Hapat janë për vete, gjurmët për të tjerët…

728
Nga Agim JAZAJ
Grupe të vegjël njerëzish, në bashkësi dhe të vetmuar mbrëmjeve i kemi “parë” shpesh nëpër kryqëzime rrugësh, me qirinj të ndezur në duar përgjatë këtij tranzicioni tërkuzë! Kanë kohë që kryejnë këtë ritual, pafundësisht: “Në kërkim të kohës së humbur”! “Në kërkim të njerëzve të munguar”. Kombe të mëdhenj, madje shumë të mëdhenj, por dhe shumë më të vegjël se sa ne, kanë ngritur shtete dhe qytetërime. Kemi parë dhe jemi mahnitur me udhëheqësit e tyre që shkojnë udhëve, apo në takim kokulur! Ndërsa udhëheqësit tanë i shikojmë të krekosur me kokën lart, ose si i thonë llafit të moçëm: “Me hundën në qiell dhe B…në diell”! Dhe duke bërë krahasimin, mbetemi të fyer: Vetë ne nuk dimë të zgjedhim, nuk i duam, ata që i zgjedhim vetë ,sepse edhe ata nuk na duan, kur ngjiten në pushtet. Ndaj dhe ne mbetemi të zhgënjyer prej tyre nga abuzimet me pushtetin e pa merituar që ata po mbajnë kaq gjatë! Zgjedhësit kanë bërë zgjedhjen e gabuar! Ngjan se po mbetemi gjatë nëpër tunelin e errësirës, duke kërkuar pafundësisht. Për të dalë në rrugët e hapura, mungojnë udhërrëfyesit, po kërkojmë njerëzit, qytetarët, intelektualët e vërtetë. Këtyre grupeve, në kërkim të këtyre njerëzve, udhërrëfyes në vend, u janë bashkuar shumë më herët mjaft nga ata emigrantë të ndodhur jashtë vendit, diaspora e re dhe veçmas diaspora e vjetër shqiptare, njerëz të thjeshtë, të pajisur me vizione të reja, edukatë dhe kulturë bashkëkohore, ndoshta duke mos përfituar “statusin e intelektualit”, por më açik prijnë në kërkesat e përbashkëta, kanë vizion dhe frymëzojnë të tjerë, të përjashtuar nga e drejta fondamentale e votës, nga e drejta universale e përfaqësimit! Kjo pjesë-elitë, e quajtur pa droje e tillë, nuk janë të paktë që arsyetojnë dhe aspak nuk e pranojnë, që mungojnë intelektualët në radhët e shoqërisë dhe në pozicionet e administratës. Ata këmbëngulin se po: “Mungojnë qytetarët, mungojnë njerëzit, atdhetarët, por po mungon shumë gjatë fatkeqësisht edhe aksioni i tyre qytetar”…Këtë mungesë e arsyetojnë me qeverisjet në kapërcyell të sistemeve, përgjatë gati tri dekadave, udhëkryqeve, ku na janë servirur; “Intelektualë” me një barrë- tituj e grada të larta”! Dhe i kemi “zgjedhur për t’i votuar e na qeverisur”, por pa na dhënë atë produkt që kërkohet dhe është e mundur. “Testi i të përzgjedhurve është prezantuar deri: “Është i biri i filanit!” “Nipi i Fëstëkut”! “Dhëndër i jastëkut!”… Ky di kaq gjuhë të huaja. Ky tjetri ka këto grada të larta shkencore. Prof. Dr. Tjetri, Dr. Prof. Iksi As. Prof. Dr. Shumë pak kemi dëgjuar të na prezantohen, “As. Prof. Dr. Njeri”. Ku ka punuar dhe si është ngjitur nëpër shkallët e karrierës si është bërë i pasur?. Ç’vepër publike ka bërë, mbi të tjerët? Rezultate që janë shënuar në jetë dhe këto rezultate a i ka prekur dhe i pozon vet njeriu, realiteti ynë i dhimbshëm. Mbeten të ngulitura në kujtesë varu i shkurtër, i një shkrimtarit tonë të njohur i mbetur në memorien tonë gjatë: “Do vdes nga pasioni për të mbetur njeri!” Kjo sentencë mbetet testament në botën e zhvilluar, ku synojmë të bëhemi pjesë edhe ne, por shoqëria evropiane ndonëse ndezi një semafor të gjelbër dje, zor se pranon në gjirin e saj të na fusin me “këmbë të pista dhe mendje të marra”. As të mos na hajë hunda- më thoshte dje edhe Lorenc Kekaj, një ish-emigrant që udhëhiqte dhe frymëzonte emigrantët në Greqi, në inkursionet e tyre, për të mbrojtur interesat e bashkëkombësve tanë; kosovarë dhe të shqiptarëve të Maqedonisë, madje edhe për të mbrojtur të drejtat e përbashkëta me qytetarët grekë. Kishte mbetur i mahnitur edhe ati i tij nga rregulli dhe qetësia publike në rrugë e kudo, përballë katrahurës në rrugë, në shtëpi e në shoqëri këtu kudo! Karakteret e dobëta, të ngjitura në poltronat politike dhe zyrtare në shoqërinë tonë kultivojnë mendjemadhësinë, fudullëkun, arrogancën dhe prepotencën të ngritur në shkallën më sipërore, vertikalisht dhe horizontalisht, shkëputjen nga njerëzit, distancën nga jeta reale, e pakuptueshme, sa dhe e pa pranueshme për karakteret e fortë. Këta njerëz me demek, harrojnë fare nga vijnë, misionin e tyre në shërbim të qytetarëve! Cilido në pozicion është sekondar dhe në jetë kalimtar! Kushdo në zyrë është qiraxhi dhe jo pronar, siç rreken këta mendje fyej të sistemit alla-shqiptar! Ata nuk japin shembullin e njeriut të dhimbshëm, ashtu siç e jep dhe e lë pa zhurmë e bujë kryebashkiaku i Selenicës, Përparim Shametaj, kudo shkon e takohet me njerëzit, me fjalët e buta, prekëse, i prek në tela njerëzit, të paktën duke iu ndjerë dhe lehtësuar hallet- hallemëdhenjve!… I dëgjon si njëri dhe i porosit si miq. “T’i dëgjojmë njerëzit me shpirt, të ndiejmë dhimbjet e tyre. Nëse nuk është në dorën tonë zgjidhja, t’u lehtësojmë dhimbjet, të sillemi solidarë, të shpalosim vlerat njerëzore, tonat, të institucionit, ku zgjedhësit të ndjejnë lehtësimin e plagës, të shohin tek gjithsecili votën e tyre të përligjur! Të punojmë sot dhe të lëmë gjurmë për nesër! Votuesit shohin përditë votën e përligjur- tek këta modele. Koha të gjykon dhe të ndëshkon”! Hapat janë për vete, gjurmët janë për të tjerët! Këtij modeli u heqim kapelën, për vlera, të cilat nuk do të humbasin kurrë: “Tungjatjetën Vlerëmadhe! Dhe kjo nuk është pak!… Është Thesar!

