Gjergj Zaharia/ Provimi i detyruar i gjuhës së huaj në Maturën Shtetërore risi apo eksperiment !?

656
Sigal

Gjatë këtyre ditëve po diskutohet gjerësisht në opinionin  shoqëror udhëzimi i fundit i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për mënyrën e vlerësimit të provimit të gjuhës së huaj për këtë vit shkollor në provimet e Maturës Shtetërore. Në këto diskutime janë përfshirë jo vetëm nxënësit dhe mësuesit, por edhe prindërit dhe në përgjithësi gjithë komuniteti. Sidoqoftë deri tani pak ose aspak mësuesit e gjuhëve të huaja si dhe specialistët e mirëfilltë janë prononcuar në shtyp, duke ia lënë vendin më shumë  diskutimeve në kafene të një pjese njerëzish, që më së shumti shprehin “shqetësimin”duke e etiketuar këtë udhëzim si eksperiment të radhës në dëm të nxënësve maturantë !
Pa bërë rolin e avokatit të këtij udhëzimi do përpiqem të argumentoj që është vepruar drejt, ndonëse në formë duket si një eksperiment,veçanërisht për “të shqetësuarit”.
Së pari, provimi i detyruar i një gjuhe të huaj në maturën shtetërore  nuk po aplikohet vetëm në vendin tonë, por është shtrirë gjerësisht në një sërë vendesh,veçanërisht  në ato të Lindjes, madje, edhe në ato vende që nuk aspirojnë për t’u bërë pjesë e Europës. Besoj se është e tepërt të trajtohet rëndësia e këtij problemi, ku gjuha e huaj është ndër kriteret më parësore të integrimit real të një vendi në Bashkimin Europian dhe ku vendi ynë po bën ç’është e mundur për të marrë statusin e kandidatit. Pra,futja e detyruar e provimit të gjuhës së huaj nuk është e parakohshme pas më se 20 vitesh, kur shqiptarët dolën shesheve me parullën “E duam Shqipërinë si gjithë Europën”
Së dyti, gjatë këtyre viteve të gjithë qeveritë i kanë kushtuar një rëndësi jo të vogël mësimdhënies së gjuhëve të huaja në shkolla, duke filluar nga zgjerimi i tyre (futja në shkolla të ndryshme e gjuhës frënge, italiane, gjermane dhe kryesisht angleze), hapja e shkollave të mesme e të larta të gjuhëve të huaja në shumë rrethe të vendit, kur para viteve 90-të ishin të përqendruara pothuajse vetëm në Tiranë,apo edhe në një apo dy rrethe të tjera në përmasa dhe kapacitete të papërfillshme.
Së treti, kualifikimi i mësuesve të gjuhëve të huaja ka patur ndryshime thelbësore në raport me lëndët e tjera, duke u mbështetur fuqimisht pothuajse nga të gjithë ambasadat dhe shoqatat e interesuara dhe kjo si nëpërmjet seminareve të panumërta, vvorkshop-eve të shumta, simpoziumeve e pse jo edhe të specializimeve afatshkurtra të një pjese jo të vogël të mësuesve të gjuhëve të huaja.
Së katërti, kanë ndryshuar katërcipërisht tekste dhe metodikat e mësimdhënies së gjuhëve të huaja në raport me tekstet e lëndëve të ndryshme që zhvillohen sot në shkollat e arsimit parauniversitar, duke u përafruar me modelet e teksteve dhe metodikave të huaja bashkëkohore.
Së pesti, ka ndryshuar tërësisht teknologjia e mësimdhënies së gjuhëve të huaja,ku edhe në shkollën “më të thellë”    gjendet të paktën një manjetofon, për të mos thënë kompjuter apo internet, që shumë vite më parë ishin të paimagjinueshme për mësuesit dhe veçanërisht nxënësit,një pjesë jo e vogël e të cilëve kompjuterin dhe internetin sot e kanë edhe në shtëpi dhe ku mund të gjenden me dhjetëra programe atraktive dhe interaktive për mësimin e gjuhëve të huaja,qoftë edhe si përforcim i temave mësimore që zhvillohen në klasë dhe ku  mungojnë këto mjete teknologjike.
Së gjashti,janë me dhjetëra, për të mos thënë me qindra emisione të ndryshme që jepen çdo ditë e natë në  stacionet  televizive shqiptare në gjuhë të huaja,si filma,drama, dokumentarë historikë e shkencorë, etj.,etj., nëpërmjet të cilave nxënësi “thyhen veshin”- një element ky jashtëzakonisht i rëndësishëm për përvetësimin e gjuhës së folur. Ndërkohë që, ndër vitet e shkuara, sidomos kur në shkollat tona mbizotëronte gjuha ruse nuk ishte e mundur të shihje qoftë edhe një film të vetëm, duke e shndërruar këtë gjuhë vitale në një gjuhë të vdekur, njësoj me  latinishten dhe ku më shumë se 30 vjet  nxënësve, si gjithë shtetasve,u ndalohej të  komunikonin  me  të huajt, qoftë edhe me turistët e pakët që vizitonin Shqipërinë.
Përvetësimi i një gjuhe të huaj ka shumë komponentë,ndër të cilat në provimin e maturës shtetërore nuk do të testohen të gjitha,veçanërisht aftësitë komunikative të nxënësit,pra gjuha e folur,kështu që maturantët  nuk do të penalizohen edhe për ato raste kur vetë një pjesë e mësueseve nuk i ka këto aftësi në masën e duhur,apo kur kushtet e klasave të mbingarkuara nuk e mundësojnë në shkallën  e duhur gjuhën e folur,pra testimi mendoj se do të përfshijë elementët kryesore strukturorë të gjuhës,kryesisht elementët gramatikorë,fjalëformues,drejtshkrimorë, (ndonjë krijim të shkurtër në përputhje me temat e programit mësimor etj.), gjë kjo  që nuk ka pse të shqetësojë nxënësit dhe prindërit, apo ata që pak ose  aspak njohin mësimdhënien dhe programet e  gjuhëve te huaja në shkollë.
