Gjykata e Lartë e ka shpërdoruar peshoren e drejtësisë në gjykimet e saj, duke anuar nga “maliqi”dhe jo nga ligji

Av. Feriat Janushi

Është i njohur fakti që me ndryshimin e sistemit nga monist në pluralist, u ndërmorën reforma dhe në FA të RSH. Nga kjo reformë pjesa më e madhe e ushtarakëve, jashtë dëshirës së tyre lanë vendet e punës dhe ngelën të papunë. Shteti, nisur nga koeficienti i lartë i vështirësisë të punës së tyre, se pjesa më e madhe e tyre ishin kryefamiljarë, duke filluar nga viti 1991 e në vijim, ka nxjerrë një seri ligjesh e aktesh nënligjorë për trajtimin e tyre në zbatim të Kushtetutës Republikës së Shqipërisë. 

Por me keqardhje, në praktikën e zbatimit të këtyre ligjeve dhe akteve nënligjore, strukturat shtetërore e kryesisht Sigurimet Shoqërore, i kanë shkelur ato, duke vepruar në kundërshtim me përmbajtjen e tyre. Është kjo arsyeja, që në masë ushtarakët, këto konflikte të natyrës administrative me sigurimet shoqërore, i kanë bërë objekt të zgjidhjes tyre në gjykatë. Duke filluar nga viti 2003 e deri para daljes të vendimit unifikues (i publikuar në Prill, 2017) më shumë se 1000 ushtarakë kanë fituar gjyqet e kanë marrë pensionin e parakohshëm sipas ligjeve që e normojnë atë. Me daljen e vendimit unifikues të Gjykatës Lartë nr. 3, datë 24.11.2016, të gjitha vendimet e formës prerë (mbi 1000), janë prishur e dërguar për gjykim përsëri në Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë dhe Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, të cilat me një apo dy seanca, bazuar te vendimi unifikues i kanë rrëzuar kërkesë-paditë duke i deklaruar ato të pabazuara në ligj e prova! Pra, pasi kanë kaluar deri në 14 vjet, ushtarakët që kanë fituar gjyqet me vendim të formës së prerë, do të detyrohen të kthejnë diferencat e lekëve që kanë marrë, në zbatim korrekt të ligjit. Ky rast është i paprecedent, dhe vë në vështirësi të skajshme ekonomike ushtarakët. Njëherazi, ky vendim unifikues është haptazi në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës të RSH, të krijon mendimin se Gjykata e Lartë qëndron mbi të gjitha organet, përfshi Parlamentin si organ ligjvënës, ajo (GJL) ka “kompetencë” të marrë vendime mbi ato që përcaktojnë ligjet, që ligjet t’i zbatojë në mënyrë selektive disa po e disa jo, ka “kompetencë” të shkele edhe Kushtetutën e RSH që është ligji Themeltar Bazë, mbi bazën e të cilit dalin të gjitha aktet ligjore e nënligjore. Ky vendim unifikues të krijon bindjen, se në Shqipëri pasiguria juridike është ngritur në sistem, pra, atë të drejtë që e ke fituar të bazuar në ligj dhe me vendim të formës së prerë të Gjykatës, në një kohë të mëvonshme deri edhe më shumë se 10 vjet mund ta humbasësh, bazuar dhe në një akt nënligjor!? 

Vendimi unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës Lartë nr.3, datë 24.11.2016, vendim denigrues për të gjithë ushtaraket e FA të RSH në rezervë

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë me vendimin nr.3 datë 24.11.2016 kanë vendosur: “Prishjen e vendimit nr. 1784, datë 14.05.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, por me tjetër trup gjykues. Ky vendim është unifikues dhe dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare”.

Padinë për këtë gjykim e ka ngritur shtetasi Përparim Zano, ish-ushtarak i FA të RSH, për pensionin e parakohshëm. Të paditur janë DRSSH Durrës dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore Tiranë.

