Harry Bajraktari/ Trepça është e Kosovës

550
Sigal

Çështja e zhvillimit ekonomik, pas lirisë dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka qenë një preokupim i përhershëm i imi, ndonëse s’ jetoj atje. Për këtë qëllim edhe kam investuar për të kontribuar sado pak në mëkëmbjen ekonomike pas përfundimit të luftës. Ngritja ekonomike ka qenë dhe mbetet problemi kryesor i Kosovës. Tani është aktualizuar çështja e “Trepçës”, që konsiderohet promotori i zhvillimit të vendit tonë. Dje në parlament u miratua projektligji për ndërmarrjet publike, por u shty miratimi i projektligjit për “Trepçen”!. Miratimi i këtij ligji do të nxjerrë “Trepçen” nga duart e Serbisë dhe shuan ëndrrën e vjetër të Beogradit për këtë gjigant metalurgjik, ndër më të mëdhenjtë në Ballkan. Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës nuk do të duhej të humbeshin kohë, madje asnjë ditë për përgatitjen dhe miratimin e këtij ligji aq të rëndësishme, për perspektivën dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Është momenti i fundit kur Kosova duhet të reagojë si shtet ndaj pretendimeve dhe kërcënimeve serbe. Tingëllon tepër bizare se si një shtet tjetër, pa kurrfarë të drejte dhe përkundër të gjitha normave ndërkombëtare insiston që asetet e “Trepçës” që i përkasin një shteti tjetër të ndahen apo të përvetësohen! Zvarritja e miratimit të këtij ligji mendoj se nuk është përgjegjësi vetëm e kësaj qeverie, por edhe e qeverive të kaluara dhe për tërë spektrin politik në Kosovë. Për çështje të mëdha duhet të veprojmë bashkërisht, pozitë dhe opozitë, bashkë me shoqëritë civile dhe mbarë popullin. Konsideroj se dje në parlamentin e Kosovës u lëshua rasti historik, pa marrë parasysh se kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, premtoi përshpejtimin e një ligji të veçantë për ˇTrepçën”. Të gjithë e dimë se gjiganti kosovar “Trepça” është lokomotiva që tërheq gjithë segmentet tjerë të zhvillimit ekonomik dhe krijon qëndrueshmëri dhe stabilitet politik në Kosovë, prandaj nuk shoh ndonjë arsye që pozita s’ishte në anën e opozitës, e cila insistoi që të miratohej ky projektligj, së bashku me projektligjin për ndërmarrjet tjera publike. “Trepçën” sot duhet ta mbrojmë të gjithë pa përjashtim, se ajo hap perspektivë për të gjithë, se ajo afirmon vendin tonë në tregun ndërkombëtar dhe në të ardhmen ajo do të jetë burim i zhvillimit dhe i punësimit për popullatën e Kosovës. Nëse kujtojmë pak historinë e këtij gjiganti metalurgjik dhe pretendimet serbe tash dhe në të kaluarën, del se angazhimi i Qeverisë së Kosovës nuk ka qenë në përputhshmëri me peshën që ka “Trepça” për Kosovën. Në fakt, Kjo u la në mëshirën e Agjencisë për Privatizim, dhe e kemi këtë gjendje kështu si e kemi. Është humbur shumë kohë dhe koha më s’ pret. “Trepça” ishte eksportuesi më i madh i plumbit dhe zingut në ish-jugosllavi, por Kosova ishte pjesa më e pazhvilluar e asaj Jugosllavie. Serbia historikisht çështjen e Kosovës e ka lidhur me resurset e ‘Trepçes”. Edhe tash Veriun e Mitrovicës e lidh drejpërdrejtë me të. Çdo tentativë e Serbisë për ta shty çështjen e Trepçës në bisedime në mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Beogradit, është e pa pranueshme për Kosovën dhe paraqet rrezik për destabilizim. Pronësia e shtetit është e patjetërsueshme dhe e pa diskutueshme.

*Autori është veprimtar dhe biznesmen e njohur i komunitetit Shqiptaro-Amerikan dhe themelues i gazetës “Illyria”.