Hekuran BAJRAMI*/ Ushtarakët të diskriminuar, shteti vazhdon antikushtetueshmërinë në zbatimin e ligjit

754
Sigal

Kushtetuta rrëzoi disa vendime si diskriminuese, qeveria nuk zbaton vendimet e saj. Do reagojmë!

Vazhdon persekutimi moral dhe financiar i ushtarakëve. Aktualisht vazhdon të zbatohet ligji 10142 dt. 15.05.2009, për pensionet suplementare të ushtarakëve, policisë së shtetit, shërbimit informativ etj.. Më herët ky ligj u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në rezervë të Shqipërisë. Në ankimimin e këtij ligji SHKURSH, u nis nga dy parime: Së pari për të mbrojtur kushtetutën, sepse në ligj dukeshin hapur disa nene për antikushtetueshmëri, e së dyti për të mbrojtur interesat e ushtarakëve që ishin fituar me ligjet e mëparshme dhe tani përkeqësoheshin duke rënë në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike dhe me parimin se një ligj nuk mund të bëhet më i keq se i pari. Si mund të qëndronte indiferente dhe të mos bënte ankimimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese SHURSH, kur ishte përcaktuar një herë tavani i pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në ligjin 9418 dt 20.05.2005 dhe kjo ulet pa të keq në masën e 50 për qind, duke shkelur kështu parimin e sigurisë juridike dhe atë që një e drejtë e fituar më parë nuk mund të mohohet. Po kështu antikushtetueshmëria e ligjit, vihej re shumë thjesht edhe në nenin tjetër, ku thuhej se për shkak të një vepre penale je dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, nuk fiton pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Pra, ligji vendos që për një vepër penale të dënohesh dy herë, një herë sipas vendimit të gjyqit dhe tani me këtë ligj të dënohesh financiarisht. E tmerrshme dhe skandaloze gjithashtu ishte përmbajtja dhe efekti tepër negativ, anti- kushtetueshmëria e nenit 29 të ligjit 10142, ku thuhej që të rivlerësohen sipas tij, pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi e atë suplementare të pleqërisë, pavarësisht se kur u ka lindur e drejta, përfshi ato me vendim gjykate. E pra, Parlamenti miraton një ligj, një nen të cilit hedh poshtë vendimet e gjykatave. I jep të drejtë sigurimeve shoqërore, që me një akt administrate të rrëzojë e ndryshojë pensionin  e parakohshëm në përkeqësim e në kundërshtim me vendimin e gjykatës. Këtu të bën përshtypje fakti, se ky ligj ashtu si dhe gjithë të tjerët ka kaluar në disa komisione të parlamentit, që shërbejnë si filtra për të përpiluar  dhe miratuar ligje sa më të saktë e jo më anti-kushtetues. Në këtë kuadër nuk mund të lëmë pa përmendur faktin që mjaft deputetë, specialistë, pushtetarë në emisione televizive, në media e opinione, na bëjnë moral për mbrojtjen e kushtetutës, për shtetin e së drejtës dhe kur vjen puna nuk i dëgjojmë që të japin kontributin e tyre për të mos lejuar miratimin e ligjeve me nene anti -kushtetuese, ose të reflektojnë, pasi këtë punë e bëjnë të tjerët dhe Gjykata Kushtetuese. Do të thoshim gjithashtu, që ky ligj në disa nene antikushtetues, u dekretua pa të keq dhe nga Presidenti, që është garant si kushtetues së bashku me gjithë ata specialistë e këshilltarë që ka për këtë qëllim. Kemi të drejtë të themi të gjitha këto, se ankimimi ynë për këtë ligj qe i drejtë dhe kemi aktualisht vendimin nr 33 dt. 24.06.2010, të Gjykatës Kushtetuese, ku nenet që përmendëm më sipër I ka gjetur antikushtetues. Ndërsa prisnim që të bëheshin amendimet e nevojshme në ligj po të zbehej vendimi I Gjykatës Kushtetuese dhe të vihej në zbatim. Qeveria miratoi një akt normativ në Dhjetor të vitit 2010, por qe një kundërvënie ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe vet ligjit Nr 10142 dt 15.05.2009, që ndryshoi formulën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, duke e përkeqësuar përfitimin edhe në krahasim me ligjin e miratuar në 15.05.2009. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, thuhet se: rillogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, të bëhet vetëm në ato raste kur ka efekte pozitive dhe në asnjë rast kur ka kthim mbrapa, në të kundërt ai është antikushtetues dhe bie në kundërshtim me sigurinë juridike. Por, kjo nuk u zbatua e nuk po zbatohet dhe me akte administrative në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese është bërë rillogaritja duke i ulur ato në pension minimal. Në këto kushte shumë ushtarakë i janë drejtuar dhe po i drejtohen gjykatave duke i paditur sigurimet shoqërore për aktin e padrejtë dhe në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Mjaft prej tyre e kanë fituar gjyqin dhe të tjerë janë në proces e sipër. Në vendimet gjyqësore të fituara, gjykata ka dhënë vendime pozitive për ushtarakët, ku ndër të tjera thuhet se: “Në mbështetje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese Vendore, kthimin e pensionit në nivelin e mëparshëm, kthimin e parave të mbajtura dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës së paditur”. Në këtë çështje ka një seri të këqijash, në radhë të parë nuk funksionon shteti ligjor, shteti i së drejtës, pasi nuk zbatohen vendimet e gjykatave, e aq më keq vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Si është e mundur që të zhvillosh çështjen në shkallën e parë apo dhe në apel për të siguruar zbatimin e vendimit të gjykatës kushtetuese. Themi pastaj, pse nuk na japin të drejtën e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Ja pra, këto janë arsyet, pasi nuk ka pavarësi të pushteteve, nuk ka shtet të së drejtës, ka korrupsion, ka venitje të demokracisë etj. Nga ana tjetër në vend që organet shtetërore të zbatojnë vendimet e gjykatave siç përcaktohet në Kushtetutë, detyrohen pyetësorët të sorollaten pafund në dyert e gjykatave, duke i ngarkuar këto të fundit me procese gjyqësore të pa nevojshme, sepse ka një vendim të gjykatës kushtetuese, por që nuk zbatohet dhe i është vënë kazma. Kjo gjithashtu shkakton edhe shpenzime financiare, që i ngarkohen palës humbëse, të cilat përballohen nga taksapaguesit. Ne si Shoqatë e kemi bërë punën tonë. U jemi drejtuar strukturave përkatëse të pushtetit në rrugë institucionale, ku kemi bërë sugjerimet përkatëse në zbatim të ligjit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, po fatkeqësisht nuk jemi dëgjuar. Prandaj kemi mbështetur dhe do të mbështesim rrugën gjyqësore për zgjidhjen e problemit që shqetëson ushtarakët në rezervë dhe nuk e humbasim besimin tek drejtësia pavarësisht nga problemet që ka edhe në këtë fushë. Jo vetëm kaq, por ne kemi shpresa dhe po presim, që këto shqetësime që kanë ushtarakët , të cilat janë krijuar me dashje do të zgjidhen dhe marrin fund nga Qeveria aktuale, e cila mori vetëbesimin nga qytetárët më 23 Qershor 2013. Angazhimet edhe për këtë grup interesi, kanë qenë konkrete gjatë fushatës dhe ne kemi paraqitur kërkesat tona. Tani rëndësi ka të ulemi dhe të shohim konkretisht se çfarë duhet bërë. Por, do të thoshim se, në morinë e problemeve urgjente dhe e menjëhershme duhet të jetë zbatimi i8 vendimit të Gjykatës Kushtetuese Nr. 33 dt. 24.06.2010, për pensionet e parakohshme për vjetëri shërbimi të ushtarakëve, që ata të shkojnë në atë nivel ku ishin, duke zbatuar kështu parimin e shtetit të së drejtës dhe kushtetutën. Më vinë, por pa i nënvlerësuar e harruar të shikohen hap pas hapi  dhe disa probleme të tjera shqetësuese, siç janë: rivendosja e nenit 35 në ligjin 9210, të statusit të ushtarakut, zbatimi i drejtpërdrejtë i vendimeve të gjykatave nga qeveria, e jo nga përmbarimi, siç është bërë deri tani rishikimi i Aktit Normativ i Dhjetorit 2010, si antikushtetues, se është më katran se pika dy e Nenit 14-të të ligjit 10142, që Gjykata Kushtetuese e gjeti në kundërshtim me sigurinë juridike e antikushtetuese. Këto e të tjera probleme, do të bëjnë të mundur që të vendosen në vend padrejtësitë që u bënë në kundërshtim me shtetin dhe ligjin 9418, dt 20.05.2005, të ketë një trajtim më të mirë të ushtarakëve, duke iu afruar standardeve të vendeve autore të NATO-s, ku e kemi të drejta të plota. Të kemi ligj që t’i rezistojë kohës dhe jo bëj sot e prish nesër.

*Sekretar koordinativ i SHKURSH të Shqipërisë