Goditjet e krizës financiare

1026

Vlerësime për librin e z.Luan Shahollari mbi analizën që ai i bën krizës ekonomikë në vend

Këto ditë doli nga shtypi libri “Goditjet e krizës financiare” i ekonomistit të njohur Luan Shahollari, botim i EMAl. Në këtë libër janë përfshirë shkrime, analiza, intervista të botuara në disa organe të shtypit prej marsit 2009 dhe deri në korrik 2012. Autori e ka ndjekur krizën financiare në mënyrë kronologjike që prej fillimit të saj. Ai ve në dukje se plasja e “flluskave” të shtëpive më 2007 dhe sidomos falimentimi më 15  shtator 2008 i Lehman Brothers Holding, një prej katër bankave më të mëdha amerikane ishin momentet kyçe që i dhanë shtysë vendimtare përhapjes krizës jo vetëm në ShBA por edhe në vendet e tjera  të zhvilluara në disa vende të BE e më gjerë. Kjo njihet edhe si kriza më e ashpër që prej Depresionit të Madh në vitet 1930-1940.

Kriza financiare u kthye shpejt në një krizë ekonomike dhe sociale: në vitin 2009, PBB në shkallë botërore ra 2 për qind, numri i të papunëve u rrit nga 178 milion më 2007 në 205 milion më 2009, më 2010, 114 milion njerëz të tjerë ranë poshtë kufirit të varfërisë etj. (f 146 e librit). Pasojat do të ishin më të rënda nëse nuk do të ishin marrë masa të shpejta edhe të bashkërenduara nga shtetet përkatëse si dhe nga grupimet dhe institucionet financiare ndërkombëtare si G-8, G-20, FMN, BB etj. Këto ndikuan që gjatë vitit 2010 të fillojë rritja ekonomike, ndonëse jo kudo e qëndrueshme. Për më tepër është intensifikuar kriza në treguesit fiskalë, veçanërisht në disa vende të eurozonës në BE.

Për shkak të fijeve të dobëta të integrimit me tregjet financiare të rëndësishme rajonale, Shqipëria nuk u prek menjëherë nga kriza financiare globale. Madje në vitet 2008 dhe 2009 u shënua rritje në PBB, në të ardhurat e buxhetit, në investimet publike, në pagat e pensionet etj. E bindur se kriza ishte larg saj, qeveria në këto vite rriti masën e huamarrjes me terma tregtare nga jashtë si dhe rriti shpenzimet e brendshme. Madje, në shtator 2009 Kuvendi miratoi një program të fryrë, me tregues të parealizueshëm.

Prej fillimit kemi hasur qëndrime të ndryshme për krizën: qeveria e ka mohuar krizën, madje ka nënvleftësuar edhe pasojat e saj, kurse opozita ka folur për krizë totale. Tani që goditjet kanë dhënë efekte të qarta në buxhetin e shtetit dhe në treguesit ekonomikë qëndrimi qeveritar ka filluar të modifikohet në “bota është në krizë, por ne megjithatë…” kurse qëndrimi opozitar e ka vënë theksin tek përgjegjësia e qeverisë për krizën.

Autori bën pjesë në grupin e studiuesve që mban qëndrim objektiv ndaj krizës duke e analizuar atë përmes të dhënave të besueshme ekonomike, financiare, bankare dhe sociale me burime vendore dhe nga institucione ndërkombëtare.

Tematika e librit përmban 40 shkrime të ndryshme që kapin një game të gjerë problemesh që shqetësojnë financat dhe ekonominë shqiptare. Shkrimi i parë që kryeson listën e tyre mban datën 5 mars 2009 dhe trajton mbrojtjen e depozitave të kursimit të qytetarëve, e cila ndryshe nga praktika në ShBA, BE dhe vende të tjera të zhvilluara, masat anti-krizë në Shqipëri ishin të vonuara.

Në vijim vijnë 4 shkrime që trajtojnë temën e dërgesave në pará të emigrantëve, kursin e këmbimit të lekut me euron dhe dollarin amerikan, frenimin dhe keqësimin e kredidhënies, dhe pasoja të tjera në fushën ekonomike, financiare  e sociale.

Në katër nga pesë shkrimet pasues, trajtohen shkaqet e krizës globale, ku më kryesori është mbivlerësimi i rolit të tregut, zgjedhja e neoliberalizmit, si doktrinë dhe praktikë, në drejtimin e ekonomisë në ShBA para fillimit të krizës.