NJERËZIT E SHQUAR, MBETEN TË SHËNUAR
Me aftësitë, nivelin dhe komunikimin kanë lënë gjurmë të pashlyeshme shumë organizatorë, drejtues dhe intelektualë, si ata që i ngrinin njerëzit në luftë, i ndiqnin pas si njerëz të afirmuar, qoftë edhe në Vlorë, të cilët asnjëherë nuk kanë munguar e mbetën në kujtesën qytetare. Vitet ikin tutje, por ata bëjnë tëhu, mbeten të shënuar në memorien e njerëzve, të qytetërimit, të qytetarisë vlonjate, përcillen me madhështi tek pasardhësit. Ata kanë shërbyer dhe nuk kanë rrëmbyer. Edhe sot dhe për gjithë jetën edhe nesër shoqëria sa më e emancipuar dhe e civilizuar, do t’i ruaj me respektin e tyre, duke i gjykuar dhe vlerësuar në raport me kohën, rrethanat shoqërore dhe politike. Ndoshta prej tyre nuk ishin të pajisur me titujt e grada: Dr. e Prof., nuk kishin shkollën e lartë, por kishin përgjegjësinë e lartë dhe mbeten të shënuar në kujtesën e njerëzve dhe transmetohen tek breznitë. Ata nuk kanë të ngritur përmendore, as nuk janë të futur në muzetë e kohës, por rrojnë ende tek “muzetë” njerëzore, njerëzit e njohur dhe ata që s’i njohin, në kafenetë e thjeshta të Vlorës, në çdo cep të saj, nga Himara, Sevasteri, Kuçi, Selenica, Novosela e përtej kufirit të Vlorës, mbahen mend, zihen në gojë, flitet e flitet për ta pafundësish: Punuan, drejtuan, e organizuan, frymëzuan, dhe merituan mirënjohjen e bashkëqytetarëve të Vlorës. Dhe kjo nuk është pak. Këto personalitete dhe shumë të tjerë si këta, kishin në gjuhë mjaltin, në shpirt njerëzinë, në mendim udhërrëfimin, në veprim misionin dhe aksionin, shëruan e nuk lënduan, shërbyen dhe nuk rrëmbyen!… Ata vijuan misionin e tyre nga paraardhësit, duke u frymëzuar nga vepra e tyre madhore, “Pavarësia Kombëtare”, “Themelimi i Shtetit Shqiptar” dhe u përkushtuan në misionin me pasionin e pashoq, e çuan më tej amanetin e paraardhësve, për të ngritur shtetin, dhe ndërtuan vendin nga rrënojat:

*Kristo Mërtiri një ndër gazetarët e shquar të dy sistemeve shkruan edhe për këta njerëz të ndritur që kanë zënë vend, kanë lënë dhe mbeten vepër, “Bij të Vlorës” dhe të vendit!

“Në mes të ballinës së tyre: Portreti i Ismail Qemalit me flamurin kuqezi”

4 vargje për secilin janë edhe pak, edhe shumë. Sepse nuk është kaq e lehtë të ndash grurin nga egjra, sojlinjtë nga sojsëzët. Sot na mbytën e ndotën mjedisin:

“Të nderosh a të thuash qoftë edhe 2 fjalë të mira për të vdekurit e të gjallët, sidomos për ata që “shëruan e nuk lënduan” nëpër qytete e fshatra, nuk do të thotë të marrësh viston e partive politike, ose dorën e pushtetit të radhës. Përndryshe, me dashje a pa dashje, ke ngritur gjerdhe me hunj të kalbur që populli i shikon me qesëndi, e pse jo me neveri e përbuzje… Hapet sipari me kryebashkiakun e parë, Ali Asllanin e famshëm të Vlorës që na ka lënë thesar: “Maskarenjtë e Kohës”! Është fjala për ata që: 

“Të pa brekë i zuri dita
Milionerë i gjeti darka”…

Dhe vazhdon me penëmadhin Petro Marko, burrin e bukur dhimbjeshumë të Bregut të Detit që dallgëzoi deri buzë lumit Ebro edhe me ligjëratën e prerë: “Himara ka qenë, është dhe mbetet shqiptare!”


Sigal