Harry BAJRAKTARI/ 100 vjet në liri janë pak, por të mjaftueshme për të bërë një shtet të fortë e funksional

662
Sigal

100 vjet liri për një vend janë pak, por të mjaftueshme për të bërë një shtet të fortë e funksional. Në këtë kontekst  shtrohet pyetja ku është sot Shqipëria dhe shqiptarët? Pra, në ketë përvjetor të madh, pas shumë përplasjeve dhe frustrimeve njëshekullore, me lehtësi mund të konstatojmë se shqiptarët asnjëherë s’ kanë qenë në pozitë më të mirë socio-ekonomike, politike, kombëtar dhe të orientuar thelbësisht nga Evropa dhe SHBA. Sot Shqipëria është në NATO  dhe kandidate për t’ u bërë anëtare e plotë me të drejta të barabarta me vendet e Bashkësisë Evropiane. Në anën tjetër, Kosova, e cila deri në vitin 1999 ishte e robëruar, fitoi lirinë, ndërsa më 2008 u bë shtet i pavarur dhe sovran, e sigurt për të ardhme evropiane dhe në rrugë për të hyrë në NATO.

Mendoj se për një pozicion më të fortë politik e kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe në Mal të Zi, duhet të jetë preokupim i përhershëm i Tiranës dhe i Prishtinës. Prandaj sot shqiptarët ndodhën krejt ndryshe nga e kaluara e tyre e historike, duke i hapur vetes perspektivë, mirëqenie sociale, forcim të demokracisë në frymën evropiane, euro-atlantike, në një hapësirë të përbashkët, me kufij të hapur integrues. Ky njëqindvjetësh shqiptarët i gjen të grumbulluar në një komb dhe në dy shtete, me një numër shumëfish më të madh të banorëve. Mirëpo, në rrethana të tjera politike, shqiptarët mund të jetojnë në një shtet të vetëm etnik, mendoj se koha është në lëvizje për ne. Derisa të tjerët (fqinjët tanë) janë të përfshirë nga mortaja e bardhë, shqiptarët në anën tjetër kanë moshën mesatare më të re në Europë.

100 vjet histori

Shqipëria, më 28 nëntor 1912, shpalli pavarësinë, por nuk u realizua projekti i asaj Shqipërie që e kishin ëndërruar rilindësit  dhe luftëtarët e saj. Megjithëkëtë, edhe kjo gjysmë Shqipëri, të cilës iu vunë themelet në Vlorë, hapi një epokë të re për botën shqiptare. Kësaj date historike, i paraprinë shumë ngjarje të shpejta politike e ushtarake: Lidhja e Prizrenit, Lidhja e Pejës dhe ngjarje të tjera të mëdha e të vogla kombëtare. Sundimi turk u rezistua në të gjitha tokat shqiptare, por kryengritjet vendimtare për fundin e kësaj perandorie, u zhvilluan në Kosovë, të udhëhequra nga ideologu i kohës Hasan Prishtina, Isa Boletini, Haxhi Zeka, Bajram Curri, Idriz Seferi, Binak Alia, Mic Sokoli etj.. Pra, Kosova e ndoqi okupuesin shekullor nga trojet shqiptare, por fatëkeqësisht, vetë mbet e robëruar edhe për 100 vjet të tjera, tani nga një pushtues tjetër edhe më i egër, Serbia. Lufta na bashkoi kombëtarisht – historia, përkatësisht të tjerët na ndanë. Ngritja e flamurit nga Ismail Qemaili, Luigj Gurakuqi dhe Isa Boletini për një Shqipëri etnike- u kundërshtua në Konferencën e ambasadorëve në Londër në vitin 1913, ku gjysma e tokave shqiptare iu dhanë pa kurrfarë të drejtë politike e natyrore, Serbisë dhe Greqisë. Ky mallkim i superfuqive të kohës zgjati një shekull, ku si rrjedhojë e saj edhe sot një pjesë e tokave shqiptare gjendet nën pushtetin maqedonas, malazese, serb e grek. Thënë me një fjalë, historia ishte kundër nesh, dhe jashtë interesave të përgjithshme të shqiptarëve. E gjithë kjo histori ishte e përshkuar me sakrifica të shumta e vazhduese për liri.

