Gjergj Kastrioti i dha përjetësi bashkëpunimit me Austro-Hungarinë

796
Prof. Dr. Lush SUSAJ

Qëndresa antiosmane, vazhdimësia e gjuhës dhe plazmës autoktone shqiptare si dhe krijimi dhe ekzistenca e shtetit të pavarur shqiptar, kanë për bazë projektin europianist të Gjergj Kastriotit dhe mbështetjen dhe miqësinë tonë të përjetshme me Austro-Hungarinë. Miqësia, bashkëpunimi dhe lidhjet Austro-Shqiptare janë shumë të vjetra. Kulmi i këtyre lidhjeve ka arritur në kohën e betejave antiosmane të udhëhequra nga Gjergj Kastrioti-Skendërbeu dhe Janosh Huniadi. Kujtojmë faktin që bashkërëndimi i luftës dhe qëndresës antiosmane të Gjergj Kastriotit me Huniadin zë fill që me 11 Nëntor 1444 (28 Rajab 848 për osmanët). Ky bashkëpunim i ngushtë ka vazhduar gjatë gjithë jetës së tyre. Ky bashkëpunim i dha rrugë edhe miqësisë dhe kujdesit të përjetshëm të Austro-Hungarisë ndaj Shqipërisë dhe të drejtave ekzistenciale dhe shtet-formuese të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit. Në këtë rrugë është edhe kultprotektorati, edhe marrëveshja midis Austrisë dhe Rusisë që ndër të tjera specifikoi që, pas rënies së perandorisë osmane, në hapësirën e Ballkanit të krijohej edhe shteti shqiptar, si zgjidhja më e drejtë historike përkundrejt deshirës ruse për formimin e një zinxhiri të vetëm të shteteve sllave. Në këtë traditë është edhe vendosmeria dhe investimi i madh dhe i vazhdueshëm strategjik i Austro-Hungarisë për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 e deri në ditën e sotme. Rezistenca antiosmane dhe mbështetja e Huniadit për shqiptarët, më shumë se askund tjetër është dëshmuar në betejën e dytë që është zhvilluar në Fushë Kosovë me 18-19 tetor 1448. Kjo betejë është zhvilluar midis ushtrisë së krishterë të komanduar nga Huniadi dhe ushtrisë osmane të komanduar nga Murati II, dhe është fituar për herë të dytë (pas betejes së Qershorit 1389), nga ushtria osmane. Në këtë betejë (1448), ushtria austro-hungareze e Huniadit ka lënë 17000 të vrarë, ndërsa ushtria osmane pati dyfishin e ushtarëve të vrarë. Në lidhje me këtë betejë, kronikat e kohës kanë shkruar: “Komandant Huniadi la në fushën e betejes 17000 të vrarë, ndër ta, lulen e fisnikërisë hungareze”. Ndërsa kronikani hungarez, Bonfinius (1448) e përshkruan Fushë-Kosovën si një dekor të lemerishëm. Për këtë llahtari ai ka shkruar (f. 474): “Toka është mbuluar me kufoma të vdekurish, trupa të bërë fërtele, gjymtyrë të prera kortarë-kortarë që i kishin bërë ujërat e Sitnicës të dilnin nga shtrati i tij….”. Pavarësisht nga mbështetja e jashtme dhe nga aleancat e ndryshme politike e ushtarake, qëndresa antiosmane e shqiptarëve, që në ditët e para të pushtimit e deri në vitin 1912, ka qënë një histori e vështirë, sfilitëse dhe shumë e mundimëshme. Shqiptarët kanë luftuar dhëmb për dhëmb e shpirt për shpirt deri në ushtarin dhe në pikën e fundit të gjakut. Këtë fakt e tregon edhe fjalimi i fundit që Skënderbeu ka mbajtur në senatin e Romës me 7 Janar 1467. Në atë fjalim, Skënderbeu ka deklaruar se: “Vetëm unë kam mbetur o Atë fort i lumë, me shtetin tim të vogël e të dobët, me ushtarët e mi aq të sfilitur prej gjithë atyre luftimesh, të rraskapitur prej gjithë atyre betejave sa nuk kanë më asnjë vend në trup ku të marrin plagë të reja dhe nuk u ka mbetur më asnjë pikë gjaku që ta derdhin. Dhe duke mos u mjaftuar me të këqijat, me vrasjet dhe me rrëmbimet që është mësuar të bëjë në Azi, si