Halil Rama: Metamorfoza e negociatave për Çështjen e Detit

• Çështja e paqenë e detit në optikën e patriarkut të analizës diplomatike shqiptare, Shaban Murati


Patriarku i analizës diplomatike dhe i politikës së jashtme shqiptare, Shaban Murati, i vlerësuar si i tillë nga Prof.Dr.Aleksandër Meksi, ish-kryeministër i Qeverisë së parë Demokratike të Shqipërisë (1992-1997), e konsideron çështjen e detit si një nga dosjet më enigmatike të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Në situatën e konfuzionit politik, diplomatik, teorik dhe dokumentar, të disa segmenteve të diplomacisë shqiptare, edhe pesë vjet pas Vendimit Historik të Gjykatës Kushtetuese, analisti i mirënjohur me përvojë 50 vjeçare në fushën e politikës së jashtme, ka sugjeruar hartimin dhe shpërndarjen me urgjencë të një qarkoreje juridike, ku të rifreskohet kujtesa e diplomatëve tanë me qëndrimet bazë juridike, historike dhe kombëtare të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 15 Prillit 2010. Kjo sipas tij, për faktin se me këtë vendim të Kushtetueses Shqiptare, Çështja e Detit është një dosje e mbyllur në planin ligjor, politik, historik dhe diplomatik. Në librin e tij “Çështja e paqenë e detit, një intrigë diplmatike greke apo shqiptare”, studiuesi e diplomati Murati, bazuar në dokumentacion të pasur, jep për herë të parë një analizë diplomatike të plotë të kësaj çështjeje në gjithë harkun kohor të zhvillimit të saj deri në ditët tona. Në Kreun e I: “Enigma e nxitimit diplomatik”, ndër të tjera autori evidenton si problem të pare, ngutjen e diplomacisë shqiptare që të plotësonte menjëherë kërkesën e Greqisë për hapjen e bisedimeve për detin, në një kohë që Greqia e kishte neglizhuar këtë çështje për dhjetra vite me radhë dhe nuk e kërkoi kurrë, që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1971. “Ajo që bën më shumë përshtypje nga studimi dhe analiza e dinamikës së bisedimeve diplomatike mes dy shteteve, është nxitimi i pazakontë i palëve për të arritur dhe mbyllur bisedimet me një marërveshje”, shkruan z.Murati në librin e tij të promovuar para pak ditësh në praninë e dhjetra personaliteve të botës akademike, diplomatike e juridike. Parë nga ky këndvështrim ai konkludon se sa ç’është i paqartë motivi i nxitimit të diplomacisë greke, aq është i errët qëllimi i nxitimit nga diplomacia shqiptare. Madje sipas z.Murati, i njohur si një ambasador nga më të mirët e vendit tonë dhe një kërkues i palodhur e i pashoq i mendimit të ri diplomatik shqiptar: “Në këtë nxitim, jo vetëm u shkelën procedurat, ligjet dhe Kushtetuta e Shqipërisë, por në planin profesional, diplomatik, shkencor dhe administrativ, nuk u përcaktuan dhe as u morën parasysh as parametrat më minimale, që kërkon një diplomaci serioze e një shteti serioz”. Kështu ka ndodhur edhe gjatë procesit diplomatik të negocimit të marrëveshjes së anulluar të detit (2008-2009), të shpallur nul nga Gjykata Kushtetuese. Në optikën ambasador Muratiti “Vështirë të gjesh në historinë e diplomacisë shqiptare dhe të shtetit shqiptar çështje dhe dosje delikate, që të jenë negociuar me kaq mendjelehtësi dhe mungesë profesionalizmi, sa bisedimet me Greqinë për çështjen e detit. Pikërisht që të mos përsëriten ato gabime, ambasadori Murati kërkon që refleksionet dhe mësimet që nxirren nga gabimet e negociatorëve të para nëntë viteve (të qeverisjes së PD), të shërbejnë si një instrument profesional për diplomacinë aktuale shqiptare. Në këto konkluzione, autori mbështetet mbi burime tejet serioze të dhënash, sidomos nga Arkivat e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë e të Italisë, Arkivin e Akademisë Diplomatike të MPJ të Shqipërisë, Arkivin Qëndror të Shtetit, por dhe në refernca të autorëve të mirënjohur, si Arben Puto, Ksenofon Krisafi, Beqir Meta, Luan Malltezi, Myslim Pashaj, Romeo Gurakuqi, Erl Murati, Andon Andoni, etj. Këto burime të dhënash, bibliografia mjaftë e pasur dhe referenca të përfaqësuesve diplomatikë, shkencor e publicistik, vendas e të huaj kanë shërbyer si bazë e analiziës së mirëfilltë të diplomatit Sh.Murati, edhe në katër kapitujt tjerë të librit: “Metamorfoza e objektit të bisedimeve”, “Bisedime me sindromën e Shën-Naumit”, “Një udhëkryë artificial diplomatik” dhe “Shtojcë-Me disa dokumente kryesore për kufijtë e Shqipërisë me Greqinë”. 