Shqipëria për këto 100 vjet kaloi nëpër periudha të rënda, shpeshherë të pakapërcyeshme. Konferenca e Londrës rrëzoi shpresat për një Shqipëri etnike, ndërsa Qeveria e parë e Ismail Qemailit për shkak të konflikteve të brendshme nuk pati jetë të gjatë. Për ta ndihmuar dhe për t’ i dhënë një stabilitet më të qëndrueshëm politik Shqipërisë, nga Evropa u dërgua Princ Vidi, por ky u sfidua nga grupet e ndryshme rebeluese që s’ ishin në favor të shtetit të ri stabil. Në fakt, princ Vidi, një gjerman flegmatik, nuk pat ndonjë mbështetje serioze nga vetë ato vende që e dërguan. Përfundimi i Luftës së parë Botërore, Shqipërinë e gjeti të shkatërruar ekonomikisht dhe të përçarë politikisht. Fqinjët tanë, serbët dhe grekët të mbështetur nga Evropa e sidomos nga Rusia, projektuan copëtimin e saj. Në Konferencën e Versait më 1919 u shpëtua nga Amerika, por shqiptarët edhe mëtej mbetën të përçarë. Qeveritë në Tiranë ndërroheshin shpesh, madje edhe brenda ditësh. Liderët e vendit  për të ardhur në pushtet bashkëpunuan edhe me armiqtë tanë. Një stabilitet më të qëndrueshëm, Shqipëria e pat në kohën e Mbretit Zog. Në këtë periudhë u ndërtuan shumë rrugë, ura dhe objekte administrative. U miratua Kushtetuta dhe u krijua një siguri më e madhe për qytetarë. Mirëpo, kjo nuk zgjati shumë kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste më 1939, në prag të depërtimit të fashizmit.

 Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri u vendos regjimi komunist, i cili e mbajti vendin të izoluar hermetikisht nga bota me një ekonomi bizare dhe, në anën tjetër, ushtroi dhunë të ashpër ndaj intelektualëve, klerikëve dhe qytetarëve të saj, duke i ekzekutuar, burgosur, persekutuar dhe duke i varur nëpër sheshe publike. Me rënien e regjimit të Enver Hoxhës, në Shqipëri filloi epoka e demokracisë, por nga pasojat e së kaluarës- progresi ishte i  ngadalshëm. Sot Shqipëria ka arritur një shkallë të lakmueshme të zhvillimit ekonomik, me infrastrukturë të re rrugore, hapje të vendeve të punës dhe rritje të eksportit të prodhimeve të saj.

Shqiptarët dhe Amerika, një lidhje e vjetër

Nga ardhja e shqiptarit të parë në SHBA e deri më sot ka kaluar më shumë se një shekull. Kjo rrugë për shqiptarët asnjëherë nuk është ndërpre për faktin se, në këtë vend, ata gjetën mirëqenie ekonomike, liri politike e njerëzore, demokraci dhe kushtet të tjera për të jetuar të dinjitetshëm. Pra, dashuria e shqiptarëve ndaj Amerikës dhe popullit amerikan rrënjët i ka para një shekulli, më saktësisht, me ardhjen këtu të intelektualëve shqiptarë: Sotir Peci, Fan Noli, Faik Konica, Kost Çekrezi, biznesmeni Anthony Athanas e të tjerë. Deri në fund të Luftës së Parë Botërore në SHBA u përqendruan mbi 20 mijë shqiptarë. Këta shqiptarë të ardhur në këtë kohë, krijuan një miqësi të fortë me Uashingtonin dhe në këtë kontekst kontribuuan në Pavarësinë e Shqipërisë, para100 vjetësh, e ata që erdhën më vonë, ndihmuan në drejtime të shumta lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, pasi që në Nju Jork në vitet e ’90-ta ishte formuar një lob i fuqishëm shqiptar.

Në përpjekjet për liri kombëtare, në fillim të dekadës së kaluar, u formua “Vatra”, e cila ka pasur një rol të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare. Noli dhe Konica, dy intelektualët më të mëdhenj të kombit, vendosën lidhjet e para të drejtpërdrejta politike e miqësore me SHBA. Janë historike takimet e Nolit me presidentet e SHBA, Uilson dhe Ruzvelt, ku atyre ua bëri të njohur problemin shqiptar, në një kohë kur Serbia dhe Greqia pretendonin që Shqipërinë londineze, edhe ashtu gjysmake, ta copëtonin edhe më tej. Në këtë drejtim, shqiptarët e Amerikës ndihmuan me mjete materiale një delegacion shqiptar që të merrte pjesë në Konferencën e Paqes në Paris për shpëtimin e Shqipërisë, ku është i njohur qëndrimi i Uilsonit karshi pretendimeve të më tejme territoriale serbo-greke.

