“Harami dhe harresa e peshqve të mëdhenj…?!”

841
Sigal

Evdal NURI

Nuk do të shkruaja këtë shkrim, nëse s’do kisha dëgjuar këtë histori.Në vitet ’30 të shekullit të kaluar një shqiptar pas një emigrimi 10-vjeçar, kthehej për në Atdhe. Udhëtimi bëhej me vapor e zgjaste muaj. Një ditë së bashku me shokët loznin letra në verandën e vaporit. Pranë kishte një trastë me dollarë që e mbante me vete, mbase kishte frikë se mos ia vidhnin. Ç’ndodhi? Një majmun (që në atë kohë mbaheshin në vapore) ia mori trastën e u ngjit në shtyllat e vaporit E hapi trastën e filloi t’i hedhë dollarët në ajër. Shumica ra në kuvertën e voporit, një pjesë në oqean. I shqetësuar e i mërzitur mblodhi dollarët që ishin në vapor. Shoku që po lozte e pyeti. Ç’punë kë bërë në Amerikë? Shisja qumësht. Do t’më tregosh të drejtën. A i ke hedhur ujë qumështit? Po, por pak! Dëgjo miku im! “Dollarët që të ranë në det, janë ato që i ke fituar nga uji që i ke hedhur qumështit. Ato kanë qenë haram, si fitohen padjersë, ashtu humbasin! Të tjerat i ke hallall, çoja kalamajve!”

  • “Harami është haram!” Para disa ditëve isha në Petrelë. Jo në vilat që janë pranë TEG-ut, por më lart. Ç’të shikoje! Me dhjetëra vila “përrallore”. Shumë hektarë tokë të zëna. Pashë një botë tjetër. Shoqëruesi (banor i zonës) më tregonte vilat që vetëm imagjinata mund t’i prekë! Ai më thoshte me emra e mbiemra. Kjo është e filanit, kurse ajo e fistëkut. Ajo atje e x-it , kurse kjo e y-it. Të gjithë emra të dëgjuar të politikës. E di sa kushtojnë, nga 700 – 1 milion euro. Mendova, ç’aftësi të veçantë kanë këta njerëz? I kemi dëgjuar si flasin e ç’nivel diskutimi bëjnë. Ne e dinim, por tani na dalin deputet e ministra të pashkollë. Me diploma të blera e tituj shkencor të kopjuar! “Janë mjeshtër për të abuzuar me këtë shtet”. më sqaroi shoqëruesi. “E ropën këtë vend. Shtetin e drejtësinë e kanë të tyre. Ca ata e ca këta. Kur i pyet për këtë vilë apo atë pasuri, të thonë: “Kam marr kredi”! “Kredia” është rruga më “bindëse” dhe e sofistikuar për të mbuluar korrupsionin!” Nëse kjo histori që tregova në fillim të shkrimit, do të praktikohej tek pasanikët tanë, “qumështi” i tyre do të kishte shumë ujë. E si rrjedhojë në det do kishte përfunduar shumica e vilave, mbase ato janë haram! Edhe Zoti thotë: “Hallalli është hallall e harami është haram” , dhe me haramin s’bëhet kurrë prokopi. Mos sot, nesër do humbasësh! Ashtu s’i i ndodhi shitësit të qumështit.

2”- Peshqit e mëdhenj që s’ka rrjetë t’i kapë!” “Ndonjëri edhe vjen vetë në rrjetë. Nuk e di, nëse u mërzit, duke ndenjur vite i izoluar në rezervuar, apo e zuri frika se po i vjen fundi nga rrjetat e forta që do vijnë! Ato u hodhën disa herë e s’e kapën dot !” “Peshq” të mëdhenj kemi plot, në qendër e në bazë, por a kemi ”rrjeta“ për t’i kapur? Ligjet tek ne janë rrjeta ku peshqit e mëdhenj gjejnë hapësirë ose janë aq të fortë e dalin, kurse ata të vegjlit ngecin në të! Tani thonë se do të vijnë “rrjeta të forta” nga jashtë. Ato do të jenë aq të forta sa “peshqit” sado të mëdhenj, s’do gjejnë vrimë për të dalë! E keqja është se disa “peshq të mëdhenj” kanë nuhatje të madhe, për këto “rrjeta”, e mund t’i shpëtojnë ose të largohen pa ardhur ato!

3- Politika s’i art i pasurimit! Ata janë rrogëtarë e s’e kuptoj se nga i buron kjo pasuri e madhe…?! Duket se po lëviz diçka! Bankat e nivelit të dytë në Shqipëri detyrohen me ligj që të hapin dyert për inspektorët e Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive për të verifikuar të gjitha lëvizjet e parave të rreth 7 mijë zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve në sistemin bankar. Të shohim, ç’do të sjellë ky vendim, mbasi deri tani, s’kemi dëgjuar asgjë…!? “Mëkatet” janë nga më të ndryshmet. Ndaj Zotit, shtetit, familjes, popullit, ndaj personit e tjerë. S’ka njeri që të mos gabojë. Zoti fal ata që bëjnë gjynahe pa dashje. S’ka si të falë Zoti, përdhunuesit, kriminelët, vjedhësit, terroristët që vrasin në emër të Zotit. Zoti kurrë nuk thotë; vrit, vidh, mashtro, përdhuno. Për këtë njerëz s’ka falje, dënimi do të jetë i ashpër, por ndofta vonë! Por sa vonë, pyesin njerëzit…?

E vërteta është se partitë, e quajnë veten fitimtare për arritjet e fajësojnë njëra –tjetrën për dështimet! E vërteta tjetër është se të gjithë kanë frikë nga zbatimi i Vettingut. Jo pa qëllim po shtyhet, jo me sot e me nesër, por nga vjeshta, dimri e tani thuhet për pranverë, por mund të zbatohet dhe më vonë…! Njerëzit e zakonshëm, ata që kanë hequr mbi shpinë padrejtësitë e drejtësisë, ende janë të rrudhur, për të besuar një mbarësi. Peshorja e drejtësisë është anuar kaq keq e kaq njëanshëm, sa që vetëm mendimi se mund të fillojë nivelimi i saj, është i pa kapshëm. A do të zbatohen çka thuhet në teori? Kjo është kryesorja. Porosia nga BE është, sa më shpejt të krijohen institucionet e reja. 28–vjet na ka gërryer korrupsioni. Por këto institucione, do të mund t’i rezistojnë presioneve që s’do të jenë të vogla! Duket se po afrohet dita për larjen e “mëkateve”. Kam frikë se s’po i zë gjumi, pasi po vjen dita e ndëshkimit. Mos kanë menduar për të kaluar e këtë situatë që po i trondit!? Disa kanë hequr dorë nga vettingut, mbasi nuk justifikojnë dot pasuritë. Qeveritë, me shumë kënaqësi, ia transferojnë njëra -tjetrës, fajin e korruptimit, së bashku me harresën e ndëshkimit! Edhe po s’ndodhi kjo, do të vijë dita që do t’i ndëshkojë Zoti, mbasi pasuria e tyre është “haram” Dhe “harami është haram”!