Objekti i padisë është: “Anulimin e vendimeve për caktimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi”

Të anulohet vendimi i rillogaritjes së të ardhurave nga pension i parakohshëm për vjetërsi shërbimi sipas Ligjit 10142, datë 15.5,2009 “Për sigurimet shoqërore të ushtarakëve” i ndryshuar me aktin normativ nr.5, datë 10.11.2010.

Detyrimin e palës së paditur të rillogaritë dhe paguajë pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Rillogaritja të behet sipas Ligjit nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut”dhe Ligjit nr. 8087, datë 13.03.1996 i ndryshuar, të cilët parashikojnë si shumë të pensionit prej 50% të pagës referuese, duke i shtuar 2% të kësaj page për çdo vit tjetër shërbimi mbi vjetërsinë prej 15 vjetësh.

Pagesa e pensionit të rillogaritjes si më sipër të fillojë nga data kur është caktuar pension i parakohshëm për vjetërsi shërbimi, deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie.

Detyrimin e palës së paditur të paguajë diferencat e papaguara ndërmjet pensionit të parakohshëm të rillogaritur sipas Ligjit nr. 8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar dhe pensionit të përfunduar deri tani, që nga moment i lindjes së të drejtës për pensionin në vazhdim, deri në momentin e ekzekutimit të kësaj shume”. 

Baza Ligjore e padisë është: “Nenet 31, 32/a, 153, 154, 324, 325 dhe 327 të Kodit të Procedurës Civile. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nenet 4, 44, 132, 142/3; Ligji nr. 8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar te Ushtarakëve te Forcave te Armatosura në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar. Ligji nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për Statusin e Ushtarakut”. Ligji nr. 9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve, i ndryshuar; Ligji nr. 10142, date 15.5.2009 “Për sigurimet shoqërore suplementare të ushtarakëve ....”, Vendimi nr. 9, datë 26.02.2007 i Gjykatës Kushtetuese, Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 63, datë 01.02.2006”. 

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me vendimin e saj nr.2514 (11-2013-5458), datë 04.11.2013 ka vendosur: “Pranimin e pjesshëm të kërkesë-padisë. Detyrimin e palës së paditur të anulojë vendimin nr. 25, datë 30.04.2007 lidhur me masën e pensionit, duke e rillogaritur atë në bazë të ligjit nr. 9418, date 20.05.2005, i ndryshuar. Për 26 vite shërbimi pagë referuese 46.860 lekë, për 15 vite + 50% + (26-15)x2=22%. Pagë referuese 46860x22%=33739 lekë. Duke u aplikuar masa jo më e madhe se katërfishi i pensionit bazë, si dhe indeksimet sipas VKM-ve. Detyrimin e palës së paditur t’i kthejë diferencën e krijuar për periudhën 01.09.2006-30.06.2009 në masën 583.838 lekë. Diferencë kjo e krijuar nga pensioni i dhënë nga pala e paditur me pensionin që i takon sipas ligjit. Pushimin e gjykimit për kërkimet e tjera që i përkasin periudhës nga data 01.07.2009 e në vazhdim”.

Kundër këtij vendimi ka paraqitur apelim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë pala e paditur, kjo gjykatë me vendimin e saj nr. 1784, datë 14.5.2014, ka vendosur lënien në fuqi të Vendimit të Gjykatës të Rrethit gjyqësor Durrës të cituar më sipër. Pala e paditur ka paraqitur Rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila mori vendimin unifikues të cituar më sipër.