Nga ana tjetër provimi i detyrueshëm i një gjuhe të huaj në maturën shtetërore përbën një impakt tepër të rëndësishëm mobilizimi të të gjithë aktorëve brenda e jashtë shkollës  për rritjen e standardeve të arritjes në këtë lëndë, pra është fillimi i një procesi që garanton ndryshim të gjendjes dhe përmirësim të mëtejshëm të saj.
Mund të renditen edhe shumë argumente të tjerë për të pohuar se nuk është e parakohshme futja e detyruar e provimit të një gjuhe të huaj në maturën shtetërore ,por le të trajtojmë si pjesë të “shqetësimit” udhëzimin në fjalë të Ministrisë së Arsimit, që pse sivjet vlerësimi të mos pikëzohet. Siç dihet,vitin e kaluar politika shqiptare ishte në një vit të nxehtë zgjedhor, gjë që nuk mundësoi për të bërë  sondazhet e duhura dhe të mjaftueshme për gjendjen reale të mësimdhënie- mësimnxënies  së gjuhëve të huaja në shkallë vendi dhe për më tepër për vetë rëndësinë e problemit ky sondazh nuk mund të ezaurohej vetëm nëpërmjet pilotimit në disa shkolla,por duhet të kishte një bazë shumë më të gjerë, në të gjitha rrethet, qytetet dhe fshatrat,e pse jo edhe në çdo shkollë, gjë kjo e pamundur edhe për qeverinë e re brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, edhe për faktin që Drejtoritë Arsimore akoma nuk janë rikonstruktuar dhe reformuar. Pikërisht forma që jepet në Udhëzimin e Ministrisë së Arsimit plotësonte më së miri dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse këtë sondazh, pa penalizuar nxënësit maturantë, por duke vlerësuar në mënyrë reale rezultatet e tyre dhe kryesisht vlerësimet e bëra nga mësuesit,ballafaquar këto me rezultatin e provimit të maturës. Ky jo vetëm nuk është penalizim, por e kundërta,unifikim dhe barazi vlerësimi,pasi një 10-të e vënë në mënyrë fiktive në një shkollë të një rrethi nuk ka pse të penalizojë një notë më të ulët, por të merituar të një nxënësi të një shkolle apo rrethi tjetër. Pikërisht kjo masë duke ballafaquar rezultatet e vlerësimit të mësuesve me rezultatet e provimit të maturës do të evidentojë mësuesit e aftë nga të paaftët,mësuesit e ndërgjegjshëm e korrektë nga ata  të pandërgjegjshmit ,e pse jo në disa raste edhe të korruptuar,ku kjo lëndë sot ka “pushtuar” edhe një pjesë të madhe të”tregut” të mësimeve private. Pra,nëse vlerësimi përfundimtar i një nxënësi  është 9-10 dhe në provimin e maturës bie në 4-5-6  komentet janë të tepërta për mësuesin që ka bërë këtë vlerësim..! Nga ana tjetër,në rast se nota e dobët e nxënësit  është kryesisht pasojë  jo e punës dhe e përpjekjeve  të tij, por reflekton kryesisht paaftësinë e mësuesit veçanërisht nëse ka raste të mësuesve pa arsim përkatës, apo këto rezultate  lidhen edhe me elemente të infrastrukturës shkollore  për mësimdhënien  e këtyre lëndëve, atëherë aplikimi i sistemit të pikëzimit  pa bërë një “debistim” të plotë e të saktë të gjendjes reale të gjuhëve te huaja në shkallë vendi, do të penalizonte shumë rëndë maturantët në përzgjedhjen e degëve të preferuara nga ana e tyre. Pra,e thënë më  thjesht nga ky Udhëzim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për provimin e detyruar të një gjuhe të huaj në maturën shtetërore nuk duhet të “frikësohen” e shqetësohen nxënësit dhe prindërit e tyre,sesa mësuesit e gjuhëve të huaja,sidomos ata që nuk punojnë me ndërgjegje apo nuk zotërojnë aftësitë e duhura për mësimdhënien e gjuhëve të huaja dhe që më pas i del detyrë imperative Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve,si dhe Drejtorive Arsimore përkatëse  për të marrë masat e duhura efiçente për zëvendësimin dhe kompletimin e shkollave me mësues të aftë për t’u përballur me të gjithë sfidat në mësimdhënien e gjuhëve të huaja në shkollë. Në përfundim mendoj se, futja e provimit të detyruar të gjuhës së huaj në maturën shtetërore është një risi që nuk i përket një qeverie të veçantë,aq më tepër që kjo  është ligjëruar me një konsensus të plotë të të gjithë forcave politike. Njëkohësisht mospikëzimi i rezultatit të provimit në këtë lëndë për këtë vit shkollor apo më saktë deri në plotësimin maksimal të kushteve përafërsisht të barabarta midis shkollave dhe kuadrit mësimdhënës së gjuhëve të huaja në shkallë Republike, favorizon nxënësit maturantë dhe nuk ka pse të penalizojë  apo t’i japë kapital politik asnjë qeverie për vetë faktin se e gjithë shoqëria,jashtë çdo ngjyre politike,është e interesuar për përmirësimin e mëtejshëm të mësimdhënie-mësimnxënies së gjuhëve të huaja,si pjesë vitale e integrimit të vendit tonë në Europë dhe të gjithë së bashku duhet të kontribuojnë për realizimin sa më të suksesshëm të këtij problemi.

*Ish- drejtor i shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja, Tiranë