Gruaja, sfidat në shoqëri dhe familje

1855
Rajna KOVAÇI

Gruaja në shoqëri është një pjesë e jona, do të thosha e “rekuizitës” sonë, që na shërben për të kompletuar një nga rolet tona jetike. Nëse merreni me ndonjë aktivitet social është mirë t’i krijoni vetes mundësinë që të përçoni vetëm pozitivitet. Mundohuni të jeni e besueshme, t’i respektoni të tjerët, të jeni e edukuar, e të nxirrni në pah atë pjesë të vetes suaj, që kërkoni të jeni e respektuar dhe e dëgjuar. Shikoni gjërat me sy konservativ, që do të thotë, kushtojini vëmendje veshjes, mënyrës së qëndrimit, madje edhe ecjes. Të gjitha këto pjesë të çojnë në idenë se, sa seriozisht do ju marrë e do ju pranojë audienca. Përherë lidhur me qëllimin, që doni të arrini. 

Gruaja, bashkëshorte
Roli që do të luani në martesën tuaj, varet nga marrëdhëniet që keni të dy me njëri-tjetrin dhe nga pozicioni që keni zgjedhur vetë në martesë. Duhet të keni parasysh një gjë, se pozitat vendosen që në fillim, ashtu si e keni zgjedhur, ashtu do të mbetet, sepse e vështirë është të ndryshojë. Prandaj hapni sytë mirë, me kohë dhe mos pranoni role të cilat nuk i suportoni apo jeni të paafta për t’i kryer. Kështu që në rast të kundërt, polemikat nuk do të vonojnë, konfliktet do të shfaqen. Silluni sinqerisht e të hapura me partnerin, tregoni hapur se çfarë jeni në gjendje t’i jepni partnerit e çfarë prisni prej tij. Kështu apo ashtu, rolet në marrëdhëniet individuale, ku nuk ka hierarki të qartë, ato përcaktohen vetvetiu. Duhet të keni parasysh që edhe sikur t’ju japin të luani rolin kryesor në jetë, madje që të thoni e fundit ju fjalën për çdo gjë, kjo gjë, jo vetëm është një prioritet dhe përgjegjësi, por ama ju shtohet edhe një përgjegjësi shumë e rëndësishme. 

Gruaja, mama
Për shumicën e grave ky është roli kryesor i jetës së tyre, për disa të tjera është një etapë, që përkohësisht ka dalë nga vetja dhe ka ndaluar zhvillimin e tyre individual, për të vetmen arsye mirërritjen e fëmijëve të tyre. Kështu ose ndryshe këtë rol apo etapë, si të doni mund ta quani, duhet ta kryeni me sukses. Më e rëndësishmja është që për këto fenomene jetësore nuk ka receta. Çdo njeri do i kryejë sipas dhuntisë dhe instinktit personal. Kuptohet për çdo gjë ka rregulla të caktuara, të cilat mund të na drejtojnë, por jo të jemi verbërisht kopjuese…

Kjo është një ndjenjë të cilën çdo mama e kalon, dhe ai zëri i brendshëm që ju flet e ju zgjon i tillë do të jetë përherë e do ju tregojë se çfarë duhet të bëni, gjatë mëdyshjeve tuaja. Nëse e dëgjoni dhe veproni me dashuri, durim dhe qetësi, kjo veprimtari madhore që jeni duke kryer është e sigurt që do të dalë me sukses dhe ju kurrë nuk do të dështoni.

Gruaja, e dashur 
Pavarësisht mënyrës së sjelljes që bëni në shoqëri dhe sa pamje konservative i keni dhënë vetes, ndokush e luan edhe këtë rol. Dhe nuk ka asgjë të keqe. Në përgjithësi je dakord me partnerin tënd – e rëndësishme është që të jeni me një mendje me të për marrëdhëniet seksuale dhe idenë për t’u pajtuar me të e më pas të tjerat janë gjendje humori. Në përgjithësi kjo mbetet një marrëdhënie në bazë reciprociteti. Mos harroni që herë pas here të rifreskoni marrëdhëniet me prirjen për të bërë dhe heroinën, dëshirën për diversitete. Këtë duhet ta zgjidhni e ta vendosni vetë. Përherë duhet të keni parasysh që jeni gruaja e ëndrrave të tij, që keni personalitetin dhe individualitetin tuaj se jeni një grua me autoritet dhe jo punonjëse seksi apo është ajo gjëja kryesore që e lidh atë me ju. Nëse ju pëlqen ai rol duhet ta dini se herët apo vonë: uria, etja për seks vërtet do i plotësohet, por ndodh edhe që interesi për ju mund t’i venitet. Ju duhet të jeni e ndërgjegjshme se keni shumë vlera dhe vleni shumë. 