Është dëshpërues fakti që ky vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë është antikushtetues, antiligjor, njëherazi antihuman e antinjerëzor për faktet që do të përmendim në vijim, e konkretisht: Kushtetuta e Republikës Shqipërisë në nenin 52 pika 2 shprehet: “2. Kushdo , kur mbetet pa punë për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij dhe kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara me ligj”. Është i njohur fakti që ndryshimi i regjimit nga monist në pluralist, diktoi nevojën e reformave rrënjësore edhe në Forcat e Armatosura në Republikën e Shqipërisë. Në këtë kuadër masivisht ushtarakët u larguan nga detyra. Trajtimi i tyre ndonëse parashikohej në statusin e ushtarakut të vitit 1991, u bë sipas VKM-ës 225 të vitit 1992 të Qeverisë Meksi. Ky trajtim zgjati për dy vjet dhe deri në janar 1999 ushtarakët nuk u trajtuan më ekonomikisht. Pa dashur të politizojmë problemin, por as nuk mund ta injorojmë atë, mendimi ynë shkon, se ajo qeveri mendoi si të mos i trajtonte ushtarakët dhe kur problemi u agravua, e detyruar miratoi ligjin 8087/1996, i cili deri në janar të vitit 1999 nuk u zbatua nga President i gjithëpushtetshëm i asaj kohe, z. Berisha dhe kryeministri në hije Meksi. Pas ngjarjeve katastrofike te vitit 1997, fryt i qeverisjes së gabuar të Berishës, ku shteti u shpërbë, u hapën depot e armëve me urdhër të Berishës dhe bashkëpunëtorëve të tij të zellshëm, u dha urdhër për mobilizimin e shtetasve në veri të vendit që së bashku me aviacionin dhe armët që mbetën të sulmohej e bombardohej Vlora dhe gjithë jugu dhe si ky aventurizëm nuk gjeti zbatim, pasi populli dhe ushtarakët e ndershëm e kuptuan se kjo ishte çmenduri, Berisha nga ai moment i shikoi dhe vlerësoi ushtarakët si armiq. Në këto kushte ai nuk i trajtoi ekonomikisht ushtarakët sipas ligjit që ai miratoi. Me ardhjen e Qeverisë Nano dhe të qeverive pasuese të krahut majtë diçka u bë për ushtarakët. Kështu për periudhën pas trajtimit sipas VKM-es 225 deri në janar 1999 ushtarakëve iu dhanë lekët. Nga 1 janari i vitit 1999 filloi zbatimi i ligjit 8087/1996 të ndryshuar.

Neni 11 i këtij ligji përcakton pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve si më poshtë: Kur ushtaraku pas trajtimit me pagesë kalimtare dhe kur mbush moshën 47 vjeç përfiton pension të parakohshëm: “a” Për 15 vjet vjetërsi shërbimi përfiton 50% të pagës referuese dhe “b” për çdo vit vjetërsi mbi 15 vjet pensioni rritet me 2% të pagës referuese, por kjo të mos kalojë masën e pensionit të pleqërisë në shkallë vendi”. Që në fillim Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të ngarkuara për zbatimin e këtij ligji bënë interpretimin dhe zbatimin e gabuar të tij. Ato llogaritën pensionet e ushtarakëve, jo sipas përcaktimit të ligjit, por sipas arsyetimit të tyre antiligjor, kështu kufizimi që parashikohet në shkronjën “b”e, konkretisht togfjalëshi, por jo më shume se pensioni maksimal i pleqërisë në shkalle vendi, ato e shtrinë për të gjithë masën e pensionit, pra edhe për 50% e masës të pensionit të parashikuar në shkronjën “a”! Ligjet shprehen në gjuhën e bukur shqipe, e cila si një ndër gjuhët më të vjetra e të kompletuara të kontinentit evropian, ka rregulla shumë të qarta për shkrimin e saj dhe shprehjen e mendimeve. Në analizë gjuhësore të nenit të cituar më lart të ligjit konkludohet lehtësisht që kufizimi i përcaktuar në shkronjën “b” nuk shtrihet edhe për shkronjën “a“, pasi po të ishte kështu ligjvënësi, nuk do ta ndante pensionin e parakohshëm në dy pjesë, por do të shprehej në një, duke përcaktuar formulën e llogaritjes dhe kufizimin e tij. Me këtë rast e gjykojmë të sjellim në vëmendje të Gjykatës një shembull nga lënda e leximit të shkollës fillore të shumë kohëve më parë ku tregohet se si vendosja e gabuar e presjes e shpëtoi nga pushkatimi një të dënuar. Kështu letra që dërgohej për ekzekutim shprehej: “ Falje, e pamundur të pushkatohet”. Në fakt duhej të shkruhej: “Falje e pamundur, të pushkatohet.” 

