Gruaja në semafor…

231
Prof. Përparim Kabo

Janari është muaj i gjatë…çdo pasdite shikon se si dita merr nga nata dhe perëndimi vonon qoftë edhe një minutë…Prej disa ditësh koha ka qenë me diell, madje nga mesdita edhe disi e ngrohtë për stinën…dhe befas në rrugë shfaqen ato, lajmëtaret, MIMOZAT…Lule në një pemë me të njëjtin emër…Këtë vit i pashë për herë të parë në duart e dy adoleshentëve që i shisnin në rrugë. M’u dukën të parakohshme, më shumë si ngjyrë të ardhura se sa si lule të formuara dhe aromëplote… Po ja që sot takova mimozat…Tek udhëtoja drejt daljes nga Tirana në rrugën e Kombinatit, semafori fundit është pikërisht atje ku kthehen autobusët e linjës dhe hyjnë në sheshin përpara ish-kombinatit të tekstileve…Ishte ndezur llamba e kuqe e semaforit, ndaj dhe ndalova. Në trotuar pashë një grua eshtake të gjatë me tufa mimozash. Ula xhamin e derës së makinës dhe i fola. Erdhi me vrull. 

-I shet?, i thashë 
-Po, tha dhe u përkul duke futur kokën dhe tufat e luleve brenda në makinë. 
-Sa i ke?, pyeta gruan e semaforit 
-Pesëqind lekë tufa, tha. 
-Më jep dy, i thashë dhe i zgjata një dy mijë lekësh të vjetër. Në çast më ktheu kusur dhe i la lulet mbi sediljen e krahut. Tek bënte të ikte e pyeta.
-Si ju quajnë? 
Ndërkohë kishte dalë jashtë makinës dhe në ikje e sipër më tha. 
-Kadie. 

Pikërisht në këtë moment në një fraksion sekonde ndodhi ajo që më la gjurmë. Më pa në sy dhe një dritë nga ato të sinqertat, humane dhe tejet kuptimplote i ndriti në sytë e saj të kaftë. Kush e di se ç’ka menduar, pse më pyet ky njeri për emrin. Mimozat i mori …çfarë do më? Një grua malësore, tashti në qytet për nevojat e jetës qëndronte në semafor…! Pas rreth një ore si mbarova punët e së dielës në varreza u ktheva. Sërish në krahun tjetër të rrugës qëlloi që semafori qe mbyllur dhe u ndala. Ajo ishte po atje me tufa mimozash, madje edhe më të freskëta…Priste makinat që të ndaleshin. Pata rast ta shihja dhe një herë për pak sekonda. I pashë rrobat e veshura që më shumë ngjanin si burrash…një palë pantallona terital kafe një xhup i gjatë ngjyrë bezhë, atlete të vjetra ku shquante pakëz e kuqe…Në çastin që më duhej të nisesha, vura re që më kurrizin e pëllëmbës së dorës fshihu hundët…Gruaja e vitit 2018…në semafor me mimozat në duar…për jetën…as pak e interesuar për propagandën që flet për barazi gjinore… Tek ikja drejt Tiranës solla në mendje emrin e saj Kadie dhe ripashë atë dritën e veçantë të syve të njerëzve të thjeshtë që mendojnë, se emri i tyre i përveçëm nuk ka as edhe një lloj interesi…në këtë shoqëri, ndaj e quajta gruaja në Semaforin e Mimozave…
P. Kabo 28 janar 2018 për ciklin “Jeta sa një episod”