Gëzim ZILJA/Rezolutat çame janë “ngrirë”

535
Sigal

Dy muajt e fundit PDIU-ja u shqua nga një veprimtari e ethshme me deklarata pafund, supozime, bisedime, intervista e deri te tubimi i paradokohshëm para parlamentit, duke dashur të zbulojë e kapi “Kalin e Trojës “ (ende vazhdojmë të shohim e zbulojmë armiq midis vedi) që ishte fshehur në parlamentin shqiptar. Lidershipi i PDIU-së në fillim u mundua të ngjitet djathtas, pastaj majtas duke parë përafrime të mëdha me “rezolutën” që ofronte PS-ja. Sapo në horizontin paraelektoral shqiptar të mbushur me bashkime e ndarje u dukën sinjalet e kësaj dashurie të re PS-PDIU, në fushën e betejës dikush me dashje apo padashje nxori nga sepetet e mykura të Kuvendit Popullor një rezolutë të para 10 vjetëve, që na qenkësh aprovuar e harruar nga parlamentin shqiptar. Pa e parë mirë se ç’ishte e ç’kërkonte kjo rezolutë skifterët çamë në udhëheqjen e PDIU-së u hodhën në sulm për të ngjallur “një sorrë të ngordhur” e për ta shitur për shqiponjë me sqep çeliku e krahë të arta. Madje atë ditë, në lagjen “Ali Demi” në Tiranë, në një nga zyrat elektorale të PDIU-së u pi birrë, u ngritën dolli e u kënduan këngë të vjetra për sihariqin e madh që erdhi papritur e papandehur. Sigurisht kjo fitore do t’i dedikohej deputetëve të partisë çame që kishin bërë të mundur që Rezoluta e gjetur në sepetet e Kuvendit të bëhej e ditur në Shqipëri, Europë e deri në Amerikë. Me këtë rast luftëtarët e Çështjes si shpërblim duhet të rizgjidheshin në Parlament që të vazhdonin luftën deri në fitore. Sakaq jemi duke pritur që Rezoluta të botohet në “Fletoren Zyrtare” pas dhjetë vitesh e harruar. Kushedi edhe botohet!? Po si qëndron e vërteta duke u nisur nga shifrat, Rregullorja e Kuvendit dhe Protokolli mbajtur e servirur atë ditë, ndërsa shqiptarët  çamë dhe jo çamë, kacafyteshin me forcat e policisë duke ushtruar trysni mbi parlamentin, ku ndodheshin 108 deputetë?  Një rezolutë që të aprovohet kërkon shumicë të thjeshtë, duke u nisur nga numri i të pranishmëve. Në rastin në fjalë duheshin 55, (108:2=54) vota. Të shënuara, të aprovuara dhe të protokolluara janë gjithsej 53 vota. Detyrimisht aprovimi i rezolutës bie pavarësisht nëse deputetët e tjerë abstenuan, kundërshtuan apo ishin të zënë duke ngrënë fara luledielli. Kjo është aritmetikë e thjeshtë, pavarësisht si mendojnë drejtuesit e PDIU-së. Por po e zëmë për një çast se ajo na qenka aprovuar dhe se Kuvendi ka gabuar në numërim, e qeveria me shqiptarët e paskan harruar dhe nuk është hedhur në “Fletoren Zyrtare” ngaqë “Kali i Trojës” nuk u pa që veproi në fshehtësi. Ama një rezolutë e aprovuar nga 53 deputetë nga 140 që ka parlamenti shqiptar është jo serioze, dhe nuk përbën detyrim për forcat politike që shkojnë e vijnë. Që Rezoluta Çame të ketë vlerë duhet të aprovohet parimisht, ditën me diell, nga të dy forcat kryesore politike shqiptare PD dhe PS. Dhe të vihet në zbatim e të jetë e detyrueshme për partitë, qeveritë e parlamentin shqiptar, duhet të aprovohet të paktën me shumicë të cilësuar, me votat e mbi 85 deputetëve të të gjitha forcave politike. Me përjashtim ndoshta të Partisë së Dules. Përndryshe e aprovuar me tridhjetë apo pesëdhjetë deputetë ajo do të humbasë gjithmonë diku… Mund të përdoret për konsum politik dhe elektoral  për fitimin e një apo dy mandateve çam në parlamentin shqiptar por jo për zgjidhjen e kësaj çështjeje të dhimbshme e të stërzgjatur. Problemi çam është një problem shqiptar mbarëkombëtar. Si i tillë ai duhet zgjidhur sigurisht duke respektuar të drejtat e pronës dhe të lirive të njeriut, ndryshe asnjëherë nuk do të ketë qetësi e marrëdhënie “të shkëlqyera” midis Greqisë e Shqipërisë. Por si është vepruar deri tani nga deputët çamër, njëri korr e mos lidh, e tjetri fare i paditur në politikë, problemi është larg shtruarjes për zgjidhje. PDIU-ja ka harxhuar shumë kohë, energji, e kredibilitet këto katër vjet duke punësuar çamë gjithandej në administratën shtetërore madje në poste komprometuese, në vend që të punonte ditë e natë për të bindur shqiptarët në përgjithësi e çamët në veçanti mbi rëndësinë e kauzës në planin privat, kombëtar dhe ndërkombëtar. PDIU-ja çdo herë voton pro qeverisë dhe si këmbim (rasti i fundit në Vlorë me drejtorin e spitalit) shpërblehet me poste të reja në qeveri. Shqipëria është një vend i vogël, me shumë halle, ku njerëzit  konsumojnë bukë po aq sa edhe politikë. Shqiptarët e panë këto katër vjet që PDIU-ja u kthye në zyrë pune ku shitej e blihej, rrjedhimisht edhe mollë sherri për vetë çamët. Dhe jo vetëm kaq. Në  institucionin ku emërohej, drejtuesi çam do të punësonte detyrimisht anëtarë të PDIU-së, duke u hequr “koromanen” jo çamëve. Më keq nuk mund të shkonte. Prandaj kjo çështje madhore degjeneroi, duke u kthyer në problem të disa nëpunësve të qeverisë e jo në një problem të madh kombëtar siç është realisht. Shqiptarët (ndoshta jo ca naivë) panë se kjo çështje u përdor nga krerët për interesa vetjake, klanore e fisnore. Politika me të vërtetë është e vështirë, por nuk është cirk me arinj e marifete, ku arusha bën kosh me top basketbolli e prestigjiatori nxjerr lepuj nga kapelja. Deri tani i fituar ka dalë Vangjel Dulja, megjithëse deputetët çam i kreshpërohen nëpër mbledhjet e grupit, duke e sharë me soj e sorollop. Greku edhe pse i vetëm me zënkën e improvizuar bëri që Rezoluta e paraqitur nga PDIU-ja të mos hyjë fare për votim në parlament. Po edhe PD-ja e PS-ja dalin “të lara”, njëra me atë të “aprovuarën” 10 vjet më parë dhe tjetra me Rezolutën që përafron me atë të PDIU-së. Në skenë tashmë ka dalë një parti e re çame e quajtur me termin e përgjithshëm Aleanca Popullore. Ndoshta duheshin shtuar edhe fjalët “për Çështjen Çame” që të ishin më të qartë, pra APÇÇ. Një platformë sesi do të zgjidhë AP-ja çështjen çame ndoshta do ta shohim në të ardhmen. Gjithsesi e sigurt deri tani është që PDIU-ja do të marrë votat e atyre që ka punësuar. Por këta nuk janë më të shumtit. Ndërkaq Rezolutat Çame vazhdojnë të jenë të “ngrira”.