Gjekë Gjonaj: Shpërblim i merituar për Frank Shkrelin*

647
Sigal

                                  

                                       

Gazeta Telegraf/

Puna  e suksesshme e gazetarit, analistit dhe  publicistit, të njohur shqiptaro-amerikan,
Frank Shkrelit,  nga fsahti Amull i
Komunës së Ulqinit, më ka ngjallur një respekt të jashtëzakonshëm shumë më herët
se sa fillova lundrimet e mia të para në ujërat e gazetarisë.  Dhe nuk më mbetet asgjë më shumë  se sa 
fjala – Respekt!  Këtë fjalë jam i
bindur, se e meriton  nga të gjithë
kolegët, nga të afërmit, nga miqtë, nga 
të njohurit dhe nga  të
panjohurit. Pa dashur  t’i thur  lavde këtij njeriu të vlerësuar të shkrimit,
respektivisht të penës (lapsit), i cili edukimin, pasionin, kohën, mundin me
dekada ia kushtoi dhe po ia kushton 
punës profesionale  në fushën e
gazetarisë,  e them sinqerisht,  se në 
detin e madh e të egër të konkurrencës, ka krijuar autoritetin,
besueshmërinë, sigurinë dhe jetëgjatësinë e punës, duke u mbështetur e bazuar,  mbi të gjitha, në  të vërtetën, kodin e etikës  dhe standardin e profesionit që e ushtron me profesionalizëm   më së 
katër dekada.  Përmes zotëri Frank
Shkrelit  njoha Seksionin shqip të
Radios  “ Zëri i Amerikës”,  vlerat më të çmuara të njeriut publik  dhe atij të thjeshtë.
Gjatë jetës dhe karrierës sime kam patur fatin e mirë ta takoj Frank
Shkrelin  një herë dhe në atë rast, krejt
spontanisht në  kremtimin e 15-vjetorit
të themelimit të Fondit Humanitar “Malësia” në Nju-Jork. Edhe pse ky ishte një
takim vëllazëror shumë i shkurtër në prani të miqve të tij me të cilët
shoqërohej atë mbrëmje, më la përshtypjen e një njeriu modest, serioz, të
thjeshtë, të matur, të aftë  e mjaft
njerëzor.
Emrin
e  kolegut të nderuar Frank  Shkrelit e kam të njohur  qysh se ka qenë gazetar dhe redaktor në Zërin
e Amerikës, seksioni shqip nga viti 1974 -1984. Por edhe më vonë gjatë viteve
1984- 1985 kur zotëri Shkreli, po tek kjo medie e fuqishme botërore ka qenë
shef i seksionit shqip.  Me  interesim e kënaqësi  herë pas here, e kam ndjekur nga larg punën e
tij edhe në periudhën  1985-1990, kur ka
shërbyer si këshilltar i lartë 
programacioni për  Divizionin
Evriopian të Zërit të Amerikës, pastaj nga vitet 1990-1994, kur ka qenë  zëvendësdrejtor i Euroazisë në Zërin e
Amerikës, për të vijuar më pas  në vitet
1994 – 2003, kur ka qenë drejtor i Divizionit Europian i Zërit të Amerikës ,
deri në ditët e sotme , kur  është ndër
gazetarët më aktivë shqiptarë në shtypin e kohës. Analizat e tij lexohen dhe
vlerësohen shumë nga lexuesit dhe ekspertët e çështjes kombëtare për faktin
se  është një vëzhgues dhe një analist i
regjur mirë, i spikatur si shumë i vëmendshëm 
ndaj zhvillimeve politike dhe 
çështjeve  shqiptare  dhe 
ballkanike .  Mendoj se një arsye për lexueshmërinë e
madhe të shkrimeve  që Shkreli  publikon është edhe fakti, se ai bazohet në
informata të verifikueshme, të mbledhura nga burime të pavarura dhe të
besueshme të mediave amerikane, të cilat u përmbahen standardeve më të larta të
gazetarisë në botë.
 Gjatë kryerjes së detyrave  të larta 
në Zërin e Amerikës e të besuara nga shteti amerikan,  zoti Shkreli 
u rreshtua  në mesin  e emrave më të shquar të fjalës së lirë dhe
lirisë së shtypit  nga radhët e
komunitetit shqiptar në botë. Dhe jo vetëm kaq, por falë veprimtarisë së tij të
palodhur atdhetare për çështjen kombëtare, kontributit të tij të çmuar në
fushën e të drejtave të njeriut si dhe forcimit të lidhjeve  miqësore 
shqiptaro –amerikane,  u bë një
shembull i lartë për t’u ndjekur.
 Zoti  Frank Shkreli, edhe pse në pension, ka
shërbyer si drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan,  një organizatë joqeveritare që punon për
mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si
dhe për promovimin e paqes dhe zhvillimit ekonomik në trojet shqiptare në
Ballkan. Ky këshill Kombëtar Shqiptaro-Amerikan është  e vetmja organizatë shqiptare lobiste me
prezencë në Uashington DC.
 Për këto vlera,  merita e arritje  të tjera të pakontestueshme profesionale e
morale,  Presidenti i Republikës së
Shqipërisë  Bujar Nishani  e  
dekoroi  para pak ditësh me plot  të drejtë , Frank Shkrelin  me titullin “ Kalorës i Urdhrit të
Skënderbeut”, me motivacionin: Në vlerësim të veprimtarisë së shquar atdhetare dhe kontributit të vyer
shumëvjeçar si gazetar, publicist e redaktor i Seksionit Shqip dhe drejtues i
palodhur i Divizionit Euro-Aziatik të “Zërit të Amerikës”, duke përhapur,
mbrojtur me paanshmëri dhe lartësuar vlerat e parimet e shenjta të lirisë dhe
demokracisë”. Ky nderim  i lartë nga kreu
i shtetit shqiptar e  nderon në radhë të
parë vetë laureatin, por edhe të gjithë komunitetin, të cilit ai i takon.
Andaj, ne shqiptarët me të drejtë duhet të mburremi dhe të krenohemi me
personalitete të tilla, të cilët gjithë jetën e tyre punojnë në heshtje, pa
bujë, me përvujtëri, duke mos pretenduar 
për vlerësime e shpërblime për merita të veçanta apo tituj.