dhe pa u nginjur me gjakun e krishterë me të cilin leu dhe përleu, njollosi dhe përdhosi Evropën mbarë, përpiqet tani të më shkatërrojë mua, njerëzit e mi, si të qenkëshim e fundmja mbetje dëshmuese për t’u hequr qafe.” Pushtimi osman i Shqipërisë, ndryshe nga pushtimi i vendeve të tjera të rajonit është shoqëruar edhe me një administratë idiote dhe fanatike që u ndërtua dhe funksionoi shumë gjatë me feudalë, bejlerë, administratorë, kadi, hoxhallarë, bimbashë, gazi pjesa më e madhe e të cilëve janë emëruar dhe sjellë nga Azia. Për shkak të traditës otomane që mbollën dhe sjelljes së tyre të ashpër e hipokrite, pothuajëse çdo ditë takojmë dhe dëgjojmë njerëz të paditur e të painformuar që në mënyrë të gabuar ngatërrojnë otomanizmin me Turqinë dhe me përqafimin e fesë islame nga popullsia shqiptare. Në këtë kontekst, kujtojmë faktin që kjo lidhje nuk ka bazë reale as argument historik sepse: Së pari, Turqia, njëlloj si vendet e tjera të pushtuara nga ushtritë me dominancë mongolo-tartare, është viktima më e madhe dhe populli më i dëmtuar nga ky pushtim. Në lidhje me këtë realitet historik, mjafton që të kujtojmë kronikat e shumta që flasin dhe dëshmojnë për pushtimin dhe kolonizimin e Kostandinopojës në Maj të vitit 1453. Për këtë ngjarje, Tursun Beu, ka shkruar: “Para së gjithash (Sulltani), shpalli dhe njoftoi. Që tash e tutje kryeqyteti im do të jetë Stambolli, vendi që sheh nga dy dete dhe nga dy toka. Kushdo plebe a fisnik qoftë që vjen me dëshirë për të banuar në Stamboll, do bëhët pronar i banesës që do zinte mes kolibeve të pabanuara apo banesave të zbrazura të pafeve (krishterëve). Me këtë joshje u derdhën aty të kamur e të skamur nga të gjitha anët që pushtuan shtëpi, pallate e troje…Në vendet e të pafeve të pushtuar me shpatë, ai solli robërit e luftës duke ngritur aty fshatra e çifligje. Në këtë mënyrë, asnjë vend nuk mbeti i pabanuar, e gjithë zona u kolonizua”. Së dyti, turqit, për nga origjina nuk janë otomanë dhe nuk kanë asnjë lidhje gjenetike as historike me fiset dhe ushtritë barbare që iu sulen Turqisë dhe Evropës me shpatë dhe me ushtë në dorë (Sami Frashëri, 1899). Së treti, historia tregon se si të gjithë sulltanët e ish-Perandorisë Osmane, kanë patur një urrejtje të madhe ndaj turqve, të cilët i kanë mënjanuar sa më shumë nga postet, nga politika, nga vendimmarrja dhe nga drejtimi i punëve të ish-perandorisë osmane. Këtë e ka theksuar edhe Hammeri (f. 316), kur ka shkruar se: “Në perandorinë osmane, timoni i anijës së shtetit, rrallë i besohej një përsoni me origjinë turke. Më shpesh ai ishte në duart e të krishterëve me origjinë: Greke, Kroate, Shqiptare, Serbe, madje dhe Hungareze apo Gjermane” etj. Nga ana tjetër, dihet nga të gjithë fakti që otomanizmi i supërngarkuar me dhunë, plaçkitje, vrasje, shfarosje dhe injorancë, nuk ka asnjë lidhje as me fenë islame që konsiderohet dhe respektohet si feja e paqes, mëshirës dhe shërbesës, si feja që besojnë dhe praktikojnë shumica e shqiptarëve. Periudha e pushtimit otoman në Arbëri ka zgjatur mbi 550 vite. Është hyjnore, thuajse e paimagjinueshme dhe mistike, mënyra se si, në të tilla kushte represioni e barbarie ka arritur që të mbijetojë qëndresa, gjuha shqipe dhe popullsia autoktone. Në këtë mrekulli, me të drejtë themi që rolin më të madh e ka luajtur emri dhe vepra e Gjergj Kastriotit, si dhe mbështetja e përjetshme e Austro-Hungarisë ndaj çështjes shqiptare. 
Sigal