Duke mos pretenduar kurrësesi studimin në detaje dhe analizën perfekte të kësaj vepre, në koherencë të plotë me aktualitetin politik dhe diplomatik të marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Greqi, shpreh bindjen se kjo vepër e ambasador Muratit duhet të shërbejë si referencë bazë në negociatat e pritshme shqiptaro-greke si dhe në zhvillimet më të fundit të marrëdhënieve shqiptaro – ruse. Botimi i ri i diplomatit dhe publicistit të mirënjohur Shaban Murati që analizon marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë dhe specifikisht “paktin detar” u promovua para pak ditësh në kulmin e debatit politik për këtë çështje. Libri i dedikohet kryesisht negociatave dhe marrëveshjes së 9 vjetëve më parë, të cilën autori e përkufizon si një gabim diplomatik.“Gjithë procedura e ndjekur në bisedime, gjithë dinamika e dosjes së detit, të lënë shijen ose të jep përfundimin që aty ka pasur një bashkëfajësi apo një intrigë diplomatike të të dyja palëve”, – shprehet ambasador Murati. Siç nënvizon edhe prof.Dr.Aleksandër Meksi, edhe në këtë vepër autori Sh.Murati sjell një kontribut të ri në shkencën e mendimit diplomatik, me një guxim profesional dhe novacion mendimor të një niveli mjaftë të lartë. Kjo duket fare qartë, qoftë edhe në konkluzionin për çështjet e sovranitetit shtetëror dhe të integritetit territorial, që sipas tij janë ndër më të vështirat në procedurat dhe në artin e negocimit dhe mbi të gjitha kanë si karakteristikë të përbashkët kohën e gjatë të zhvillimit të tyre. Dhe për ta argumentuar këtë ai sjell në vëmendjen e diplomacisë aktuale shqiptare dhe të opinionit publik shembullin tipik në bisedimet për çështjen e kufijve detarë midis Rumanisë dhe Bullgarisë dhe midis Kroacisë dhe Sllovenisë, që kanë zgjatur të dyja mbi 25 vjet dhe ende nuk janë mbyllur.“Çështja e paqenë e detit një intrigë diplomatike greke apo shqiptare” dhe negociatat që do rinisin së shpejti ka ngacmuar reagimin e shumë diplomatëve të tjerë dhe historianëve të pranishëm në promovimin e këtij libri, që dhanë opinionet e tyre nga duhet të nisin këto bisedime. Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Sokol Sadushi dhe botuesi i njohur, Mehdi Gurra (ALSAR) e vlerësuan librin e Muratit si një kontribut të vlefshëm në hapësirën diplomatike. Ndërkohë, Ambasador Çlirim Çepani, konkludon se burimet e mëdha naftëmbajtëse të zbuluara kohët e fundit në detin Jon vunë në lëvizje diplomacinë greke dhe lobet pro-greke ose kalin e Trojës.Referuar veprës së ambassador Muratit, historiani i njohur Prof.Dr. Pëllumb Xhufi është shprehur se politika shqiptare ka punuar për ta heshtur apo për ta fshehur axhendën shqiptare në marrëdhëniet me shtetin grek. Libri “Çështja e paqenë e detit: një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”, botuar në shqip dhe në anglisht, në brendësi publikon edhe dokumente të ndryshme nga arkivi i Ministrisë së Jashtme për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi që nga viti 1967.