Gruaja, shoqe
Nga hulumtimet e mia kam dalë në përfundimin se me siguri keni 2-3 shoqe, me të cilat kaloni kohën dhe pini kafe, bisedoni me to për probleme të ndryshme familjare, modë, ndonjë thashetheme, çështjet e zemrës apo të shpirtit. Kuptohet marrëdhëniet shoqërore janë marrëdhënie reciproke ashtu si i hapni ju zemrën po ashtu edhe ato ju shprehen ju lirshëm, me sinqeritet dhe miqësisht. Të qenit mike apo shoqe është një detyrim apo angazhiment afatgjatë, do ju duhet që shpesh të dëgjoni problemet e personit përballë me orë të tëra, të vuajmë e të përjetojmë probleme bashkë me të, por edhe të shijojmë me po aq dashuri dhe sinqeritet sukseset e tyre. Ashtu si e thashë më sipër, miqësia është reciproke. Varet nga ju, nga përcaktimi juaj, nëse personi që keni përballë ia vlen t’i besoni dhe t’i jeni besnik. Vetë jeta do ju mësojë, nëse bini në 1-2 situata të vështira, e do të shikoni reagimin e saj dhe sa ajo do ju qëndrojë në krah për t’i kaluar sa më lehtë situatat e vështira. Përqendrohuni tek cilësia dhe jo tek sasia. Mos harroni se kushti kryesor për të pasur një miqësi të vërtetë, është të qenit besnik dhe i sinqertë, mikesha që do të keni përballë mos harroni shpejt do ju a kthej këtë marrëdhënie. 

Gruaja, rurale
Gruaja në fshat përballet me vështirësi nga më të ndryshmet, me mungesën e theksuar të infrastrukturës, me mungesën e teknikës së përpunimit të tokës, bimëve, pemëve, mungojnë shkollat për shkollimin dhe edukimin e fëmijëve. Për shkak të rrallimit të fëmijëve shkollat janë bashkuar dhe ato janë larg banesave të tyre. Po edhe çmimi i plehut kimik është rritur shumë, po ashtu edhe çmimi i lëndës djegëse. Mos të flasim për qendrat shëndetësore ku doktori mungon. Nëpër fshatrat shqiptare pjesa më e madhe e familjeve mbahen nga puna e grave. Për shkak se burrat janë në emigracion apo kanë gjetur punë në ndonjë qytet tjetër. 

Në fshatin shqiptar ka mbetur pjesa më e pambrojtur dhe më e dobët e popullsisë. Largohen njerëzit sepse në fshat jeta është bërë shumë e vështirë, aq shumë sa jo rrallë edhe kryetarët e komunave punojnë në fshat ndërsa jetën me familjet e tyre e bëjnë në qytet. Duhet shteti të planifikojë politika mbështetëse për fshatin, deri kur prodhimet bujqësore dhe blegtorale do të hidhen në rrugë të madhe? Sepse as shiten dhe as grumbullohen? Në fshat mungojnë shërbimet më elementare, mungojnë kopshtet, çerdhet, mungojnë shkollat, nuk ka qendër mjekësore, nuk ka mjek etj. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, popullsia urbane e ka kaluar atë ruralen. 46.3% e popullsisë e kanë lidhur jetën me fshatin. Mbështetja e grave rurale është një nga elementët kryesorë për eliminimin por më pas edhe për zhdukjen e varfërisë dhe urisë. Deri kur varfëria dhe uria do të ketë emrin grua? 

Gruaja me bashkëshortin e papunë
Nuk është një situatë e këndshme por ndodh shpesh sidomos në Shqipëri. Dhe ajo që duhet të dimë të veprojmë që kjo situatë të mos rrezikojë marrëdhëniet mes çiftit si dhe marrëdhëniet në familje. Pushimin nga puna burrat e përjetojnë më rëndë këtë moment kaq kritik të jetës së tyre. Normalisht burrat nuk mund t’i ndajnë këto momente nga emocionet e mëdha që provokon kjo situatë. Kjo situatë mund të bëjë që burri të mbyllet në vetvete e të distancohet e të vetë izolohet. Megjithëse ai nuk do të done të bashkëbisedonte me ju për momentin dhe ju do t’iu dukej sikur çdo provë e bërë prej jush madje edhe duke përdorur biseda humoristike, kjo nuk do të thotë se ai nuk ka nevojë për mbështetje. Më e rëndësishmja është të vendoseni në vendin e tij dhe ta mirëkuptoni. Pushimi nga puna shpesh është një goditje e fortë sidomos për natyrën e mashkullit. Si rezultat duhet të jeni shumë të kujdesshme, tolerante dhe kujdes evitoni grindjet dhe “llafet” e tepërta. Ka raste kur burrat ndjehen të parëndësishëm. Sepse atij i është prerë detyra e tij për të mbështetur familjen nga ana financiare. Mundohuni ta bëni të ndjehet i vlefshëm, tregoni dashurinë që keni për të. Mundohuni të tregoni se jeni të qeta dhe se kjo situatë do të kalojë, tregohuni të duruara. Mirëkuptimi është një gjë shumë e rëndësishme për të dalë me sukses nga kjo situatë. Emocionet e tepërta e rëndojnë këtë situatë mundohuni ti evitoni në mënyrë që të dilni mbi këtë situatë të papëlqyeshme. Jam e bindur se edhe bashkëshorti do të bënte të njëjtën gjë për ju. 

