Gezim ZILJA/ Një fiasko tjetër për çështjen çame

77

Para disa ditësh me nismën e Shoqatës “Çamëria”, çuditërisht jo të PDIU-së që tashmë ka plot 5 (pesë) deputetë, u organizua një tubim para piramidës me rastin e ardhjes në Shqipëri të presidentit grek, Karolias Papulias. Duhet thënë se në këtë tubim numri i pjesëmarrësve ka qenë më i ulëti qysh nga viti 1990. Aq sa disa drejtues institucionesh të PDIU-së i detyruan punonjësit me ‘hu’ e me lista të firmosura të dalin në miting. Binte në sy që folësit e kishin vënë mikrofonin dhe podiumin me pamje nga ana e bulevardit me kurriz nga turma e protestuesve. Këta nga ana e tyre shikonin shpinat e deputetëve dhe folësve të tjerë, të cilët me fjalimet e tyre i drejtoheshin bulevardit, kullave “binjake” dhe autobusëve urban. Një risi e paparë kjo në tubimet jo vetëm në Shqipëri por në mbarë botën, ku folësi i kthen kurrizin tubuesve!? Por ndoshta e ka një shpjegim që unë nuk e kuptoj.

Pse kaq pak protestues?

Koha e mirë me diell, temperatura optimale 25 gradë celsius, paradite e shkëlqyer. Njerëzit u vendosën mbi shkallët e thyera të Piramidës së rrjepur, me anësoret e mbuluara nga portretet me ngjyra të stërmëdha të heronjve të revolucionit grek, Kollokotronit, Bubulinës, Marko Boçarit e parullave të tjera gjithë ngjyra ku nuk mungonte as pasaporta e presidentit grek. Në rreshtin e parë binin në sy deputetët e PDIU-së me kostume firmato, ku era e parfumit të shtrenjtë ndihej në gjethet e pemëve rreth e rrotull edhe pas mitingut. Po pse kaq pak njerëz dhe asfare entuziazëm? Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë dhe deputetëve të PDIU-së u vendosim nga 8000 votues, në shesh (shkallët e piramidës) duhet të ishin 40.000 të tillë. Nëse llogarisim një deputet me pesëmijë vota nëpër shkallë duhet të ishin 25 mijë. Dhe nëse për çdo deputet do të llogarisnim 1.000 votues në tubim do të ndodheshin pesëmijë. Si e shpjegojnë përfaqësuesit e shoqatës “Çamëria” dhe deputetët e PDIU-së që nuk ishin as njëmijë votues ose dashamirës të çështjes çame? Pikërisht kjo gjë duhet të sqarohet për të kuptuar nëse deputetët janë fituar me votë të lirë apo të tjerë mekanizma kanë funksionuar. Këtu përjashtohet rasti i mandatit të deputetit të Fierit, që PD-ja në mënyrë të pakuptimtë, ia bëri dhuratë PDIU-së.

Çfarë u tha në fjalimet e përfaqësuesve çamë?

Shumë folklor, dilentatizëm dhe thirrje patetike. Një deputet iu drejtua Presidentit grek me fjalët “patriot”, madje që paska pirë qumësht nga gjoksi i një gruaje çame. Për këto arsye ai duhet t’u kthente tokat çamëve dhe të hiqte ligjin e luftës me Shqipërinë. “Hallall” nëse e bën dhe “Harram” nëse nuk e bën, tha deputeti, duke ngritur madje edhe gishtin tregues, sikur këto probleme të ishin vetëm në dorën e Papuliasit për t’u zgjidhur. Një e folur arrogante, pa kuptim, dhe gati foshnjarake. Edhe fjalimet e tjera ishin mbushur me figura letrare që evokonin vuajtjet dhe dëbimin e çamëve nga toka e tyre. Ka njëzetetre vjet që dëgjojmë këto retorika. Tashmë çamët kanë dy parti (PDIU-ja, parti parlamentare) dhe një shoqatë. Unë nuk mendoj se greku me origjinë shqiptare dhe diplomati i mençur Karolias Papulias, i ka dëgjuar përfaqësuesit e çamëve nga lulishtja para piramidës. Por edhe sikur t’i ketë parë në TV, do ketë buzëqeshur me vete. Për mendimin tim ardhja e Papuliasit në Tiranë, për tre ditë, ishte një rast i artë për përfaqësuesit çamë, se problemi çam zgjidhet jo vetëm me protesta por edhe me bisedime. Dhe kjo nuk është çështje që e zgjidh personalisht “patrioti çam” Papulias. Se Papuliasi thotë: “Ne nuk jemi në gjendje lufte. Nuk ka ligj të tillë.” Rrjedhimisht kthimin e tokave çame nuk e penguaka ndonjë ligj lufte. Tjetra është se, ligji i luftës është midis Italisë së Musolinit, ku Shqipëria ishte pjesë e mbretërisë italiane dhe Greqisë. Nuk i ka shpallur luftë Shqipëria, Greqisë, por Italia pjesë e së cilës ishte Shqipëria. Duhet kuptuar ndërkohë se kthimi i tokave çame është çështje thellësisht juridike. Çamët në gjykatat greke sot mund të paraqiten si shtetas të huaj, pra shqiptarë. Në rast se ata kërkojnë nënshtetësinë e parë të tyre, atë greke, (mund të mbajnë të dy nënshtetësitë) që ua hoqi padrejtësisht regjimi diktatorial, atëherë favoret mund të jenë edhe më të mëdha sepse ligji grek në raste të tilla i favorizon. Dhe ajo studioja angleze e konsultimit ku është, që të konsultojë çamët sesi realisht në kushtet e një bote demokratike, ata mund të rimarrin tokat e tyre, nga të cilat janë dëbuar padrejtësisht!? Ndoshta këtë e merr përsipër qeveria shqiptare me anë të Avokatit të Popullit. Sidoqoftë duhet t’u punojë mendja përfaqësuesve çam, për aksione politike dhe juridike se këto çështje madhore nuk zgjidhen duke ironizuar “qytetarisht” mikun nga Athina. Së fundi, përfaqësuesit çamë mund t’i kërkonin zyrtarisht një takim Papuliasit, të pinin dhe një kafe e të dëgjonin njëri–tjetrin. Të kuptonin me mençuri, cilat janë shtigjet nga duhet filluar beteja e vështirë e rimarrjes së tokave dhe pasurive të grabitura nga Greqia, vendi ku dekada më parë, ishin nënshtetas të saj.