Gëzim Zilja: Në vendin tim, në vendin tënd…

952
Sigal

Në vendin tim, në vendin tënd…

Gëzim Zilja

 

E patë o njerëz, o shqiptarë? E patë ju analistë e gazetarë në takimin e para dy javëve? Ja ai është Edi Rama, kryeministri shqiptar: delirant, llafazan deri në pafundësi, gënjeshtar, mohues i deklaratave dhe fjalëve të dala nga goja e tij, fyes deri ne ligësi, zero në ekonomi. Unë, Unëë, Unëëë … Shkurt despot i një vendi të varfër, që po e çon drejt kaosit të përgjithshëm. Edi Rama është prodhim i një shakaje të kryeministrit aventurier Fatos Nano, që më vonë mallkoi veten duke deklaruar i pezmatuar: Bëra gabim, që e bëra ministër dhe e mora nga Franca të palarë, me thonj të paprerë. Por tashmë ishte vonë. Ky “i palarë dhe me thonj të paprerë” do të bëhej ministër i kulturës dhe më vonë Kryetar i Bashkisë së Tiranës. I etur për pushtet ai kuptoi se për të shkuar më tej duheshin shumë para’ dhe njerëz besnikë, pavarësisht se nga vinin e çfarë përfaqësonin. E ktheu Tiranën në një pyll me pallate, duke zhdukur çdo gjurmë historie, kulture, tradite e identiteti. Ndërtimi solli para’ për atë dhe për miqtë e tij, shumë prej të cilëve të hurit e të litarit. Me paratë e fituara ai bleu PS-në, duke ua marrë socialistëve, që ishin munduar ta transformonin në një parti të majtë që ruan vlerat tradicionale dhe balancat midis të varfërve e të pasurve. Si një demagog i jashtëzakonshëm ai hodhi parullën e famshme, përtej së majtës dhe të djathtës, duke u paraqitur si njeri novator, largpamës e patriot, që kishte marrë përsipër të ndërtonte një shtet me institucione të forta demokratike. Shpejt hodhi në dorë të gjitha pushtetet, mediat, gjykatat, prokuroritë, institucionet e varura e të pavarura, duke sharë e anatemuar opozitën që nga ana e saj (edhe sot) paraqitet anemike, pa busull, pa gjak e shpirt. Duke injoruar bazën dhe njerëzit e mirë të PS-së solli në qeveri ekipin e përgatitur me kujdes gjatë sundimit të bashkisë. Një grup të rinjsh e të rejash (tashmë burra e gra) të ardhur kryesisht nga grupimi “Me duar të pastra” e më vonë “G 99” morën drejtimin e PS-së. Pjesa dërrmuese e tyre ishin njerëz pa identitet, pa fe e atdhe, me diploma të diskutueshme, model Spiropali e Veliaj, që Zot kanë Edi Ramën dhe paratë. Ata zunë vendet kyçe, duke e shtrirë pushtetin e Rilindjes në çdo qelizë të administratës dhe vepruar si anëtarë të një sekti që i bashkon një qëllim: besnikëria ndaj kryetarit dhe përfitimet për një jetë luksoze. Asgjë nuk i lidh këta njerëz me të kaluarën, të tashmen e të ardhmen e Partisë Socialiste. Edhe Gramoz Ruçi që mori kryekarrigen e parlamentit e kuptoi që e kanë vënë atje për t’i fryrë bilbilit dhe për të gjezdisur nëpër botë tani në kapërcyellin e moshës së tretë. Socialistët idealistë të llojit Majko e Ulqini, që e duan Shqipërinë, u mënjanuan, iu dha ndonjë “kockë” ose ndryshe “in fila indiana’’ u vunë nën urdhëratë e kryeministrit-komandant. Skandalet dhe varfëria do ta ndiqnin këtë qeveri këmba-këmbës për gjashtë vjet e në vazhdim. Vjedhja e votave, PPP-të, dhënia e tenderëve miqve e shokëve pa garë, lidhja e qeverisë më botën e krimit është kthyer në një fenomen të frikshëm. Shqipëria e refuzuar tre herë gjatë qeverisjes së Rilindjes nga BE-ja është në prag të një kaosi të përgjithshëm. Tashmë nuk qeveriset më, vetëm vidhet dhe bandat afër ose larg qeverisë vrasin ditën, natën e bëjnë ligjin. Sa nuk ka ndodhur hataja që vendi të dalë jashtë kontrollit, ky kryeministër i papërgjegjshëm duhet të largohet me hir apo me pahir nga vetë socialistët dhe populli shqiptar. Rama duhet të ikë që shqiptarët, të shpëtojnë nga ky shtet, karikaturë e demokracisë, ku sundon padrejtësia e krimi. Po Edi Ramës me sa duket i ka pjellë kaposhi dhe çfarë të pjelli se… Pas largimit nga drejtimi i PD-së, Sali Berisha zgjodhi si trashëgimtar Lulëzim Bashën që nuk shkëlqeu, as tre herë si ministër dhe aq më pak si kryetar bashkie. Zgjedhjet për kryetar të PD-së ishin një farsë, sepse Sokol Olldashi nuk mundej dot veçse me falsifikime. Fjalët garë, votë e lirë, një anëtar një votë janë përralla nga e kaluara. Rruga e Bashës në pozicionin e drejtuesit të PD-së është plot zigzage e tërheqje, pohime dhe mohime, kthesa të papritura djathtas-majtas, para- prapa, lart-poshtë, veprime që pasqyrojnë