Hapja e dosjeve të ish-sigurimit përmes reales dhe utopikes

548
Leonora Laçi
Shtëpia ndërtohet nga themeli, e ne shqiptarët pas 27 vitesh e kuptuam që meremetimi dhe restaurimi i “shtëpisë” sonë është bërë me materiale jo cilësore, prandaj jemi këtu ku jemi, ende duke folur për të shkuarën, pa mundur të ecim përpara, sepse nuk kemi zgjidhur “hesapet” me të kaluarën. Koincidenca këto ditë bëri që të isha e përfshirë fizikisht dhe shpirtërisht në dy ngjarje sa të afërta aq edhe të largëta. Autoriteti për Informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 19944- 1991 zhvilloi në Shkodër një takim informues me studentët e Universiteti Luigj Gurakuqi, dhe ish-të përndjekurit politik e ish-të burgosur, dhe nga ana tjetër isha prezent dhe në vizitën së bashku me Masterin Profesional Histori–Gjeografi një takim i nxitur nga pedagogia prof. Majlinda Ziu në Shtëpinë e Gjetheve (Muzeun e Përgjimit). Këto të dyja lidhen me njëra-tjetrën, sepse i bashkon një qëllim zbardhja e së vërtetës së hidhur të shqiptarëve, krimet e komunizmit. Shqipëria përjetoi një sistem totalitar unik në llojin e vet, për nga zbatimi dhe pasojat që pati ai, kështu që rrjedhimisht dhe format për ta dënuar e për të gjetur fajtorët duhet të ishin unike. Edhe nëse ndjekim modelin e Gjermanisë apo të vendeve të ish-bllokut, nuk do të kishin suksesin e duhur. Fillimisht ne duhet të ngremë disa pikëpyetje të mëdha. 
• Hapja e dosjeve të ish- sigurimit a na lehtëson dhimbjen apo e shtonë atë?! 
• A jemi të përgatitur për të ditur të vërtetën?! 
• Këta zbatues të krimeve që ende jetojnë (shumica kanë vdekur) a duhet t’i dënojmë dhe nga të persekutuar të emërtohemi persekutor?!
• Institucionet e riformuara së fundmi, a do ta kryejnë detyrën që i takon siç duhet, kush do mbajë përgjegjësi për mosfunksionimin e të institucioneve të mëparshme?! 
• A kemi nevojë sot, për zhvendosjen fizike të dokumenteve arkivore nga një depo në një depo tjetër institucionale? 
• Nëse dokumentet përqendrohen në një institucion të vetëm atëherë dhe burokracitë për t’i parë ato do të jenë më të mëdha!! 
• Dokumente të tilla në një institucion të vetëm, ai bënë këto dokumente të paprekshme?! 
• Nëse dokumentet censurohen në emra atëherë ç’vlerë ka hapja e tyre?! 
Gjithsesi po kthehem tek lidhja e dy ngjarjeve së bashku, Muzeu “Shtëpia e Gjetheve”, kishte një mesazh të qartë që të kuptojmë sesi shteti i asaj kohe survejonte njerëzit, torturonte fizikisht dhe psikologjikisht ata, si zhdukeshin njerëzit pa lënë gjurmë, ideja sesi një shtet të burgoste për një fjalë goje.. etj. Duke vizituar këtë muze ato të vërteta utopike bëhen reale, të prekshme dhe të bëjnë të besosh se historia ndryshe nuk është një legjendë urbane. Në Muzeun e Përgjimit kuptojmë sesi përgatitej njeriu i ri e revolucionar, kuptojmë domethënien e termave ‘agjitacion e propagandë’, kuptojmë se çfarë ishte censura dhe si shteti kontrollonte çdo gjë, deri dhe intimitetin. Në atë Shtëpi të fshehur pas “gjetheve tashmë të kalbura”, më shfaqeshin shumë mendime brenda vetes, nga njëra anë; mendimi se ky muze na shërben për të mos harruar të kaluarën e hidhur, por nga ana tjetër ky muze për ca njerëz mund të krijojë bindjen që me naivitet të thonë:- “Ja sa i fortë ishte sistemi, kanë qenë kohë të arta, Shqipëria ka përdorur sistem aq të zhvilluar teknologjik sa mund të konkurronte vendet e tjera komuniste!” Shpejt e shpejt largova këto mendime dhe u përqendrova në atë çfarë shpjegohej në lidhje me Muzeun dhe historikun e tij. Por sërish tundohesha nga fjalët që kisha dëgjuar më parë –“ bashkëfajtor e bashkëvuajtës-. U futa në mendime të thella rreth kësaj. Jo kurrsesi, nuk qëndron kjo shprehje për atë kohë, pasi Shqipëria ishte e ndarë si me thikë mes persekutorëve dhe të persekutuarve, edhe nëse persekutorët binin nga “fiku” ata sërish ishin të privilegjuar, sërish i shinin të tjerët si të deklasuar, as në internime nuk trajtoheshin njëlloj, ata në baraka e këta në tip apartamentesh. Por për sistemin politik të sotëm, politikën tonë 27 vjeçare jemi bashkëvuajtës, por dhe bashkëfajtor. Muzeu i Përgjimit në fakt mpleks brenda tij bashkëvuajtësit dhe bashkëfajtorët, e ndjeja këtë në muret e tij të ftohta, në pëshpërimat e përgjuara, aty ndjeja servilizmin e ambientit, ndonëse nuk na u lejua të fotografonim unë e kisha marr me vete aparatin fotografik varur në qafë, por respektova fjalën e tyre. Megjithatë nuk ishte nevoja ta përdorja pasi memorizova dhe përjetova shumë ndjesi brenda atyre mureve. Mendova, këtu është përgatitur “njeriu i ri” dhe kërkimi i ndjesës nuk do vijë kurrë, por nuk është i nevojshëm, pasi ne kemi falur dhe pa na u kërkuar të falur. Ajo që dhemb më shumë është, se ata nuk heshtin të merren me punët e tyre, por janë të veshur edhe sot me pushtet si dje, madje dhe më të fortë, janë të kamufluar. Atyre nuk iu takon të flasin, të justifikohen, pasi e kanë damkën e fajtorit. Thuhet, që kurrë mos ia bëj tjetrit atë që nuk do të donit të jua bëjnë juve. Dhe ne falëm, por ju nuk po respektoni as faljen tonë, dhe hipokrizia juaj arrin shumë larg. Këtë e shoh tek ngjarja që lexova se fundmi se do fillonin kërkimet për gjetjen e eshtrave të grekëve të rënë në Luftën italo-greke, por vallë kur do fillojnë kërkimet për eshtrat e shqiptarëve të pushkatuar gjatë periudhës komuniste?!
Sigal