Gruaja, grua
Mos të harrojmë se mbi të gjitha jemi gra, pra gruaja ka nevojë për kujdesje, mos të kthehet në mashkull e duhet të nxjerrë në pah cilësitë e saj femërore, t’i kushtojë vëmendje pamjes së jashtme…ose thjesht të jetë vetvetja. Të nxjerrë në pah vlerat e saj, feminilitetin që ka brenda vetes. Shikoni duhet të kemi kujdes të mos humbim nëpër ato rolet e ndryshme e të harrojmë këtë më të rëndësishmen, sepse kjo është kryesorja të qenit: Grua! 
(Autorja është eksperte e çështjeve të barazisë gjinore)
Thënie të mëdha nga gra të famshme për gra të forta
Nganjëherë ju ndodh të humbisni vendosmërinë dhe kurajën. Ku mund të gjeni frymëzim, të mblidhni forcat për të ecur përpara? Rrëfimi i disa grave të forta, të bukura e të famshme, do ju ndihmojnë të gjeni vullnetin që ju ka humbur për momentin!
“Të jesh e fortë – do të thotë si të jesh madamë/zonjë. Nëse duhet t’u shpjegosh njerëzve këtë, do të thotë se – nuk je e tillë“
Margaret Theçer
“Çdo grua, e cila njeh mirë administrimin e shtëpisë, familjes si dhe të qenit e një amvise të aftë është fare pranë të kuptuarit dhe njohjes si drejtohet shteti”
“Nëse je e mençur, do të thotë se je e bukur. Gra të shëmtuara nuk ka. Disa janë të bukura si trëndafili, të tjera si kaktusi…”
Sharon Stoun
“Nuk përpiqem të dukem si vajzë, sepse nuk jam më. Tashmë jam grua dhe kjo gjë më gëzon“
“Jeta është shumë e shkurtër, që ta harxhojmë duke bërë dieta, me burra lakmitar dhe humor të keq”
Faina Ranevska
“Përrallë-kështu, është kur martohesh me një bishë, që në fakt të është paraqitur si princ, në jetë ndodh e kundërta”
“Bukuria fizike është e mrekullueshme, por kalimtare. Besimi që vjen bashkë me arritjen e qëllimeve, është gjëja më e bukur në botë”
Madona 
“Në jetën time ka pasur shumë momente të tmerrshme dhe të pakëndshme. Por nuk dua të më mëshirojnë, sepse dhe vetë unë nuk mëshirohem”.
“Njerëzit mund të falin mendjen, talentin, por bukurinë kurrë”
Monika Beluçi
“Bukuria kthehet në problem për gruan në dy raste- kur ajo nuk është ose kur përvec saj nuk ka asgjë tjetër”
Monika Beluçi 
“Nëse një vajzë duket shumë bukur në rininë e saj, por është e shpërndarë dhe asgjë nuk e çon deri në fund, bukuria shpejt do të largohet prej saj. Nëse ka një pamje të hijshme dhe është modeste, por me një karakter të fortë, bukuria e saj do të rritet me kalimin e viteve”
Sofia Loren
“Hijeshia e jashtme nuk është gjithçka –por nëse keni sharm, bota do të jetë nën këmbët tuaja”
“Kur i bën një nder dikujt dhe e bën me shpirt, pa pritur mirënjohje, dikush e shkruan këtë fakt në librin e madh të fatit dhe të dërgon lumturi, për të cilën as nuk ke ëndërruar”
Anxhelina Zholi 
“Njerëzit thonë, kujdes se po shkon në rrugë të gabuar, por ata nuk e kuptojnë se kjo është thjesht rruga jote”
“Nuk më intereson aspak se çfarë mendoni për mua. Unë absolutisht nuk mendoj për ju”
Koko Shanel
“Bukurinë në moshën njëzetvjeçare ta ka dhënë natyra, por si do të jesh në moshën pesëdhjetëvjeçare varet prej teje”
“Gratë që përpiqen të jenë të barabarta me burrat, nuk janë mjaftueshëm ambicioze“
Merlin Monro 
“Kjo, që ke dështuar njëherë nuk do të thotë se do të dështosh përsëri. Vazhdo të provosh, mbahu fort, vazhdo të provosh, përherë provo, provo, ki besim tek vetja, sepse, nëse ti nuk beson, atëherë nga kush pret? Prandaj mbaje kokën lart, ngrije mjekrën lart, dhe më e rëndësishme është që vazhdo të buzëqeshësh, sepse jeta është kaq e bukur dhe ka aq shumë arsye të buzëqeshësh”
“Jam e sigurt kur them se për zgjidhjen e shumë problemeve mendimi i qartë i mashkullit është mënyra më e mirë për të sjellë rregull në kokën tënde të turbullt. Përherë kam dashur të më drejtojnë e të më udhëzojnë. E nuk ka gjë më të mirë kur e di se çfarë duan prej teje- si në jetë. Në punë apo në dashuri”
Marlen Ditrih
“Është kaq e thjeshtë të jesh e mirë. Duhet vetëm të vihesh në vendin e tjetrit, para se të fillosh ta gjykosh”
Sigal