Hekuran BAJRAMI/Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë dhe zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit 2013

576
Sigal

Ka kohë, tashmë, që ka filluar dhe po vazhdon puna për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit 2013. Është për të theksuar fakti që megjithëse u bënë 22 vjet që në vendin tonë janë zhvilluar disa zgjedhje parlamentare apo vendore përsëri edhe këto që po afrojnë marrin gjithnjë e më shumë një rëndësi e më të madhe. Dhe kjo për vetë situatën që krijojnë partitë politike në besueshmërinë e zgjedhjeve dhe për garancinë që ato japin qytetarëve për zgjidhjen e shumë problemeve që ka vendi dhe shoqëria dhe pse jo edhe për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Në këtë kuadër partitë politike po bëjnë punën e tyre duke filluar qysh nga masat organizative, krijimin e koalicioneve, përgatitjen e programeve dhe njohjen e zgjedhësve me to. Po ashtu janë dhe mjaft probleme të tjera që dikton kjo fushatë elektorale serioze duke pasur si synim fitoren e saj. Është e qartë që arritja e një fitoreje në zgjedhjet parlamentare dhe marrja e pushtetit kërkon jo vetëm një koalicion të gjerë me partitë politike, por edhe mbështetja dhe garantimi i votës nga ajo që i themi shoqëria civile. Në këtë kuadër një vend të rëndësishëm zënë edhe shoqatat e ndryshme që janë krijuar në vendin tonë dhe që mbrojnë interesat e grupeve të caktuara të shoqërisë. E tillë është edhe Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, një shoqatë nga më dinjitozet e më kualitative e vendit që ka në gjirin e saj rreth 15 mijë ushtarakë, e që shtrihet në të gjitha rrethet e qarqet e vendit. Në kuadrin e zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit 2013 natyrisht, edhe ne nuk mund të jemi indiferentë. Por do të luajmë rolin tonë që në kuadrin e këtyre zgjedhjeve të reja nëpërmjet votës tonë të përfitojmë në zgjidhjen e disa problemeve që na shqetësojnë, për trajtimin ekonomiko-financiar të këtij grupi interesi. Këtij qëllimi ju kushtua vëmendje edhe në mbledhjen e datës 01.03.2013-të të bordit drejtues të SHKURSH-it. Bordi drejtues pasi analizoi situatën aktuale të kësaj fushate elektorale dhe të qëndrimit që duhet të mbajë shoqata në këtë kuadër vendosi që lidhur me bashkëpunimin dhe mbështetjen që do i japë një subjekti politik apo një koalicioni partish do ketë si orientim disa parime.

Së pari: SHKURSH do mbështesë atë parti politike që në programin e saj, në pjesën, ku flitet për sigurinë kombëtare të ketë masa dhe angazhime konkrete për zgjidhjen e atyre shqetësimeve që kanë aktualisht ushtarakët në uljen e pensioneve. Nga sa kemi parë deri tani ky problem ose nuk është trajtuar fare, ose ka pasur fjalë të përgjithshme.

Së dyti:  Votat tona do i jepen atij subjekti politik ose grup koalicioni, i cili do ketë nesër fuqi vendimmarrëse për ato probleme që ne na shqetësojnë dhe jo për parti që kanë vetëm emrin dhe për shkak të kodit zgjedhor nuk arrijnë të marrin deputet në Parlament.

Së treti: Kjo marrëveshje, ky bashkëpunim, kjo mbështetje në fushatën elektorale do të bëhet në kohën e duhur. Po ashtu do të bëhet në vendin e duhur dhe mënyrën e duhur me vendime konkrete të strukturave drejtuese të Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve, të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo spontane, e çalë dhe e paorganizuar. Në këtë bashkëpunim SHKURSH-in, nuk do të ketë paragjykime, por do bashkëpunojë me ato forca politike që do u zgjidhë shqetësimet që kemi me qëllim që edhe neve të kemi gradualisht atë trajtim që kanë ushtarakët në rezervë e pension të vendeve anëtare të NATO-s, ku ne jemi anëtarë me të drejta të plota. Ne kemi mendimin që forcat politike duhet të vlerësojnë SHKURSH-in, sepse ajo duke u nisur nga numri i anëtarësisë vetëm në Tiranë ka jo më pak se 30 mijë vota dhe në rang vendi jo më pas se 80-90 mijë vota, pa folur për rrethin e tyre miqësor dhe shoqëror. Duhet të vëmë në dukje, gjithashtu, se anëtarësia e SHKURSH-it ka një potencial të madh force për të punuar me zgjedhësit, për të zbërthyer programet e partive e argumentuar se pse duhet të japin votën për këtë apo atë forcë politike se vetë profesioni i tyre ka qenë në radhë të parë punë me njerëzit. Por mbi të gjitha shtresa e ushtarakëve është ajo kategori që nuk është përfolur ashtu si dëgjojmë për shumë punëtorë deri edhe deputetë për mashtrime e korrupsion. Ushtarakët kanë punuar me ndershmëri e përkushtim duke i shërbyer vetëm mbrojtjes së vendit duke zbatuar vetëm formulën e betimit para flamurit. Ja pse fjala e tyre zë më shumë vend te njerëzit, dëgjohet respektohet kudo në familje, miqësi, shoqëri. Nga sa thamë më sipër në bashkëpunim me një forcë politike do të kërkonim pse jo që në kuadrin e rolit dhe të kontributit që do japim në fushatën elektorale SHKURSH, të përfaqësohet me përfaqësuesit e saj në Parlament dhe kjo është plotësisht e mundur dhe e pranueshme, për rifreskimin e parlamentit me elementë të rinj. Ky, pra, është qëndrimi aktual i SHKURSH-it të Shqipërisë për fushatën elektorale të zgjedhjeve të reja të 23 Qershorit. Jemi në pritje, mendojmë se ende ka kohë, pasi mund të ketë edhe zhvillime të reja, ne jemi të predispozuar të japim kontributin tonë për këtë fushatë në të mirë të vendit, të qytetarëve dhe të vetë synimeve tona si shoqatë për të cilën jemi krijuar dhe zhvillojmë aktivitetin tonë në të mirë anëtarësisë.