Gjon Neçaj/ “Malësorët e Nikaj Merturit para një shekulli”

511

Prej kohësh kisha planifikuar që në faqet e gazetës “Telegraf” të shkruaja diçka për një nga zonat më të thella të veriut e njëherazi më të varfrat, më të braktisurat, por edhe nga më të veçantat, Nikaj Merturi. E kjo më nxiste për të shkruar. Por duke hulumtuar dhe mësuar më tepër për banorët e kësaj krahine, mësojmë se mbi 70 % e tyre tashmë kanë migruar brenda vendit dhe të tjerë shpërndarë nëpër botë. Fise të tëra janë larguar nga viset e tyre për një jetë më të mirë për vete dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Mirëpo nuk është e tepërt të shkruajmë se nga kjo krahinë kanë dalë mbi 500 kuadro të lartë në fusha të ndryshme, që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në jetën e vendit. Bijtë e kësaj krahine janë shquar si intelektualë në arsim, shkencë, kulturë dhe letërsi. Por e veçanta e tyre është se, çdo vit nën kujdesin e komunës mblidhen dhe zhvillojnë folkfestën e Nikaj Merturit, duke ruajtur kështu traditat, doket dhe zakonet e saj. Nga kjo krahinë, siç hulumton poeti dhe biri i saj, Anton Papleka, janë ruajtur deri në ditët e sotme këngë mbi 400 vjeçare si: “Duel m’gurit bukuria”, “Kapërceva dy tre male”, etj.

Veçantitë e kësaj zone janë në ritet pagane: të vetmit në Shqipërinë e Veriut që vajtojnë të vdekurin nga kori i burrave, të vetmit në Shqipërinë e veriut që festojnë natën e Buzmit ndryshe nga viset e tjera. Në Nikaj Mertur ndodhet kisha më e vjetër në veri. E folmja e kësaj zone dhe fjalët e shprehjet e rralla që përdoren nga banorët janë të veçanta, thonë studiuesit. Arkitektura e ndërtimit të kullave me frëngji është  karakteristike në Nikaj Mertur. Në Curraj Epër ndodhet, tashmë e vetmuar, kulla 200 vjeçare e ngujimit. Gjithashtu kisha e Currajve të Epërm mban mbishkrimin e viteve 1800.

Për të plotësuar më tepër portretin e malësorëve të kësaj krahine, po citojmë shkrimin e Pal Dukagjinit, sekretarit të At Gjergj Fishtës, shkruar një shekull më parë, me titull: “Shqiptari i maleve të veriut-nikaj merturasi”, ku citojmë në origjinal: “Shtatnaltë, ije-hollë, shpatullgjanë, gjak-kulluet, si vena ne gastare. Synin gacë xixëlluese nën vetullat e zeza, rrashtën karakteristike te maleve dinarike, banori nip i Lekës, paraqet tipin e squet te veriut pa moterzime as kryqëzime race. I pastër në gjuhë, me nji gjallësi lumenjsh që rrëzohen shkëmbinjësh, ma i pastern ne doke. I kadalëshem në kuvend dhe i matun në urti, i peshuem në gjykime, i prem në vendime, i shpejtë në veprim, Lakonik në shprehje, i pasun në fytyrzime e shembëlltyrë të përshtatuna…

Gojtar ne log burrash, ulun përreth, kur rendi ti takojë me folë dhe të ndreqet në gjuj për të përshtatun kanunin ndër pleqni të fisit a por kur janë për tu marrë vendime me randësi për të mbaren dhe të mirën e Bajrakut. Bujar dhe fisnik në shtëpi, qi deri natën vonë rrinë çilë për të pritun miq, të njoftuem e te panjoftuem, e deri anmikun, udhëtarin që i bjen për shteg t’oborrit a drumit, qi kalon asajt, të vorfën e lypsa, qi erren jashtë pa ditë se kujt me i msyme. Kulla shumë katëshe e kasolla përdhese në mal marrin ngjyrë feste, kur Zoti i harton me kambën e mikut përherë të deshiruem. Besnik në fjalë e premtime të dhanuna, të cilat vetëm deka i pezullon, dheu i zi shban. Përfjale, qi del ka del shpirti, e beset e shtërngueme, ep jetën, shkrin robi rob, djeg kullë e fortesë, shkretnon mal e vrri. S’din dredhi përse s’don të gënjejnë , s’mrrinë me u paraqitë shka s’asht, përse s’pranon të jetë fletë, qi luen era, as pendël qi ban fryma. U edukue qysh në fëmini me e que jetën nën prizmën e nderit pa të cilin njeriu asht i dekun. Para erzit vehtjak a familjar kanuni i mësoi vetem dy rrugë: gjakun, faljen por jo ligshtin.”

Ky ishte malësori i  Nikaj Merturit skalitur prej Pal Dukagjinit para një shekulli. A thua brezi i sotëm, i ikur nga vendlindja, do t’i ruaj këto virtyte të mrekullueshme?!…