave që luftojnë për të sot, për brezat që do të vinë, për gjithë shqiptarët. Votoni Rezolutën për Çamërinë, mbasi do të ndjeheni të ofenduar. A ka rast më të madh e sublim për z.Sali Berisha të nderohet duke votuar ketë rezolute e të bëjë realitet premtimin e tij në vitin 2009, kur u nënshkrua marrëveshja e koalicionit zgjedhor, i cili u shpreh:-“Do të jem avokat i çështjes çame”?! Votoni të nderuar parlamentar unanimisht Rezolutën për Çamërinë, madje  edhe ju z, Dule, mbasi ajo nuk kërkon ndërrim kufijsh apo pretendime territoriale, ajo nuk kërkon prishje marrëdhëniesh me Greqinë, por përkundrazi. Ajo ngre këmben e dytë të urës së miqësisë mes kombeve tona, mbasi ura me një këmbë nuk qëndron. Votojeni rezolutën edhe si një sihariq kombëtar, dhuratë kombëtare për tërë shqiptarët ku jetojnë e punojnë, në këtë vit te ri, Vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Votoni Rezolutën çame të nderuar deputet të parlamentit shqiptar.