Ndërkaq, në vitin 1990 në Kosovë u krijua një Lëvizje gjithë shqiptare për të kundërshtuar regjimin e Millosheviçit. Në këtë kohë shqiptarët e Amerikës, të vetëdijshëm se pa një mbështetje të fortë nga Uashingtoni, Kosova do ta kishte të vështirë, dhe ndoshta të pamundshëm çlirimin nga pushtimi i egër serb. Kështu, filluam rrugën për Uashington për të zënë miq në Kongres, Senat dhe State Departament. Kishim shumë vullnet dhe shumë energji. Këtu mund të përmend disa nga miqtë tanë që na ndihmuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës: Bob Dole, Eliot Engel, Mark Kirk, Ëilliam Broomfield, Madeleine Albright, Bill Clinton, Hillary Clinton, tash sekretare e shtetit, George Bush e tjerë. Kështu kishin vepruar  edhe shqiptarët e hershëm me rastin e Shqipërisë.

Në Francë brenda 100 vjetësh u mbajt edhe një konferencë tjetër për shqiptarët, Rambujeja, ku u vendos fati i Kosovës. Prapë, ishin amerikanët që na shpëtuan. Me një delegacion të Këshillit Shqiptaro-Amerikan, i cili përbëhej edhe nga disa anëtarë të “Vatrës” dhe organizatave të tjera, shkuam në Rambuje për të mbështetur çështjen e Kosovës. Me ne ishte edhe miku ynë i pandarë, kongresisti Eliot Engel dhe kongresistja Sue Kelly.

Si atëherë, para 100 vjetësh, ashtu edhe sot shqiptarët e Amerikës ndihmojnë çështjen kombëtare. Kontributi i tyre është i madhe dhe gjithherë përkushtues.

Në shërbim të fuqishëm të kombit ishin edhe dy gazeta që botohen në Amerikë, “Dielli” dhe “Illyria”. Në mes të këtyre dy gazetave ka një koincidencë. E para u themelua vetëm tri vjet para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ndërkaq e dyta tetë vjetë para se Kosova ta fitonte lirinë. këto dy gazeta ushtruan influencë të madhe në Uashington në afirmimin e çështjes kombëtare për pavarësi të Shqipërisë dhe Kosovës. Gjithashtu, kontribuuan edhe në forcimin e marrëdhënieve të Tiranës, Prishtinës e Shkupit, me Amerikën.

Sot komuniteti ynë shqiptaro-amerikan ka mundësi shumë më të mëdha sesa në të shkuarën. Është shtuar numri i shqiptarëve në Amerikë, i atyre që kanë kryer e po kryejnë shkolla e specializime në fusha të ndryshme. Pra, sot kemi një potencial të madh të cilin komuniteti ynë duhet të dijë ta shfrytëzojë, në këtë kontekst është i nevojshëm një organizim më i koordinuar. Një rol të madh në relacionin e thellimit të miqësisë shqiptaro-amerikane sot e ka Këshilli Kombëtar Shqiptaro- Amerikan që është shumë aktiv në çështjen shqiptare.

Shqiptarët e Amerikës kanë filluar të bëhen pjesë e Qeverisë amerikane dhe qeverive lokale. Brenda 10 viteve mendoj se do të kemi njeriun tonë në Dhomën e Përfaqësuesve në Uashington, e pas 15 viteve edhe në Senatin  amerikan. Nuk përjashtohet mundësia që për një periudhë më të gjatë të kemi kandidat edhe për President të SHBA.

Perspektiva e shqiptarëve është në Bashkësinë Europiane

Pra 100 vjet në liri janë pak, por të mjaftueshme për të bërë një shtet të fortë funksional. Shqiptarët sot duhet të punojnë më shumë, të ecin me kohën dhe të udhëheqin me vetveten, duke i eliminuar dobësitë dhe përçarjet.

Shqipëria është një vend me një begati të madhe ekonomike, me mundësi fantastike të zhvillimit të turizmit detar e malor, me mundësi të mëdha të zhvillimit të industrisë dhe bujqësisë.

Këtë shkrim po e mbylli me një konstatim të Kryeministrit të Shqipërisë, Dr. Sali Berisha: ” Copëtimet kanë mbajtur të ndarë shqiptarët, ndaj të bëjmë gjithçka që ata të ndihen një, pasi energjia bashkuese e kombit është një vlerë e madhe. Pra, Shqipëria dhe Kosova bashkë në Europë”.