Gëzim ZILJA / Në zyrat shtetërore, foto e Ismail Qemalit apo presidentit të radhës?

682
Sigal

Në gjithë këta 100 vjet Shqipëria ka ndërruar me dhjetëra kryeministra dhe presidentë. Që nga themeluesi i shtetit shqiptar Ismail Qemal Vlora, te presidenti e më vonë i vetëshpallur mbreti Zog, e deri te presidenti i sotëm Bujar Nishani. Gjatë gjithë këtyre 100 vjetëve Shqipëria me zigzaget e saj eci para duke u konsoliduar e forcuar si shtet. Natyrisht që themeluesi ishte Ismail Beu. Ai ishte figura qendrore, e lëvizjes për mëvetësinë e Shqipërisë që nga viti 1900, kohë kur arratis nga Turqia. Nën dritën e dokumenteve të fundit figura e tij shkëlqen jo vetëm si një diplomat i rrallë në fushën ndërkombëtare, por edhe si një organizator i shkëlqyer i kryengritjeve të armatosura në të katër vilajetet shqiptare. Bashkë me Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin dhe shumë figura të tjera të rëndësishme ata ia dolën “me pushkë e penë” që të ngrenë më 28 nëntor 1912 flamurin në kryeqytetin e Shqipërisë së atyre ditëve, në Vlorë. Përpjekjet e qeverisë së Ismail Qemalit me ata grusht ministrash atdhetarë për të mbrojtur territoret shqiptare dhe të fusin për herë të parë elementët e qeverisjes së një shteti të kohës, janë të mbinatyrshme. Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1913 ishte një sukses i qeverisë së Vlorës sepse përfundimisht shteti i ri shqiptar u njoh nga fuqitë e mëdha, pavarësisht se mjaft territore të banuara nga shqiptarët mbetën jashtë kufijve të shtetit të ri. Por ama tashmë në Ballkan e më gjerë, kishte një shtet shqiptar. Tregojnë se kur Ismail Qemalit i dhanë lajmin që Fuqitë e Mëdha e njohën Shqipërinë dhe tashmë u vulos mëvetësia e saj ai paska thënë mes lotësh: “Kjo Shqipëri, nuk është ajo për të cilën luftuam dhe ajo që unë dua. Kjo Shqipëri është pa krahë e këmbë. Bijtë e mi”,- u është drejtuar më vonë njerëzve që brohorisnin pas lajmit të marrë dhe ministrave të tij. “Kjo është Shqipëria që po u lë amanet. Në mos e zmadhofshi dot, mbajeni kaq sa ua lashë unë”. Në Vlorë këtë histori e kam dëgjuar nga im atë dhe bashkëmoshatarët e tij, qysh kur kam qenë fëmijë në klasën e parë. Më vonë mësuam në historinë e Shqipërisë në shkolla për Plakun e Vlorës, aq sa lejonte diktatura  të dinim. Pas viteve ’90 mundësitë për të hyrë në arkivat tona dhe ato të huaja u rrit. Pasurimi i periudhës së shpalljes së pavarësisë me dokumente të reja bëri të shkëlqente edhe më shumë figurën e luftëtarit dhe “diplomatit me vulë” Ismail Qemali. Vargjet monumentale të pavdekshme: “Unë jam Ismail Qemali/ prapa më vjen historia” nuk i ka merituar asnjë udhëheqës i Shqipërisë deri më sot, kryeministër apo president. Edhe kur u janë kënduar këngë e poezi, koha i ka tretur ato si kripa në ujë, ashtu si çdo gjë tjetër të imponuar dhe pa vlerë. Madje ajo “Shqipëria e vockël” e Ismail Qemalit jo vetëm që nga pasardhësit nuk u zmadhua, por për hir të kolltukëve dhe parave iu shit ndonjë copëz. Përpjekjet e sotme që vihen re aty këtu për të krahasuar figurën e Babait të Kombit me ndonjë mbret apo kryeministër shqiptar në vite janë pa kuptim, për të qarë hallin dhe shpesh keqdashëse. “Secili të vetën thotë” thotë populli, “Jepi Çezarit atë që i takon”, thonë latinët. Deri në ditët tona figurat që kanë udhëhequr shtetin shqiptar kanë dritëhijet e veta. Qoftë Sulejman Delvina, Ahmet Zogu, Mehmet Shehu, Enver Hoxha, Ramiz Alia, Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Fatos Nano, Pandeli Majko, Ilir Meta, Afred Moisiu, Bamir Topi deri të Bujar Nishani, mund të krahasohen me njeri-tjetrin dhe mbi këtë bazë vlerësimet janë të ndryshme e shpesh të kundërta. E vetmja figurë në këta 100 vjet, që ka qenë, është dhe do të mbetet tërësisht e pranuar nga të gjithë shqiptarët është ajo e Ismail Bej Vlorës. Jo vetëm për aktin që kreu, por edhe si figurë e pastër njerëzore, që të vetmin qëllim në jetë kishte krijimin dhe forcimin e Shqipërisë. Këtu duhet përmendur dhe ai grup ministrash të qeverisë së tij që ia lehtësuan punën Kryeministrit të parë të Shqipërisë.

Për pak ditë mbushen 100 vjet nga themelimi i shtetit të parë shqiptar. Figura e kryesore ishte dhe mbetet ajo e Ismail Qemalit. Në muret e zyrave shtetërore të institucioneve janë vendosur fotografitë e Zogut (pesëmbëdhjetë vjet) të Enver Hoxhës (dyzetepesë vjet) dhe pas vitit ’90-të, çdo pesë vjet fotografitë e presidentëve nga Ramiz Alia, deri te i ai sotmi Bujar Nishani. Asnjëherë këta njëzet vjet presidenti nuk ka qenë i zgjedhur nga populli. Edhe sikur të ishte kështu vështirësi do të siguronte dikush atë shifrën e artë 50% +1. Në përfundim mendoj se ka ardhur koha që në zyrat e shtetit, duhet të jetë fotografia e themeluesit të shtetit shqiptar. Kjo është një praktikë e përbotshme dhe e njohur. Nuk kam asgjë me presidentët e këtyre kohëve të fundit dhe të atyre që do të vijnë. Por kur i shoh fotografitë e tyre në zyrë çdo ditë dhe mendoj sesa peshojnë vërtetësish mendoj: Po mirë dakord, po pse jo Babanë e Kombit,  të ndriturin dhe të pavdekshmin Ismail Beun e Vlorës?