Gëzim Zilja/ Rrotacioni politik nuk është aksiomë matematike

557
Si po duket hallet e qeverisë Rama, nuk kanë të sosur. Skandalet e korrupsionit po e ndjekin këmba-këmbës në këtë fundvjeshtë të thatë. Dhe nuk është fjala për propagandë se akuzat kundër disa ministrave dhe drejtuesve të lartë për korrupsion faktohen e vërtetohen çdo ditë. Nga ana tjetër borxhi stërmadh i marrë nga qeveria nuk dha përfundimet e pritura. Nuk ka më njerëz entuziaztë për Rilindjen dhe pakënaqësia ndaj qeverisë Rama, rritet edhe brenda vetë rradhëve të socialistëve. Asnjë reformë e nisur nga qeveria nuk ka dhënë rezultat dhe kryeministri vazhdon me kokëfortësi të mbrojë ministrat e korruptuar ose jo të aftë. Kjo është tablloja sot, që e pranon shumica e shqiptarëve me përjashtim të qeverisë dhe një grupi që përfitojnë nga kjo situatë, duke vjedhur e rrëmbyer gjithçka u del para. Nga ana tjetër është Partia Demokratike, që përbën opozitën kryesore në vend, që çdo ditë kritikon, demaskon, ndonjëherë edhe padit pjestarë të qeverisë të akuzuar për korrupsion. Madje në gazetën RD lexon tituj bombastikë si “Ora e fitores po afron”, “Kësaj qeverie i ka ardhur fundi”, “Në burg të korruptuarit”, “Të zbardhen aferat e CEZ-it”, “Do të ulim taksat, do të shtojmë vendet e punës, do të rritim pagat”, madje arrihet dhe shkruhen tituj të tillë “Zgjedhje të parakohëshme, PD gati”, “Në prag të revoltës popullore”. “Në dhjetor vijmë në pushtet” etj, etj. Por sa e përgatitur është opozita e sotme dhe si po përgatitet ajo të marrë pushtetin?
Analiza e thellë e shkaqeve të dy humbjeve spektakolare
As sot dhe as dje Partia Demokratike nuk ka një qëndrim të qartë për shkaqet e humbjeve të thella parlamentare dhe ato lokale. Një herë krerët deklarojnë se zgjedhjet nuk ishin të lira dhe të ndershme por u blenë me lekë, të tjerë thonë që humbëm se na tradhëtuan strukturat në bazë, e tek tuk se e merituam humbjen. Kohët e fundit krerë të veçantë të PD-së në qendër dhe rrethe, dalin hapur kundër vijës së PD-së, duke bërë deklarata të ndryshme se ne nuk e pyesim PD-në në qendër por të vijë ajo të na pyesë ne, në PD nuk ka demokraci, se PD-ja i bëri me lekë ish-ministrat e ata lanë gratë e morën dashnoret e ndonjë deklaratë tjetër të këtij lloji. Sikur këto deklarata të bëheshin nga individë mund t’u mos jepej rëndësi, por në rastet e deputetëve e kryetarëve të PD-së në rrethe, duheshin parë e diskutuar gjërsësisht jo të anashkaloheshin, ndryshe quhen të mirëqëna. Në rast sesi deklarohet, p.sh. që disa kryetarë rrethesh i kanë shitur zgjedhjet ata duhet të largohen menjëherë madje me daulle dhe saze. Partia Demokratike është dhe 
duhet të jetë një strukturë shumë serioze dhe e disiplinuar, që me njerëzit dhe programin e vet të inspirojë besimin në marrjen e pushtetit dhe qeverisjen e drejtë të vendit. Qëndrime të tilla vijnë nga mungesa e analizave të thella për humbjet e zgjedhjeve parlamentare e ato lokale, për ndarjen e përgjegjësive individuale dhe kolektive dhe daljen me një platformë të qartë për të ardhmen. 
Riorganizimi i PD-së në qendër dhe në bazë
Po punohet shumë ngadalë ndërsa riorganizimi është i domosdoshëm se zgjedhjet e reja vijnë shpejt. Nuk duhet të jenë më në rradhët e drejtimit të PD-së ish-ministra, e ish drejtues gjithfarësh që kanë vjedhur, mashtruar, janë të korruptuar deri në grykë ose të pa aftë. Por kjo bëhet d.m.th e vërteta del vetëm kur analiza fillon nga qelizat në bazë aty ku mbështetet e gjithë piramida drejtuese e PD-së. Aty duhet të diskutohet në fillim, lirshëm, sinqerisht, pa kushte dhe pastaj të bëhen zgjedhjet, ku t’i jepet mundësia dhe koha të kandidojë kujtdo që dëshiron. Dhe patjetër gjithçka duhet të votohet. Pastaj të kalohet në grupseseksione deri në zgjedhjen e kryetarit nëpër degët e qyteteve. Duhet të krijohet një klimë besimi reciprok midis qendrës e bazës ku të diskutohet lirisht, e të zgjidhen njerëz energjikë, që besojnë në fitore dhe fitojnë me votim të hapur. Ka një shkëputje të madhe midis qendrës dhe PD-ve në rrethe. Eksperienca e deritanishme tregon se PD-ja në qendër dikton gjithçka, duke iu lenë pak ose aspak kompetenca PD-ve në rrethe që nga emërimi i njerëzve në bazë e deri te zgjedhja e deputetëve.
Rifitimi i besimit se PD-ja mund dhe duhet të vijë në pushtet 
Ka shumë njerëz afër PD-së në qendër por edhe në bazë që mendojnë se qeveria Rama me skandalet e përditëshme në mos sot nesër do të bjerë prandaj t’i bijem me të gjitha armët e propagandës me fishekë e pa fishekë se kjo është detyra jonë. Kjo teori është e nevojshme por jo e mjaftueshme. Sheshet nuk po mbushen e njerëzit nuk po protestojnë në atë masë që të kërkohet përmbysje, megjithëse janë tejet të pakënaqur e të dëshpëruar. Le ta tundin sa të duan atë gishtin e vockël, le të sokëllijnë sa të duan, e të marrin poza prej luftëtarësh të pamposhtur deputetët e PD-së në parlament. Nuk mjafton. Besimi fillon atje poshtë në bazë në punën me njerëzit, duke u shpjeguar se ç’po ndodh, si do tua zgjidhin hallet, me çfarë programesh e sidomos me cilët njerëz do të vijë PD-ja në pushtet. Dhe këtë nuk e bën dot një njeri qoftë dhe Mesia. Historia nuk përsëritet dy herë. Përmbysjen dhe fitoren mund ta sjellin të gjithë njerëzit e PD-së, të vjetër dhe të rinj që të shohin në sy, që e dinë nga vijnë, ç’janë, ç’kërkojnë, e ku duan të shkojnë. Por jo ajo pjesë e dështuar që tetë vjetë me radhë e pa Shqipërinë si një lopë për ta mjelë. Nëse mendojnë që kjo do të ndodhë e PD-ja do të vijë në pushtet, grup, ashtu si iku më 2013-ën, kjo nuk ka për të ndodhur. Rrotacioni politik nuk është aksiomë matematike. Atyre që mendojnë kështu, do t’u kujtoja atë fabulën me dhelprën dhe “veglat” e dashit. Se dashit i varen e tunden “veglat” e duken sikur do i bien në mos këtu atje. Po edhe sot e kësaj ditë dhelpra pret e pret.
Sigal