Tetë shkrimet e tjera trajtojnë çështje që venë në dukje masat shtrënguese të qeverisë në fushën financiare ndonëse i vjen “zor” ta pranojë zyrtarisht efektin e krizës botërore. Në to sillen të dhëna me karakter ekonomik dhe social si: buxheti për frymë, ku zëmë vendin e fundit në Europë, për ndihmën ekonomike që është krejt simbolike-33 cent për person në ditë, për pensionet ku rritja është minimale, për pensionet e fshatit që nuk mund të barazohen shpejt me ato të qytetit, për pagesat tepër minimale për të papunët etj.

Në vijim pasqyrohet kapërcimi i deficitit buxhetor mbi 3 për qind të PBB dhe e borxhit publik afër tavanit prej 60 për qind të PBB. Në mënyrë më të argumentuar analiza e këtyre treguesve trajtohet në shkrimin për kuadrin makro-ekonomik në vitet 1991-2010.

Politika qeveritare për të parandaluar dhe zbutur pasojat e krizës botërore në fillim dhe deri në fund të vitit 2009 ka qenë në pozita nënvleftësuese, e vonuar dhe e mangët. Masat u forcuan në mesin e vitit 2010 dhe ashpërsuan më tej gjatë vitit 2011 duke korrigjuar (në ulje) të gjithë treguesit e të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit për vitet 2012-2014.

Një analizë e plotë që trajton efektet e krizës financiare dhe ekonomike botërore në vendin tone është botuar në shtator 2011. Ndikimi i kësaj krize në BE, dhe sidomos në Greqi dhe Itali dha efektet e para në rënien e remitancave duke u shtrirë më vonë edhe në rënien e ritmeve të rritjes të PBB, në uljen e shpenzimeve të buxhetit, rritjen e papunësisë, etj. Këtu janë përfshirë edhe disa shkrime që lidhen me çështjet sociale, të punësimit, pagave, varfërisë që efektohen drejtpërdrejtë nga kriza financiare dhe ekonomike. Në rishikimin që u ka bërë treguesve të kuadrit makrofiskal 2012-2014, Qeveria parashikon shkurtime të mëtejshme në fondet e pagave, pensioneve, për ish të përndjekurit politikë, për pronarët, etj.

Duke e konsideruar 2012-si vitin më të vështirë të qeverisjes të PD, autori ve në dukje se ekonomisë shqiptare do t’i duhen vite për të kapërcyer krizën dhe për t’u rigjallëruar.

Libri përmban edhe katër shkrime për taksat, për taksën progresive dhe “taksën e sheshtë” që ndonëse nuk lidhen direkt me krizën kanë zënë vend jo vetëm në agjendën e diskutimeve politike dhe ekonomike në vendet e zhvilluara kapitaliste, por edhe në vendin tonë. Ndonëse pak kohë ka kaluar nga zbatimi i “taksës së sheshtë” (prej 2008) del qartë se barra e pagesës është zhvendosur në shtresat që sigurojnë më pak të ardhura.

Kryeministri dhe qeveritarë të tjerë janë përpjekur të argumentojnë se ende nuk kemi rënë plotësisht në krizë (recesion) pasi vërtet është përgjysmuar ritmi i rritjes të PBB, por gjithsesi, nuk kemi rënie absolute të PBB për dy tremujorë njëri pas tjetrit .

Mirëpo në shkrimin “Zyrtarizohet kriza”, të botuar në Telegraf më 25 korrik 2012, sjell në vëmendje të publikut faktin e botuar nga INSTAT më 9 korrik 2012, sipas të cilit doli se PBB në tremujorin e parë të vitit 2012 u ul me 0.2 për qind kundrejt tremujorit të parë të vitit 2011 dhe 1.2 për qind kundrejt tremujorit të katërt 2011.

Si do të jetë rritja e PBB për tremujorin e dytë të vitit 2012? Një përgjigje e kësaj pyetjeje pritet të jepet në publikimin tjetër të INSTAT-it të parashikuar më 5 tetor 2012. Për shkak se ecuria e deritanishme nuk tregon për prirje në drejtimin e duhur, nuk mund të priten ndryshime të shpejta pozitive dhe nëse rënia do të vazhdojë, atëherë qeveria në vend të shfajësimeve dhe krahasimeve pa kuptim, duhet të shpallë zyrtarisht krizën ekonomike dhe financiare dhe të zbatojë masa komplekse, pasi vetëm shkurtimi i shpenzimeve të buxhetit nuk është i mjaftueshëm.

Libri u drejtohet jo vetëm specialistëve e drejtuesve të ekonomisë e financës, studentëve të këtyre profileve, por një publiku më gjerë, që është i interesuar të dijë më shumë për  krizën financiare globale dhe parandalimin e pasojave mbi vendin tonë.