Ky interpretim dhe zbatim i gabuar i ligjit detyroi që shumë ushtarakë për zgjidhjen e konfliktit të tyre jetësor t’í drejtohen gjykatave me kërkesë-padi. Gjykatat në të shumtën e rasteve me gjithë trysninë e ushtruar nga segmente të administratës shtetërore, kanë ruajtur integritetin e tyre dhe kanë zgjidhur drejt çështjen duke detyruar palën e paditur të paguajë diferencat e papaguara të pensionit që burojnë nga shkelja e ligjit prej saj. Shumë nga këto vendime kanë kaluar të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshi dhe Gjykatën e Lartë. Ne vitin 2004 doli statusi i ushtarakut, miratuar me ligjin nr.9210, i cili në nenin 49 të tij i bën shfuqizimin e kufizimit të parashikuar në shkronjën “b” të nenit 11 të ligjit 8087/1996 të ndryshuar e konkretisht togfjalëshin “por jo me shumë se pensioni maksimal i pleqërisë në shkallë vendi”. Pra statusi përmirësoi edhe më tej trajtimin e ushtarakëve. Me riardhjen ne pushtet të kryeministrit të gjithëpushtetshëm Berisha, ai përsëri institucionalizoi kthimin pas me nxjerrjen e Ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, i cili çoi në uljen drastike të pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi të ushtarakeve, duke i çuar në nivelin fillestar të pensioneve në vitin 1999. Kjo bëri që shoqatat e ushtarakëve t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese të RSH, e cila me vendimin e saj Nr. 33, datë 24.06.2010 bëri ndërhyrje në këtë ligj duke bërë interpretimin përsëri la në fuqi nenin 29 të tij që lejon rillogaritjen e pensioneve, ku shprehet se rillogaritja e pensioneve për t’i ngritur është kushtetuese, kurse çdo interpretim tjetër që do të çonte në uljen e pensionit është antikushtetues, pasi ndër të tjera cenohet siguria juridike për të drejtat e fituara etj. Ndërkohë Gjykatat në të gjitha nivelet vazhdonin të jepnin vendime të drejta ligjore në favor të ushtarakëve. Kjo gjë e shqetësoi kryeministrin në ikje Berisha, i cili me anë të të ashtuquajturës shoqatë të xhenierëve inicioi një gjyq në Gjykatën Kushtetuese ku paraqiti njëmijë e një “arsye” se buxheti i shtetit nuk mund të përballonte pensionet e ushtarakëve, prandaj duhej zbatuar ligji siç ish, pra të rillogariteshin pensionet duke i ulur ato. Këto “qarje” në Gjykatën Kushtetuese Kryeministri i bëri në kohën që deklaroi publikisht që ekonomia e vendit tonë ka bërë “bum” dhe se ne renditeshim për zhvillimin ekonomik pas Gjermanisë. Gjykata Kushtetuese mori vendimin nr.2/2013, sipas të cilit prevalon interesi publik, qeveria nuk përballon pensionet e ushtarakëve dhe për pasojë ligjëroi që të zbatohej ligji 10142 në kundërshtim me vendimin e saj Nr.33/2010 të cituar më lart. Në mënyrë të përmbledhur ky është kuadri ligjor dhe qëndrimet e gjykatave të deritanishme për pensionin e parakohshëm të ushtarakëve.