qartazi mungesën vizionit, të sinqeritetit, qëndrueshmërisë, sigurisë dhe përgjegjësisë. Fillimisht u fut në çadrën e famshme, pastaj doli nga çadra, hyri te zyra e Edi Ramës. Prej andej doli me duart plot me dhurata: gjashtë ministra, një zv/ kryeministër, e një bylyk me drejtorë që do të siguronin zgjedhje të lira e të ndershme. Natën pa hënë por plot drita të bulevardit, i sigurt në fitore, me listën private të kandidatëve ku fshiu senatorët ( Grida Dumës do t’i duhen të paktën 20 vjet të shndërrohet në Jozefina Topalli dhe Salianjit 100 vjet të bëhet një Aleksandër Meksi) e premtoi se do t’ia dilte me këtë ekip. Pas humbjes së turpshme hyri në parlament pastaj u kujtua se i kishin vjedhur votat megjithëse kishte gjysmën e qeverisë. Injoroi këshillat e SHBA-ve dhe të BE-së duke dorëzuar mandatet, hoqi përfaqësuesit e PD-së nga KQZ-ja, për të luftuar tashmë “prapa gardhit.” Duke ngritur arsyen e mos arsyeshme, se PD-ja nuk hyn në zgjedhje me Edi Ramën, i bëri këtij dhuratën më të çmuar, që as vetë Edi Rama nuk e kishte ëndërruar: bojkotoi zgjedhjet lokale. E llogaritur në shifra kjo do të thotë që Rilindja me votat e pushtetit qendror e vendor hyn në zgjedhjet e parakohshme, të koheshe ose të paskohshme me 250.000 vota plus. Përfaqësuesi i SHBA-së, Palmeri dhe përfaqësuesit e BE-së së fundmi ia bën të qartë opozitës së Lul Bashës se dalja nga Parlamenti dhe bojkoti i zgjedhjeve vendore prodhoi një hiç të madh për opozitën. Bota demokratike njeh vetëm institucionet shtetërore, pavarësisht nga mangësitë që mund të shfaqin ato. Tani lideri i PD-së i duhet të afrohet me opozitën e re, sepse për çdo ndryshim në sistemin zgjedhor ( e ligje të tjera) edhe sikur të pranohen propozimet e PD-së, nga “Gjuzi” do të votohen. PD-ja të mbaj hellin në dorë se dashi piqet në parlament. Sa për bazën Lul Basha, ka zbritur nja katër-pesë apo gjashtë herë. Pasi u ra daulleve e burive në gusht, lajmëroi se pas pushimeve verore në shtator e tetor do të ketë protesta të fuqishme që do të largojnë Ramën e “ do të sjellin popullin ( ec e merre vesh këtë fjali) në fuqi të vendos vetë për fatet e tij”. Tani me shirat e nëntorit ka marrë “çadrën e vogël” dhe po bën takime me studentë e miq nëpër qoshe e klasa me njëqind e dyqind petrita. Dhe u thotë: “Do të prishim koncesionet,” “do fusim në burg të korruptuarit,” “nuk do të ketë pension nën treqind euro” “do të hapim vende pune për të rinjtë” “arsimi duhet të jetë prioritet ynë,” “jam në këtë tur për të diskutuar të vërtetat e hidhura,” e të tjera e të tjera. Sempre una canzone. Dhe qershia mbi tortë është fraza që e ka shpikur kohët e fundi: “Kam ardhur këtu të sjell shpresën.” Po ajo që mungon në këto takime është entuziazmi, fryma, shpresa. Sepse të dy palët gënjejnë njëra-tjetrën dhe veten. Si nuk u gjend një student (ndoshta gjendet) ta pyesë: “Ju do të merrni nën drejtim (utopi me duket mua) një shtet thellësisht të korruptuar, të rrënuar ekonomikisht dhe probleme të rënda të varfërisë. Si do të zhdukni varfërinë? Si do të çoni pensionet 300 euro, rrogat e mjekëve 1200 dhe të infermierëve 700 euro? Si do të anullni koncesionet kur ato janë dhënë nga parlamenti? Si do thithen investimet e huaja? Dhe më kryesorja: Cilët janë me emër, emër babai dhe mbiemër ministrat e ardhshëm të qeverisë, dhe stafi juaj, që do të bëjnë shndërrimet e premtuara? Pse nuk vijnë ata këtu të na sqarojnë si do të shumëfishohen rrogat e pensionet e të ngjallin shpresë?” Nëse është fjala për Nokën, Palokën, Spahon, Tritanin, Salianjin, Myqeremin, Alibeun apo ndonjë tjetër këta nuk kanë prodhuar kurrë shpresë për shqiptarët tash 20-30 vjet. Ylli i tyre ka perënduar me kohë. Kësaj i thonë të tallësh prapanicën me demokratët e më gjerë. Partia Demokratike nga një baobab që e mori Basha në 2013, është katandisur në një akacie anemike nga ato që ka mbjellë Rilindja në Lungomaren e Skelës. Përpara demokratët kanë një bajloz që nuk ka dalë nga deti por nga toka shqiptare. Por nëse kryedemokrati nuk bën dot Gjergj Elez Alinë,

(Trim mbi trima ai Gjergj Elez Alija

Qe nandë vjet, nandë plagë në shtat m’i ka)

le të hapë krahun e së bashku me Edi Ramën ta lënë PD-së e PS-në të ulen në tryezë bisedimesh, e të përgatiten për një betejë elektorale të ndershme për të mirën e shqiptarëve.