Me vendimin e saj unifikues, objekt i këtij shkrimi, Gjykata e Lartë ka shkelur në radhë të parë Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, pasi ajo orienton Gjykatat e të gjitha niveleve që për zgjidhjen e konflikteve civile për pensionet e ushtarakëve të shkelin ligjet e konkretisht:

Kështu në faqen 5 të vendimit unifikues, paragrafi i dytë dhe i tretë shprehet: “Duke parë praktikat e ndryshme ligjore të trajtuara më sipër në zbatim të legjislacionit që ka rregulluar në kohë pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke marrë shkas nga çështja në shqyrtim, rastet të paraqitura për shqyrtim në Gjykatë të Lartë, me qellim shmangien e qëndrimeve te ndryshme mes gjykatave te faktit, por edhe te vete Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, ka vlerësuar se çështja duhet të dërgohet në Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të cilat morën në shqyrtim për të njësuar qëndrimet në lidhje me çështjet e mëposhtme:

1.Cilat janë efektet prapavepruese të zbatimit të Ligjit nr. 10142/2009 të ndryshuar me aktin normativ nr.5, datë 10.11.2010 në lidhje me llogaritjen e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi?
2.Cili është ligj i zbatueshëm për llogaritjen e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi për periudhën nga hyrja në fuqi e Ligjit nr.9210, datë 23.03.2004 “Për Statusin e Ushtarakut në Forcat e Armatosura të RSH” deri në hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009 të ndryshuar me aktin normativ nr. 5, datë 10.11.2010?
3.Si duhet të përllogaritet masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi nga neni 11 i Ligjit nr. 8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA ne MSh” të ndryshuar me ligjin nr. 8521, datë 30.07.1999. Kufizimi “jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi” duhet të zbatohet për të gjithë masën e pensionit të parakohshëm apo vetëm për shtesën në masën e këtij pensioni të parashikuar në shkronjën “b” të nenit 11 të këtij ligji?
Për të tria pikat e përmendura me sipër për njehsimin e qëndrimeve gjykata ka gabuar rëndë duke dhënë orientime haptazi në kundërshtim me ligjet që normojnë pensionin e parakohshëm të ushtarakëve për vjetërsi shërbimi. Në lidhje me pikën 1 të njehsimit megjithëse për zbatimin e ligjit 10142/2009 dhe aktit normative nr.5, date 10.11.2010, përmend së kanë dalë 2 vendime të Gjykatës Kushtetuese të MSH, ai me nr. 33, datë 24.06.2010 dhe vendimi nr.2/2013, te cilët mbajnë qëndrime të ndryshme për të njëjtin problem, për llogaritjen e pensioneve të parakohshme, gjykata njehson se duhet të zbatohet vendimi nr.2/2013, kurse vendimi nr.33/2010 megjithëse e komenton, nuk orienton zbatimin e tij! Pra, Gjykata e Larte orienton gjykatat e rretheve, administrative dhe të apeleve që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të zbatohen në mënyrë selektive, njeri po dhe tjetri jo. Kushtetuta e Republikës Shqipërisë në nenin 132 të saj shprehet: “Neni 132. Pika 1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare. Gjykata Kushtetuese ka vetëm të drejtën e shfuqizimit të akteve që shqyrton. 2. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. ...”. Të dy vendimet e GJK janë në fuqi dhe ato nuk mund të përjashtojnë njëri-tjetrin, secili vepron në kohën e vet, çka të shpie në arsyetimin se të gjithë ata ushtarakë që e kanë fituar të drejtën në kohën që ka dalë vendimi nr.33/2010 do të trajtohen sipas përcaktimit të tij, kurse ata që e kanë përfituar pas daljes së vendimit nr. nr.2/2013 do ta përfitojnë sipas përcaktimeve të këtij vendimi dhe jo siç ka vendosur Gjykata e Lartë. Pra orientim i drejtë i Gjykatës së Lartë në zbatim të ligjit e Kushtetutës do të ishte të shprehej lidhur me kohën e zbatimit të dy vendimeve të GJK të cituar më lart dhe jo siç ka vepruar në rastin konkret që e shpjeguam më sipër.

Vijon...